Sapo ka dalë në qarkullim, i ribotuar, Libri “5000 vjet fortifikime në Shqipëri” i autorit Gjerak Karaiskaj. Ky Libër u botua për herë të parë në vitin 1981, si rezultat i një pune shumë vjeçare të autorit në gjurmimin, mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Ky libër i kushtohet një gjinie të caktuar monumentesh siç janë fortifikimet, të cilat kanë qenë dhe objekt i ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese nga ana e autorit.
Ndërtimet mbrojtëse në këtë libër janë parë kryesisht nga pikëpamja ushtarake si fortesa, pa u lënë mënjanë teknika e ndërtimit, edhe kur kjo e fundit nuk lidhej me qëndrueshmërinë e mureve, por më tepër kishte karakter estetik. Në anën tjetër, të gjitha këto aspekte janë inkuadruar në kontekstin historik, i cili shpesh ka kushtëzuar në një masë të madhe zgjidhjen dhe tiparet e këtyre ndërtimeve. Arti i fortifikimit në vendin tonë jo vetëm nuk qëndron prapa vendeve të tjera, por ai paraqitet me tiparet e veta të veçanta, që krahas përpunimit krijues të ndikimeve të jashtme dha edhe kontributin e vet në thesarin e përbashkët të arkitekturës së popujve të Ballkanit.
Autori ka vrojtuar në vend shumicën e fortifikimeve, ndërsa një pjesë e tyre janë studiuar prej tij, por ai është mbështetur edhe në një sërë artikujsh të studiuesve shqiptarë si të F. Prendit e M. Korkutit për fortifikimet prehistorike; të S. Islamit, N. Cekës. Dh. Budinës e K. Zhekut për antikitetin; të A. Baçes, S. Anamalit e D. Komatës për fortifikimet mesjetare etj; të E. Rizës e P. Thomos për banesat e fortifikuara dhe kullat e shek. XVII-XVIII etj. Janë lënë jashtë këtij punimi, për mungesë të dhënash e studimesh, ndërtime mbrojtëse shqiptare nga krahinat e Kosovës, si dhe fortifikime të tjera të ndërtuara gjatë mesjetës nga feudalë shqiptarë, apo nga Ali Pashë Tepelena, jashtë territorit të sotëm të Shqipërisë në viset e Epirit të jugut.
Interpretimet e ndryshme nga studiuesit e tjerë, për të mos cënuar rrjedhshmërinë e leximit, janë dhënë në shënimet. Gjithashtu, në shënime janë pasqyruar edhe disa të dhëna të reja, apo interpretime, të dala nga fakte deri atëhere të panjohura, që autori u ka bërë monumenteve, të përfshira në tekstin e vitit 1981, pa u zgjeruar në monumente të tjera, të cilat kanë qenë objekt i studimeve dhe botimeve të tija të mëvonshme, në artikuj shkencorë apo monografi, siç është rasti i ribotimit në anglisht të librit mbi Butrintin (The Fortifications of Butrint, London 2009) dhe të monografisë mbi fortifikimet mesjetare dhe të antikitetit të vonë botuar në vitin 2010 në Gjermani (Die spätantiken und mittelalterlichen Wehranlagen in Albanien, Hamburg 2010).
Për të dalë më qartë përhapja dhe rëndësia e fortifikimeve janë shqyrtuar edhe kategori të tjera, mjaft që ato të kenë pasur karakter mbrojtës, si banesat dhe manastiret e fortifikuara. Gjithashtu, kapitulli i fundit i këtij libri mbi armët dhe rrethimet do të bënte më të lehtë të kuptuarit e kësaj teme.