Këtë vit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin do të fokusohet në fatin e refugjatëve dhe nuk është hera e parë që ky eveniment eksploron tema aktuale. Ofrimi i një platforme për reflektimet sociale e politike është një traditë me rrënjë të thella i këtij festivali. “Në bazë i përket AND-së së ‘Berlinales’”, ka thënë shpeshherë drejtori i këtij festivali, Dieter Kosslick. Kur “Berlinale” ishte themeluar para 66 vjetësh, gjithashtu ka pasur miliona gjermanë që kërkonin azil ose ishin të traumatizuar nga dëbimi nëpër gjithë Evropën, shkruan sot Koha Ditore.
Festivali i filmit prej atëherë i ka dhënë vetes detyrë të promovojë tolerancën dhe mirëkuptimin midis kulturave. Në krahasim me festivalet tjera evropiane, “Berlinale” gjithmonë ka qenë një festival politik, në një pikë që nganjëherë është akuzuar që është fokusuar më shumë në gjendjen sociale të filmit sesa në aspektet cilësore. Mund të ketë diçka të vërtetë në këtë. Fituesit e trofeve “Ariu i artë” dhe “Ariu i argjendtë” këto vitet e fundit shpeshherë mund të kenë qenë më të rëndësishëm politikisht sesa që kanë qenë inovativë artistikisht.
“Berlinale” gjithmonë është mburrur me diversitet në programin e vet. Përtej konkurrencës, seksionet e ndryshme të festivalit për çdo vit shfaqin dokumentarë, filma politikë dhe filma të gjatë që trajtojnë tema sociale. Grupet e margjinalizuara të shoqërisë po ashtu kanë marrë fjalën në këtë ngjarje, sidomos nëpërmjet filmave që shpalosin brengat dhe vështirësitë e tyre – dhe shumica prej tyre gjithashtu fokusohen te refugjatët.
Prej kur është bërë drejtor i festivalit më 2001, Dieter Kosslick, ka thënë se “momenti kur utopia e realitetit dhe kinemasë u përplas më tepër, ishte viti 2003”. Atë vit, juria është udhëhequr nga Atom Egoyan, një regjisor kanadez me origjinë armeniane, dhe “Ariun e artë” e mori filmi “In this World” i Michael Winterbottom. Filmi fliste për tre afganë që iknin nga vendi i tyre i shkatërruar nga lufta. “Në kohën e njëjtë, rreth 400 mijë njerëz kishin demonstruar kundër pushtimit të Irakut përreth ‘Potsdamer Platz’. Atë ditë, ‘Berlinale’ ishte në kuptimin e plotë të fjalës ‘në këtë botë’”, kujton Kosslick.
Disa fitues të “Berlinales” reflektojnë këtë dialog mes filmave e realitetit, kulturës dhe politikës. Më 2006, “Ariun e artë” e mori “Grbavica”, një dramë boshnjake për traumat e luftës në Sarajevë. Vitin e kaluar, çmimi shkoi për filmin “Taxi” në të cilin Jafar Panahi kishte xhiruar fshehurazi, pasi që i ishte ndaluar puna si filmbërës në Iran. “Nuk është vetëm një punë e guximshme”, ka thënë Kosslick, “por një punë që shpreh të drejtën për liri dhe shprehje në një mënyrë të mrekullueshme artistike”.
Motoja e sivjetme, “e drejta për lumturi” që përfshin të gjitha të drejtat fondamentale, mund të jetë aplikuar edhe në programet e mëparshme, por këtë vit kjo është formësuar nga arritja e 79.034 refugjatëve në Berlin, që është shkaku pse festivali gjithashtu ka dashur të participojë në kulturën mirëseardhëse të qytetit. Janë planifikuar iniciativa të ndryshme: do të mblidhen donacione për refugjatët të cilët po ashtu do të kenë trajtim ndryshe sa i përket qasjes përderisa do organizohen edhe evenimente enkas për ta. Një nismë e refugjatëve të Berlinit gjithashtu do të shpalosë kulturën e kuzhinës së tyre.
Bashkë me yjet në tapetin e kuq, refugjatët do të mbeten në fokus të festivalit, gjatë ditëve të ardhshme. Se kultura dhe politika do të takohen në kinematë e Berlinit – është thjesht në AND-në e “Berlinales”.