Nga Bjorn Runa
Ti qëndron ulur pas avujve të një filxhani çaji, në një kafene krejt të 8heshtur ku veç tringëllimës së lugës apo të filxhanëve që prekin pjatën, nuk dëgjohet zhurmë tjetër. Befas, cingëritja e një telefoni thyen heshtjen, ndërsa të gjithë – si të jenë programuar në mënyrë të tillë – lëvizin në të njëjtën kohë duke parë të shqetësuar telefonat e tyre. E gjitha zgjat fare pak dhe aparatet përplasen sërish pa mëshirë mbi tryezë. Në heshtjen që rikthehet ngadalë, e kam të vështirë të mposht dëshirën për t’i hedhur qoftë edhe një shikim të shpejtë njoftimeve në krye të ekranit, me shpresën se mund të jem unë fatlumi për të cilin dikush u kujtua atë çast.
Në fakt, jo. Të vetmit që kujtohen thuajse çdo çast për “dëshirat e mia”, janë aplikacionet që kërkojnë të përditësohen apo njoftime se dikush sapo ka postuar një video të re në “Youtube.”
“Askush nuk është një ishull i vetvetes,” shkruante poeti John Dohne në shekullin e XVII, “Secili prej nesh është pjesë e kontinentit; pjesë e së tërës.” Kohë më pas, kur bota është më e vogël se kurrë dhe hapësira e koha kanë humbur thuajse çdo kuptim standart, fjalët e Dohne duket se e kanë humbur deri diku kuptimin. Është e vërtetë se falë teknologjisë ne sot jemi të gjithë pjesë e rrjetit. Jo vetëm jetojmë “online,” por programet që përdorim dinë gjithçka për ne, duke nisur nga muzika e filmat e preferuar; njohin se cilët janë miqtë tanë më të ngushtë apo arrijnë gjer aty sa nëpërmjet disa përllogaritjeve grafesh e algoritmesh të komplikuara të na sugjerojnë se me cilin prej miqve tanë mund të duam të bisedojmë atë çast; madje, janë në gjendje që thjesht falë disa fjalëve kyç të shtypura pa kujdes nëpër motorrë kërkimi të na ofrojnë edhe imazhin e partnerit tonë ideal.
Megjithatë, ndonëse të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet jetëve tona virtuale, sërish sipas studimeve ata që rrinë më shumë në rrjet ndihen më shumë të vetmuar se të gjithë. Një fjalëkalim i shkurtër, tetë karaktere të shtypura mekanikisht mbi tastjerë dhe në pak sekonda e gjithë bota gjendet para jush. Por, kaq nuk mjafton. Qindra miqtë me të cilët as që marrim mundimin t’ju shkruajmë në Facebook, duket se nuk dalin, ndërsa vazhdojmë më tej duke u bërë pjesë e një sërë rrjetesh të tjera, si të jemi duke rrëkëllyer njërën pas tjetrës pije alkoolike në kërkim të asaj që është më e fortë. Të asaj që do të arrijë të na bëjë të harrojmë vetminë tonë të përditshme, teksa nxjerrim nga mikrovala ushqimin gjysmë të gatshëm, të cilit i mjaftojnë vetëm pak sekonda për të qenë i ngrënshëm, ndonëse do të na shijonte më shumë qoftë edhe po të përtypnim një copë kartoni. Por, hej, të paktën do të shtyni disa minuta të mërzitshme duke shëtitur nëpër “Newsfeed” me fotot që miqtë tuaj sapo kanë postuar nga fundjava e kaluar. Duken të lumtur, të buzëqeshur, ndërsa ti kapërdin me vështirësi ushqimin pa shije dhe ndjesia e vetmisë shtohet, pa e kuptuar se edhe ata nën peshën e hashtag-eve që duket se s’kanë fund, janë në fakt po aq vetëm sa ty. Se në çdo foto të postuar, pas përpjekjesh të tëra për të gjetur këndin e duhur, fshihet po e njëjta ndjesi vetmie e të mos paturit dikë të cilit t’i tregosh për fundjavën tënde të këndshme diku buzë detit. Në vend të kësaj, ti qëndron në pritje të “Pëlqimeve,” e ca më pak të ndonjë komenti qejfbërës.
Komunikimi real ia la vendin telefonatave dhe së fundi këto u zëvendësuan në fare pak kohë nga tekstet e shkruara. Duket se gjatë gjithë kësaj kohe mezi kemi pritur t’i largohemi komunikimit të drejtpërdrejtë. Nëse vetëm disa vite më parë, dikush do të kujtohej t’ju telefononte qoftë edhe për t’iu pyetur si u zgjuat atë mëngjes, apo për t’ju uruar fat teksa përgatiteni për një udhëtim apo për të nisur një punë të re, sot telefoni përpëlitet në xhep si i shkundur nga një ëndërr e keqe, vetëm për të shfaqur në ekran një “Suksese,” të ndjekur nga një fytyrë e buzëqeshur akullt. Megjithatë, frika më e madhe nuk është se të tjerët përpiqen t’ju mbajnë në largësinë e duhur me ca tekste të ftohta, tmerri i vërtetë qëndron në tri gërmat “flm” të shtypura pa e vrarë mendjen në ecje e sipër. Nuk janë thjesht të tjerët, të cilët nuk e kanë kohën të tepërt për mua. Jam unë që nëpërmjet një mesazhi të shkurtër, përpiqem të shmang mundimin e angazhimit në një bisedë të vërtetë. Komunikimi i drejtpërdrejtë është i vështirë. Ti duhet të përballesh me shikimin, tonin e zërit, fjalët dhe mbi të gjitha, me pamundësinë për të përpunuar, fshirë apo për ta nisur nga e para përgjigjen tënde.
Teknologjia dhe shpejtësia me të cilën kërkojmë marrjen e informacionit, janë duke e vrarë dalë ngadalë komunikimin e vërtetë, duke na kthyer të gjithë shumë hapa pas, pikërisht në kohën kur Neandertalët endeshin mbi tokë duke klithur e duke kërcyer për të biseduar me njëri tjetrin, ndërsa fjalët ua lënë vendin shkurtimeve të pakuptimta e fjalive që nuk bëjnë sens, por që vijnë gjithmonë në kohën e duhur dhe ne nuk na duhet të presim gjatë për të marrë një përgjigje. Qoftë ajo po aq e vdekur dhe pa shije sa ushqimi gjysmë i gatshëm, të cilin pavarësisht përpjekjes së vazhdueshme për ta kapërdirë, në fund përfundon krejt i pavlerë në koshin e plehrave të kuzhinës.
Me kalimin e kohës, kemi harruar të jemi këta që jemi, ndërsa pajisjet teknologjike kthehen në zgjatime jo vetëm të gjymtyrëve tona, por edhe të vetë ndërgjegjes sonë, e gjithë kjo vetëm e vetëm për të qenë të lidhur, ndonëse siç ka rezultuar, të qenët pjesë e rrjetit nuk do të thotë të mos jesh vetëm.