Në Muzeun Historik Kombëtar përkujtohet 125-vjetori i “Shkollës së Vashave”

Krejt i veçantë ka qenë përkujtimi i ditës së 7 Marsit në Muzeun Historik Kombëtar. “Shkollat shqiptaro-amerikane, 1891-1933”, bazuar mbi një temë të tillë është hapur dhe një ekspozitë në hollin kryesor të këtij Muzeu. Ky eveniment, i organizuar nga Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë dhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikanë në Tiranë, u zhvillua me rastin e 125-vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave. Mësonjëtorja e Parë Shqipe u hap në Korçën e vitit 1887. Ndërsa katër vite më pas, po në këtë qytet do të hapej dhe “Shkolla e Vashave”.
Në fjalën e tij të hapjes, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi, tha mes të tjerash se: “Shkollat teknike amerikane kanë ndikuar në formimin e qindra kuadrove, të cilët kanë luajtur një rol aktiv në modernizimin e prodhimit bujqësor dhe industrial në Shqipërinë e atyre viteve”. Sipas zotit Labi, shkollat shqiptaro-amerikane dalloheshin për disiplinë të fortë, tekste mësimore-amerikane si dhe organizim të përkryer të programit mësimor. Gjithashtu, ai tha se e mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave.
Në cememoninë e hapjes së kësaj ekspozite foli dhe kryetari i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë z.Shpëtim Sala si dhe David Hosaflook, drejtor i institutit Shqiptar për studime Protestante.
Ekspozita ka në përbërje koleksione me relike të ralla, të cilat janë vënë në dispozicion për të interesuarit nga koleksionistët: Shpëtim Sala, David Hosaflook dhe Dr. Jovan Basho.
Në koleksionin e z.Shpëtim Sala janë të ekspozuara veprimtaritë e shkollave shqiptaro-amerikane, të cilat kanë pasur aktivitetin e tyre në Shqipëri prej vitit 1893 deri në vitin 1939.
Në koleksionin e z.David Hosaflook paraqiten botimet protestante për Shqipërinë.
Ndërsa Dr. Jovan Basho paraqitet me koleksionin: “Filatelia amerikane për Shqipërinë”.
Me një pjesmarrje të gjerë, ky aktivitet do të përshendetej me këngë edhe nga një kor i vogël me nxënësit e shkollës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”
Ekspozita “Shkollat shqiptaro-amerikane (1891-1933)” do të qëndrojë e hapur për disa ditë në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, ku vizitorët do të njihen me historikun e shkollave, drejtuesit e tyre si edhe me materiale didaktike: tekste mësimore, fletore, blloqe shënimesh etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *