Nga Kamel Daoud
ORAN, Algjeri — Pas Tahrir erdhi Këlni. Pas sheshit erdhi seksi. Revolucioni arab i vitit 2011 rriti entuziazmin në fillim, por që atëherë pasionet janë shuar. Ato lëvizje tashmë duken joperfekte, madje të shëmtuara: ato kanë dështuar të prekin idetë, kulturën, normat sociale dhe fetare, e sidomos normat që lidhen me seksin. Revolucion nuk do të thotë modernizëm.
Sulmet ndaj grave perëndimore nga emigrantët arabë në Këln të Gjermanisë në prag të Vitit të Ri sollën në vëmendje ngacmimin e grave në sheshin Tahrir gjatë ditëve të revolucionit egjiptian.
Kjo bëri që njerëzit në Perëndim të kuptonin që një nga mjerimet më të mëdha të cilat rëndojnë në të ashtuquajturën botën arabe dhe botën myslimane në përgjithësi, është marrëdhënia e saj e sëmurë me gratë.
Në disa vende gratë janë të mbuluara, të goditura me gurë dhe të vrara; ose më së paku, ato fajësohen për mbjellje të çrregullimit në shoqëri ideale. Në përgjigje të kësaj, disa vende europiane kanë prodhuar disa guida të sjelljeve të mira për refugjatët dhe emigrantët.
Seksi është tërësisht tabu, në rritje në vende si Algjeria, Tunizia, Siria ose Jemeni, jashtë kulturës patriarkale të ambientit konservator, rregullat e reja të islamikëve, kodet dhe puritanizmi diskret dhe socializmi rajonal.
Kjo përbën një kombinim të mirë për pengimin e dëshirës ose ndjesinë e fajit dhe margjinalizimin e atyre që ndjehen ndryshe.
Dhe kjo është shumë larg nga koha e artë e shkrimeve myslimane, si ai Sheik Nafzawi “The Perfumed Garden of Sensual Delight “, i cili trajtonte erotizmin dhe Kama Sutrën pa ndonjë problem.
Sot seksi është një paradoks i madh në shumë vende të botës arabe: dikush sillet sikur ai nuk ekziston dhe prapë ai vendos për çdo gjë të pafolur. I mohuar, ai peshon në mendje me fshehjen e vet. Megjithëse gratë janë të mbuluara, ato janë në qendër të lidhjeve, shkëmbimeve dhe shqetësimeve.
Gratë janë temë e bisedës në diskutimin e përditshëm për shkak të aksioneve që personifikojnë – për burrërinë, nderin, vlerat e familjes – pra janë të qendër.
Në disa vende ato (gratë) lejohen të kenë akses ne sferën publike, vetëm nëse heqin dorë nga trupat e tyre: T’i lësh ato të shkojnë të zbuluara do të thotë të zbulosh dëshirën që islamiku, konservator dhe i riu i papunë ndjen dhe do të mohojë. Gratë shihen si burim destabilizimi— fundet e shkurtra sjellin tërmete thonë disa — dhe respektohen vetëm nëse janë të përcaktuara nga një marrëdhënie pronësie, si gruaja e X apo vajza e filanit.
Këto kontradikta krijojnë tensione të papërballueshme.
Dëshira nuk ka vend; çifti nuk është më një hapësirë intimiteti, por një shqetësim i të gjithë grupit. Mjerimi seksual që vjen si rezultat mund të çojë në absurditet dhe histeri.
Këtu, po ashtu, askush nuk shpreson të provojë dashurinë, por mekanizmat e dashurisë— takimet, joshja, flirtimi- pengohen: Femrat shihen, ne jemi të fiksuar pas virgjërisë së tyre, patrullon një lloj morali policor. Disa madje paguajnë kirurgë për të qepur himenin e dëmtuar.
Terapistët e seksit janë pak në botën myslimane, e po pak dëgjohen. Kështu, de facto, islamikët kanë monopolin e të folurit mbi trupin, seksin dhe dashurinë. Me shout televizivë dhe internetin, disa prej fjalimeve të tyre kanë marrë forma monstruoze, duke u kthyer në një lloj porno-Islamizmi. Autoritetet fetare kanë marrë vendime groteske: të bësh dashuri lakuriq është e ndaluar; femrat nuk mund të prekin banane; një burrë mund të rrijë vetëm për vetëm me një femër, vetëm nëse ajo e ka ushqyer me gji, edhe pse nuk është e ëma.
Seksi është kudo.
Veçanërisht pas vdekjes.
Orgazmat pranohen vetëm pas martesës—dhe janë subjekt i diktateve fetare që dallojnë nga dëshira- ose pas vdekjes. Parajsa dhe virgjëreshat e saj janë temë e ndjeshme që tregojnë kënaqësitë e botës tjetër si shpërblim për ato që ia dalin mbanë në botën e mjerimit seksual.
Ndërsa ëndërrojnë për to- vetëvrasës me bombë i dorëzohen një logjike të tmerrshme surreale: Rruga për tek orgazma kalon nga vdekja, jo nga dashuria.
*(Autori i kësaj eseje është kolumnist në ‘Quotidien d’Oran’ dhe autor i romanit “The Meursault Investigation” e opinionist. Eseja e botuar në New York Times është përkthyer në anglisht nga John Cullen dhe në shqip për Pasqyrë.al nga Entela Hoxha)