Xhoan Guga ka promovuar dje në Galerinë Kombëtare të Arteve botimin “Mjeshtërit e Pikturës Shqiptare”, ku trajtohen autorët e gjeneratës së parë, të periudhës pas bizantine. Ata vijnë në këtë botim me një përzgjedhje të veprave të tyre më të mira të viteve 1883 – 1944. Me dizajn bashkëkohor dhe detaje të mrekullueshme paraqiten në botim 113 piktura të krijuara nga brezi që u shkollua në akademite më të mira europiane të asaj kohe. Ishin pikërisht këta artistë edhe themeluesit e asaj që mund të quhet Shkolla Shqiptare e Pikturës.
“Veprat e tyre janë përzgjedhur nga koleksione familjare të autorëve, Galeria Kombetare e Arteve Tiranë e Shkodër si dhe nga koleksione privatë. Përveç një përzgjedhje të madhe veprash tashmë të mirënjohura dhe të dashura nga publiku, botimi përfshin edhe shumë piktura plotësisht të panjohura që botohen për herë të parë apo që konsiderohen të humbura”, tha Guga. Ky botim nderon piktorët: Kolë Idromeno, Abdurrahim Buza, Zef Kolombi, Andrea Kushi, Vangjush Mio, Ndoc Martini, Androniqi Zengo Antoniu, Sadik Kaceli, Hasan Reçi, Vangjush Tushi, Foto Stamo, Qamil Grezda dhe Nexhmedin Zajmi i cili ka 100 vjetorin e lindjes.
Mes veprave të panjohura për publikun që përfshihen në botim, përmendim: Andrea Kushi “Kisha e Shën Kollit”, Elbasan (Detaj, Vaj në kanavacë, © Migen Kushi, Koleksion Privat); Androniqi Zengo Antoniu “Peizazh nga Santorini” (Detaj, Vaj në kanavacë, © Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë); Kolë Idromeno “Madona me fëmijë” (Detaj, Vaj në karton, © Koleksion privat); Vangjush Tushi “Profil burri”, (Vaj në kanavacë © Koleksion privat, Familja Tushi” si edhe Abdurrahim Buza me “Rrush e Dardha” apo “Shtëpi në Pogradec”, Andrea Kushi me “Plakë që tjerr” dhe “Portret”, Androniqi Zengo Antoniu me “Burgu i Sokratit”, Hasan Reçi me “Periferia e Tiranes”.
“Motra Tone” me shami dhe pa shami e Idromenos si edhe “Harapi i Beledijes”, “Vdekja e njeriut të mirë e atij të keq” apo portreti i së shoqes, po prej tij mund të shihen në cilësi të mirë. Mandej veç portreteve e peizazheve, një pas tjetrës zënë vend “Dervishi” i Sadik Kacelit, “Kurbatka”, “Nudo” e Vangjush Tushit, “Plaku me bastun” e “Plakë që tjerr” të Andrea Kushit, “Grua me shportë”, “Portret gruaje” e Foto Stamos, “Nudo” e “Fshatari” të Sadik Kacelit janë veprat në botim.