Ç’faj ka Arditi. Këtu gratë përdoren vetëm për show!

Nga Jonida Hitoveizi

Prej ditës së djeshme kam parë me gjakftohtësi debatin për intervistën e Ardit Gjebreas me Marjan Rrokun, i cili ndodhet në burg për vrasje të dyfishtë; për vrasjen e dy grave; një 16 vjeçarje dhe nënës së saj.
Lexova sot argumentimet e bëra nga drejtësia për rastin dhe po ashtu atë që Rroku i pohoi Arditit, se ai i kishte vrarë por nuk dinte as pse as si. Pa dashur të merrem me ngjarjen, nga kaq të dhëna mund vetëm të besoj se ai është njeriu që u ka marrë jetën dy femrave dhe për këtë është dënuar. Dhe që doli në televizion për të treguar një lloj “marrje në qafë nga fati”. Nuk dua të ndalem shumë mbi motivet e kësaj interviste, çfarë prapaskenash ka ajo, a vërtetë po kërkohet ndonjë ulje dënimi për të dënuarin apo jo, por di të them se përtej këtyre aludimeve, femrat në këtë shoqëri, edhe kur janë të vdekura, edhe kur vriten barbarisht, fatkeqësisht përdoren thjesht për shou, për audiencë, klikime e lexime më shumë.
Vritet një femër dhe të gjithë merren me nderin e saj, me gjykime e paragjykime. Mirë ai, po ajo?- ulëret shoqëria jonë e kalbur në gjenezë. E duke nisur nga rruga, tek media, deri në parlament gratë dhe vajzat në këtë vend përdoren thjesht për shou. Përdoren si kukulla për të tërhequr sytë e burrave në webe e televizione, si objekte për të ngopur frustimet e tyre të mjera seksuale, si subjekte ideale për të treguar nderin, e së fundmi fyhen edhe në qelizën e tyre si qënie njerëzore, që tejkalon shumë herë edhe fantazitë e një të sëmuri psikik. Nuk jam habitur as tronditur aq me përpjekjen e “nxjerrjes mirë të Rrokut” para publikut, sesa kur kam lexuar poshtë e lartë nëpër media sesi përdoret mitra e grave për qëllime politike e fyese. E kur gratë përdhosen  nga mitra, se kanë mitër, se mbajnë këto qënie impotente mendërisht për 9 muaj në mitër, besoj se na ka mbetur fare pak si shoqëri. Janë krime që i njohin vetëm barbaritë më të mëdha, ato të shqyerjes së barkut të femrave që mbanin fëmijët e armikut, por Ne, shoqëria jonë apatike pa vlera morale, armikun e kemi bërë burrë. Burrë të atillë që mund ta përdhosë Zotin dhe gruan sa herë të dojë. Ndaj dhe Arditi thjesht vijoi të njëjtin shou. Ndaj dhe s’ka faj. Se nuk e di a ka mbetur më dikush në këtë shoqëri të çuditshme që nuk përpiqet të bëjë pak shou me femrat për tu ndjerë burrë, duke i fyer, duke i mbajtur në burg psikologjik dhe në fund kur mundet edhe duke i vrarë. E duke u ndjerë në fund thjesht të pafajshëm!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *