Nga Jonida Hitoveizi
Kohët e fundit është vënë re një shtim i dukshëm i titujve rozë, i opiniondhënies mbi këto lajme dhe fenomenet që ato drmaskojnë apo edhe vet shkrime e intervista limonatë nga gazetarë, që pikat e forta të suksesit apo dështimit të tyre në fakt ia faturojnë më së shumti mbulimit të politikës shqiptare, asaj rajonale apo aktualitetit të egër të këtyre viteve. Qysh kur ia behu Xhesika dhe stuhisë që ajo shkaktoi në internet, të gjithë kanë dalë e flasin mbi këtë temë, thua a ishte me të vërtetë diçka e re. Ata që janë në politikë e në instancat e larta mediatike, personazhe me emër, e dinë fare mirë se asgjë të re nuk pati në ato çfarë tha vajza bionde. Ata të gjithë e dinë se çfarë kanë bërë përgjatë këtyre viteve, kë kanë paguar e kë jo, kë kanë përdorur e kë jo etj. Besoj se shumë prej tyre janë jo thjesht dëshmitarë por aktorë kyç në imoralitetin e këtyre 25 viteve, i cili sot na ka vënë poshtas, e nuk po dallojmë më qartë ku fillon e bardha e ku mbaron e zeza. Ndaj për këto arsye këta njerëz mund t’i kishin vënë pikat mbi i shumë më herët sesa të prisnin bujën e radhës tre ditore për të qarkulluar të freskuar emrin e tyre nëpër internet. Mund edhe të kishin bërë investigimet e tyre profesionale përgjatë këtyre viteve pa pritur ditën e fundit. Por problemi nuk qëndron këtu. Pyetja lind pse të gjithë po merren me të njëjtën gjë? Pse edhe ata që poshtë e lartë arrijnë deri duke nënvlerësuar kolegët e tyre që bëjnë këtë gazetari të verdhë, që merret me jetën private e profesionale të personave publikë, krejt papritur i sheh të bëjnë të njëjtën gjë. E vërteta e madhe, prej kohësh lakuriq, është se kronika rozë ka mbetur e vetmja që përbën lajm, që ngjall kureshtje dhe që thith si një vrimë e zezë gjithë lexuesit.
Kjo për një arsye të thjeshtë; sepse politika e aktualiteti i ka bërë të gjithë impotentë profesionalisht duke kapur edhe vet lajmin dhe analizën politike. Ndaj gazetaria rozë, ashtu siç është, me të njëjtat probleme të medias shqiptare, mbetet e vetmja dritare me pak më shumë ngjyra dhe që sjell qindra klikime. Ndaj nuk duhet të habitemi pse ka kaq shumë tituj rozë. Ndoshta disa të tjerë duhet të nisin dhe t’i bëjnë pyetjen vetes, pse nuk ua lexon njeri ato gjërat e 700milionë përsëritura? Mos vallë ky është një ndëshkim masiv nga ana e lexuesit, i cili po ashtu paragjykohet se është i paaftë në ato që zgjedh për të konsumuar!