Nga Flutura Açka
Tek kaloja me makinë nëpër njërën nga urat e Lanës, një prej këtyre ditëve të vrënjtura, vërejta tek çapitej Tinka Kurti nëpër zebrat imagjinare për të kapërcyer anës tjetër të urës. Hapa dritaren dhe e thirra. Mes klithmave dhe borive të shoferëve të paduruar, ndala makinën në urë dhe e prita që ta merrja me vete. Po shkonte tek ISGSH për të dorëzuar një letër që dëshmonte se ishte e ve, ndryshe nuk do t’i jepej kompensimi prej 260 lekësh për energjinë elektrike. “Tinkë moj, ti ke 25 vjet e ve, akoma nuk e di ky shtet?” Me humorin e saj, më tregoi se një ditë më parë e kishin fyer në radhë tek ISGSH. Njëfarë djaloshi që mbakërka radhën aty, e kishte shtyrë tutje, kur artistja 84-vjeçare ishte lutur që të dorëzonte dokumentet. Dikush aty afër, i kishte vërejtur trimoshit tonë se po shtynte Tinka Kurtin. “Nuk më duhet fare se kush është kjo, nuk do ta lë edhe sikur të jetë vetë presidenti apo kryeministri!” Kështu e di radhën e rëndësisë në këtë komb, ky kokërr gomari, i cili ka hyrë aty si militant, jo si njeri që t’i shërbejë pa i fyer njerësit, veçmas të moshuarit. I thashë Tinkës, se meqenëse ishte aq e mërzitur, do ta rrëmbeja dhe do ta çoja diku larg, jashtë Tiranës. “Jo pa dorëzuar këtë dokument që ma rrezikon kompensimin! Dashke të më lësh pa bukë më duket!” E kishte fjalën për dëshminë e vejanësisë së saj. Unë prita jashtë deri sa ajo mbaroi (me drita të ndezura), pasi ISGSH nuk ka parkim. Po cili institicion ka, në fakt? Se mos menduan Kryebashkiakët e Tiranës ndonjëri për këtë! As policia aty afër, dyshoj se nuk ka. Hodha sytë përtej xhamave të errët (ISGSH me xhama të zinj!) dhe një turmë njerëzish lëvrinte të mbaronte punë aty. Moshë e dytë, e tretë, e katërt mbase që torturohej për të drejtën e vet elementare. Kur Tinka hyri në makinë, lëshoi një ofsh të moshës, dhe tha: “As hasmin mos e pafsh këtu”. Po pse, ku? Nuk e pyeta atë, sepse po më shpjegonte se i duhej ai kompensim (260 lekë në muaj!!!!) pasi së shpejti do të niste të paguante Taksën e Stolit, që lirisht mund të quhet edhe Taksa e By… Ngjitur me pallatin e saj, Bashkia po ngre ca stola, ku mund të ulen pleqtë e lagjes gjatë ditës. Por për mirëmbajtjen e tyre, u kishte thënë një fqinj, militant i njohur i partisë aty rrotull, duhej të paguanin taksë. Se si do të emërtohet kjo taksë, nuk e di; se sa herë do të ulet Tinka Kurti 84-vjeçare në ato stola nuk e di; se ku do të parkojnë tani të mjerët fqinjë të saj aty, nuk e di. Ajo që di është se, si qytetarë të Tiranës dhe qytetatë të këtij vendi, kemi nevojë për parkim, për një park pa beton dhe pa taksë, kemi nevojë për dinjitet në radhët e gjata të tipit socialist. Shkurt, kemi nevojë të mos e urrejmë Atdheun, siç po na shtyn përditë ta bëjmë Shpirtgrymta Politikë. Atë ditë (dita që po përshkiruaj) me Tinkën shkuam diku në një lagunë ku ende nuk ka mbërritur betoni. Do të kishte mbërritur, po të mos e kishin fotografuar me armë në dorë para komisariatit një kokorroç të parlamentit tonë, strehë kriminelësh me damkë. (Sepse, për mua, kriminelë nuk janë vetëm ata që vrasin njerëz!) Atë ditë, dhe ç’ndodhi atë dite, ne e harruam; ka mbetur vetëm kjo foto e Protestës sonë. Po ditët e tjera, ç’bën Tinka Kurti, miqtë dhe mikeshat e saj, ç’bën Mosha e Tretë e këtij vendi, që me pesionin e turpshëm nuk ka para as për një kafe në ditë. Asgjë, mbase po numëron lekët dhe po i ndan veç dhe për Taksën e Stolit, ku do ta vërë ndonjëherë by… për pak rreze dielli. Aferim, o Lali i Bashkisë!