Nga Vasil Tole
Nisma e « International Opera Awards »-2016 për të dhënë edhe një ҫmim të publikut krahas ҫmimeve për CD-në operistike, institucionin e operas me qasje më të mirë ndaj publikut, për korin e operas, dirigjentin, regjisorin, skenografin më të mirë, për zërin femëror dhe atë mashkullor më të spikatur, për produksionin e ri më të mirë dhe për kompaninë më të mirë të operas etj., duket se ka sjellë përsëri në qendër të vëmendjes artin dhe artistët shqiptarë.
Sopranoja Ermonela Jaho është nominuar në kategorinë e ҫmimit « Readers Awards » që në shqip mund ta përqasnim si « Ҫmimi i lexuesve » ose më mirë « Ҫmimi i publikut », një ҫmim shumë i veҫantë dhe i bukur në vetvete kjo për shkak të natyrës së votimit të fituesit drejtpërsëdrejti online. Eshtë pak a shumë si të zëvëndësosh duartrokitjet që jep në sallë, me një klikim po aq të ngrohtë për artistin e operas që e ҫmon për artin e tij.
Kandidimi i saj merr një tjetër peshe kur sheh se bashkë me të konkurrojnë si të barabartë edhe artistë të tjerë shquar të niveleve botërore si Danielle De Niese, Joyce Di Donato, Michael Fabiano, Gerald finley, Juan Diego Florez, Dmitri Hvorostovsky dhe Eva-Maria Westbroek. Duket qartë se kandidatura e këngëtares sonë i është imponuar organizatorëve pikërisht prej publikut dhe jehonës pozitive të interpretimeve të saja gjithmonë e më të arrira, nga viti në vit, nëpër skenat e botës si dhe atë të Shqipërisë, jehonë e cila është shumëfishuar nga artikujt pozitivë në mediat e specializuara dhe ato të përgjithshme, publikimet ne CD e DVD etj.
Ndërkohë që po jepja votën time, më erdhi ndër mend fakti se nominimi në « International Opera Awards » (të cilat konsiderohen edhe si « Ҫmimet OSCAR » të operas), për ne është më tepër se sa një konkurrim individësh.
Që nga koha kur Tefta Tashko Koҫo dhe Jorgjia Truja, të parat soprano shqiptare mësuan artin e operas në vitet 1930-të në konservatorët e Italisë dhe Franës, fjala opera nuk kishte hyrë ende në fjalorin e gjuhës shqipe, pa le të bëhej fjalë për ta prekur dhe shijuar atë nga populli. Në vitet 1940, gjatë pushtimit italian të vendit, një trupë operistike italiane shfaqi për të parën herë një opera, por edhe kjo me muzikë, regji, skenografi dhe këngëtarë të huaj. Fragmente të arieve të operave, këngëtaret tona Tashko, Truja dhe Kraja i mbollën si gurë të një mozaiku të madh nëpër Shqipëri edhe pse muzika nuk studiohej nëpër shkolla dhe nuk kishim as konservator dhe teatër opere. Si në asnjë vend tjetër të botës, opera e parë shqiptare « Mrika »-1958 u vu në skenë nga amatorët, pra nga populli muzikdashës shkodran, si shprehje e aspiratës së qytetarisë evropiane të tyre etj.
Sot ja ku jemi
Një këngëtare shqiptare synon që përmes votës së publikut të shpallet « Primus inter pares- e para ndër të barabartët » ne kete fushe. Kjo është një garë ku ne mund ta mbështesim atë, pasi në ҫmimet e tjera janë juritë që vendosin. Jam i sigurt se votat për të do të vijnë kudo ku admirohet arti i operas: në Evropë, Azi, Amerikë apo Australi. Por ajo është edhe këngëtarja jonë e cila e ka vlerësuar skenën shqiptare si tempullin e dhe shtëpinë e saj, megjithëse këndon kudo dhe gjithandej në botë.
Ajo na kujton se si kemi qene dhe ku mund te mberrijme!
Ajo e meriton votimin tonë si artiste shqiptare, evropiane e boterore.
Suksese!