Lindur në 1940 në Harlem, në një lojë kurioze të fatit, Al Pacino (Al Paçino) është pikërisht me origjinë siciliane. Vjen nga i njëjti vend të cilit në njëfarë mënyre ia detyron popullaritetin. Në fakt suksesi i tij ndërkombëtar në kuadrin e yjeve të Hollivudit të të gjitha kohërave ka të bëjë me interpretimin e shefit të mafias në kryeveprën e kinemasë, “Kumbari”, të Francis Ford Coppola-s. Vite më vonë, pasi ishte bërë tejet i famshëm, aktori thoshte se në rolin e Michael Corleone nuk ndjehej aspak vetvetja. Ndryshoi mendimin e tij vetëm përmes insistimit të Kopolës. Edhe emri i vërtetë i kësaj legjende autentike të Hollivudit denoncon fort rrënjët e tij italiane: emri zyrtar është i regjistruar si Alfredo James Pacino.
Fëmijëria e Alit u shënua nga tragjedi dhe nga vështirësi tipike të gjendjes së emigrantit. Babai i tij braktis familjen kur ai është ende në foshnjërinë e tij; i vogli mbetet vetëm me nënën e tij, të dy të humbur dhe të dobët. Janë gjyshërit ata që marrin përgjegjësinë për rritjen dhe edukimin e tij, me ‘kontributin’ jo të pakët të rrugës (rritet në lagjen jo shumë të qetë “South Bronx” – Bronksi Jugor). Disa herë në intervista, Al Pacino do të kujtojë vitet e hidhura të rinisë së tij, të shënuar nga vetmia dhe përjashtimi. Vite të tëra të jetuara pa miq dhe shokë, nëse nuk marrim parasysh njohjet e rastësishme që ndodhin në rrugë. Për të jetuar përshtatet me të gjitha llojet e punës, madje edhe më të përulurat. Kalimi nga një punë në një tjetër është një shakullinë e vërtetë zanatesh: nga fatorino në postier, nga punëtor transporti në lustrues këpucësh. Por nuk heq dorë nga aktrimi dhe teatri. Në “Herbert Berghof Studio” studion me një hyjni kujdestare të aktrimit, Charles Laughton. Gradualisht karriera e tij filloi të marrë formë dhe cilësi. Merr pjesë në shfaqje të ndryshme të “Living Theatre”, teatër lëvizës, dhe më në fund, në 1966, është i mirëpritur në “Actors Studio” (Sudioja e aktorëve).
Në 1969 Al Pacino bëri debutimin e tij në Broadway dhe xhiroi filmin e tij të parë, “Me, Natalie” (Unë, Natalia). Por roli i parë kryeor ishte në “Panic in Needle Park” (1971) të regjisorit Jerry Schatzberg, në të cilin ai luan një tregtar të vogël të drogës, duke ofruar provën e parë të dramës të atij aktrimi të ftohtë e nervoz, karakteristikë e të gjithë personazheve të tij të ardhshëm, nga polici antikonformist “Serpico” (1973) tek i infiltruari në qarqet perverse “Cruising” (1980), nga piloti neurotik “Një moment një jetë” (1977), tek mafiozi “Donnie Brasco” (1997). Ai thotë: “Kur suksesi më në fund erdhi, isha i hutuar. Unë nuk e dija se kush isha dhe kështu kam provuar me psikoanalizën, por vetëm për disa seanca. Puna ka qenë gjithmonë terapia ime.”
