Të vërtetës që i është prerë gjuha!

2015-04-21 21.13.41Për fatin e keq, ndoshta më shumë se në çdo cep tjetër të botës, jetojmë akoma në një vend ku secili ka frikë të jetë i lirë. Sigurisht, shumë kanë shkruar e kanë provuar përmes historisë njerëzore se liria ka kostot e saj, e se jo çdo kush ka aq guxim e aq lartësim shpirtëror e intelektual për ta arritur atë. Por ç’ndodh tek ne? Tek ne nuk ka rëndësi ajo çfarë di, as sa intelektual je, as sa të dhimbset ajo që ndodh. Është krejt e kundërta; ne nuk themi dot asnjë të vërtetë, sepse në momentin e parë që e bën do sulmohesh dhe pavarësisht a ke të drejtë apo jo, do merren me ty si të ishe ti plangprishësi. Të drejtit thotë populli i pritet gjuha! Ndodh shpesh që në punën tënde si gazetare të kërkosh të pyesësh ekspertë të fushave të caktuara, për problematika të caktuara dhe nuk ke më guxim të kërkosh një opinion të dytë kur të thonë përgjigjen standarde “më kupto, s’dua të flas”. E nëse më tej me disa njerëz ke një raport miqësor, merr një arsye më tepër rreth heshtjes së tyre “nëse do thonë të vërtetën do i prishin punë vetes apo se kanë një projekt ku nuk duan ndërhyrje e probleme me ata “lart”. Dhe s’ka kuptim ta analizojmë se çfarë nënkupton kjo, por mund të analizojmë se pse heshtet kaq shumë për kaq shumë probleme. Na është mbyllur goja dhe më e bukura është se s’po gjejmë më as ekspertë të na flasin, ndaj çdo gjë ka mbetur në dorë të militantëve partiakë, të cilët i dinë si zakonisht, të gjitha. Duke qenë se tek Pasqyre.al thuajse çdo ditë wordpress kemi lajme të trashëgimisë kulturore, ajo që na ka rënë në sy është një “shmangie” gati e të gjithëve për të folur për problemet e saj dhe çfarë po ndodh realisht.  Edhe pse ajo që shohim çdo ditë është e dhimbshme, të lë pa fjalë, të lë pa kurajë dhe pa forcë për të thënë diçka që zë vend, sepse nuk di nga t’ia nisësh. Çdo ditë një objekt është në grahmat e fundit të degradimit në këtë vend dhe përgjigja standarde zyrtare është “Po punojmë”, ndërsa intelektualët heshtin, shoqëria hesht, qytetarë-barabarë shkatërrojnë dhe vjedhin, mbrojtja e ligjit nuk i prek objektet e strukura në ato pjesë të vendit të vizitueshme vetëm nga zogjtë, e jo nga turistët. Duhet të ketë zëra të fortë, punë të koordinuar mirë në çdo bashki dhe njësi administrative, duhet të ketë politika nxitëse që vendasit të nisin të kuptojnë sa mirë do u bëjë ai objekt i trashëgimisë i cili është ndërtuar në vendin ku jetojnë dhe të kuptojnë se duhet ruajtur. Dhe këto nuk bëhen me gënjeshtra dhe as duke mbyllur veshët prej të vërtetave dhe as duke heshtur ndaj barbarisë prej vetes, e cila po na pushton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *