Abraham Linkolni vinte nga një familje e varfër. Ai u lind në Kenttucky (Kentaki) në 12 Shkurt të vitit 1809, në një kabinë druri me madhësinë e një dhome. I ati Tomas Linkoln ishte marangoz. E ëma i vdiq kur djali ishte 9 vjeç dhe e njerka, një grua e mirë, u kujdes për shkollimin e Abrahamit. Atë kohë familja ishte shpërngulur në Indiana. Ai ishte i dhënë pas leximit dhe për të marrë një libër hua bënte kilometra të tëra në këmbë. Meqënëse familja Linkoln nuk begatoi, ata u transferuan në Ilinoi. Atë kohë Abrahami ishte 21 vjeç dhe kishte filluar të hynte në jetën shoqerore e në debatet e kohës. Ai kishte forcë argumentuese. Me 1833 ai filloi të punonte si postjer në Nju Salem. Ai u bë i njohur në të gjithë zonën dhe një vit me vonë vuri kandidaturën për në dhomën e përfaqësusve të shtetit të tij. Fitorja në zgjedhje hapi rrugën e karrierës për Abraham Linkolnin e ri. Ai mbaroi studimet për drejtësi dhe në 1846 u zgjodh anëtar i Kongresit amerikan.
Kur çështja e skllavërisë u bë çështja më e rëndësishme e ditës, Abraham Linkolni u bashkua me partinë e re republikane të porsa formuar (1856) që ishte kundër skllavërisë. Në fillim të vitit 1860, në mbledhje e konferenca Abraham Linkolni mbronte pikëpamjen e mosndërhyrjes së shtetit federal aty ku skllavëria egzistonte, por nga ana tjetër kundërshtonte perhapjen e skllavërisë në shtetet që po lindin në territoret e reja amerikane. Fjalimet e tij e bindën popullin që ai ishte njeriu më i përshtatshëm për kandidat për president në Shtëpinë e Bardhë.
Pas zgjedhjes së tij si president, Karolina e jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si shtet me vete.
Në fjalën e tij të inagurimit, me një ton të butë, presidenti i ri tha se nuk do të ndërhynte në çështjen e skllavërisë, por bëri të qartë se” Unioni(SHBA) është i pandashëm”. Për Linkolnin shkëputja nga Shtetet e Bashkuara ishte një refuzim i demokracisë.
Ai tha midis të tjerash se “Burri dhe gruaja mund të ndahen, por vëndi jo.” Mesazhi ishte i qartë.
Njerëzit e kuptuan që vendin nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta
Lufta civile filloi në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet. Gjatë kësaj kohe presidenti përballoi vështirësi të shumta edhe brënda kabinetit të tij, madje pësoi edhe fatkeqësi familjare. Djali i tij 11 vjeçar, Uilli, vdiq në Shtëpinë e Bardhë dhe gruaja e tij gati u çmend nga dëshpërimi. Megjithë këtë fatkeqësi të madhe familjare, Abraham Linkolni qëndroi si një shtyllë e fortë për kombin.
Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e Emancipimit (çlirimit) të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte ende në fuqi.
Kthesa vendimtare e luftës u bë me betejën e Getisbërgut, qytet i vogël i Pensilvanisë, në korrik të atij viti. Qe një betejë e vështirë me humbje të mëdha.
Në 19 Nëntor 1863, presidenti Linkoln mbajti fjalimin e famshëm që ka hyrë në historinë amerikane si fjalimi i Getisbërgut. Ai ishte shume i shkurter, por përmblidhte në vetvete esencën se përse ishte bërë lufta dhe përfundonte me fjalët se “gjaku i atyre që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vënd, me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë; dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.”
Fitorja e luftës erdhi me dorëzimin e gjeneralit Robert Lee në 9 Prill 1865.Lufta civile i kushtoi vendit 600 000 viktima.
Megjithëse zhdukja e skllavërisë erdhi si rezultat i luftës, lufta që bërë për të ruajtur bashkimin kombëtar. Fitorja e luftës konsolidoi idenë se vendi ishte i pandashëm.
Vëndi gëzonte dhe presidenti Linkoln po përgatitej për të festuar rikthimin e shteteve të jugut në Union. Pikërisht atëherë ndodhi e papritura.
Më 14 prill kur Presidenti me të shoqen shkuan në teatrin Ford, në Washington D.C., për të parë një shfaqje, një ekstremist proskllavërisë, i quajtur Xhon Buth (John Wilkes Booth) qëlloi me armë në drejtim të presidentit.I goditur në kokë, presidenti Linkoln vdiq ditën tjetër, në moshën 56 vjeçare.
Kuriozitet
Endërra e vdekjes
Abraham Linkolni ishte i pari presidenti i SHBA që vdiq nga atentati.Thuhet se presidenti Linkoln kishte parë një ëndërr që paralajmëronte e vdekjen e tij. Këtë ëndër ai ia pat rrëfyer edhe të shoqes. Kishte parë veten e tij duke u endur në Shtëpinë e Bardhë në mes të një heshtje ndjellakeqe. Në një nga dhomat papritur pa një katafalg dhe njerëz përreth që qanin dhe ushtarë në drejtqëndrim.
Ai kishte pyetur: “Kush ka vdekur në Shtëpinë e Bardhë?
Përgjigja kishte qenë: “Presidenti.”
Pas kësaj ëndrre Abraham Linkolni nuk kishte mundur të flinte më.
(Marre me shkurtime nga libri “Udhetim ne historine e Amerikes”, bot. 2003, 2006 dhe 2010( ne Prishtine).