Në fakt pak është e njohur kjo periudhë e jetës së yllit, gjithmonë i përkushtuar duke kërkuar të mbrojë privatësinë e tij, asgjë nuk merr kush vesh për personin e tij. Ky qëndrim është justifikuar edhe nga fakti se Al Pacino e ka kërkuar gjithmonë për të përqëndruar vëmendjen publikut tek personazhet e luajtur prej tij më shumë se te vetja e tij. Duke krijuar një atmosferë misteri dhe “anonimiteti” në lidhje me emrin e tij është sikur të kishte ndihmuar për t’i bërë më të besueshëm personazhet, duke parandaluar që imazhi i tij ose personaliteti i tij t’i kundërpeshojnë ato. Është e njohur se megjithatë ka pasur lidhje më shumë ose më pak të gjata dhe më shumë ose më pak të rëndësishme me Jill Clayburgh, Marthe Keller, Diane Keaton dhe Penelope Ann Miller.
Pacino ka treguar se është aktor i shkëlqyer në komeditë si “Babë ju jeni një lumë votash” (1982) dhe “Frankie dhe Johnny” (1991) ose edhe në rolet groteske si gangster në Big Boy Caprice in Dick Tracy (1990), përkrah Madonës.
U kandidua për Oskar si aktor protagonist në “Serpico” (1973), “The Godfather – Part II” (1974), “Dog Day Afternoon (1975),” … “And Justice for All “(1979), “Scent of a Woman” (1992). Në 1993 ai fitoi Oskarin si aktori më i mirë për rolin e ish oficerit të verbër në “Scent of e Woman” (të regjisorit Martin Brest). Në të njëjtin vit u kandidua për rol jokryesor tek filmi “Americans” (1992).
I vitit 1996 është debutimi i tij si regjisor në “Richard III – A Man, A King” (në të cilin rezervon rolin e titullit), e drejtuar në një mënyrë shumë të veçantë. Bëhet fjalë në fakt për një përzierje të stileve të ndryshme, duke përfshirë gazetarinë e hetimit dhe trillimin. Midis 1985 dhe 1989 ai prodhon, interpretin dhe bashkëdrejton një film eksperimental “The Local Stigmatic”, të paraqitur në Muzeun e Artit Modern në New York dhe përshtatur nga një dramë nga Heathcote Williams, luajtur nga ai në Broadway më 1969 dhe përsëri më 1985 me kompaninë teatrore në Boston, të drejtuar nga David Wheeler.
E pashoqe mbetet shtëpia e tij e Sneedon Hudson’s mbi Hudson, ku jeton me pesë qentë, dhe Julie vajzën e tij, lindur nga një marrëdhënie me një mësuese aktrimti, identiteti i së cilës mbetet misterioz.
Filmografia
Disa nga filmat më të famshëm të Al Pacinos: The Godfather – Kumbara (1972) – Serpico (1973) – Cruising – Kryqëzimi (1980) – Scarface – Akrepi (1983) – Revolution (1985) – Sea of Love – Deti i Dashurisë (1989) – Dick Tracy (1990) – Frankie dhe Johnny (1991) – Shent of a Woman – Aroma e një gruaje (1992) – Carlito’s Way – Rruga e Karlitos (1993) – Sfida (1995) – Richard III, A Man, A King, Riçardi III, Një njeri, një mbret (1995) – Devil’s Advocate – Avokati i djallit (1997), Simone (2002), 88 Minutes (2007) Ocean’s Thirteen- Të Trembëdhjetët e Oqeanit (2007) e tjerë.
Disa nga vlerësimet: 1974: fitues, Golden Globe “, aktori më i mirë, Serpico; 1976: fitues, British Academy Awards, aktori më i mirë, The Godfather: Part II; 1976: fitues, British Academy Awards, aktori më i mirë, Dog Day Afternoon; 1991: fitues, American Comedy Award, rol jokryesor, Dick Tracy; 1993: fitues, Oskar, aktori më i mirë, 1993: fitues, Golden Globe “, aktori më i mirë, Scent of a Woman; 1994: fitues, Venecia Film Festival, Luani i Artë i karrierës; 1997: fitues, Bostonit Society of Film Critics Awards, aktori më i mirë, Donnie Brasco; 2001: fitues, Golden Globe, Cecil B. DeMille Award.