Ermal Meta këndon sot në Sanrmeo/ Intervista: S’ka asnjë përrallë.Çdo sukses, i njomur me djersën time

Djali i talentuar nga Fieri, Ermal Meta sot do të ketë sfidën e tij në skenën e festivalit më të rëndësishëm të muzikës italiane, Sanremo. Në këtë intervistë të posaçme për Pasqyre.al, Ermali tregon më shumë rreth këtij rrugëtimi, ku thotë se çdo sukses ka qenë vetëm falë punës. Përgjigjet e tij, vetëm pak orë para se të ngjitet në skenën e Sanremos me këngën “Oddio le Favole”, japin një panoramë më të qartë të këtij djali të talentuar, i cili ka punuar me emra të mëdhenj të muzikës italiane, për të cilët nuk gjen fabula interesante për të rrëfyer, përveç asaj çka është profesionale. Pasqyre.al i uron më të mirën Ermalit, një tjetër artisti  që me talentin e tij, tashmë i përket botës.

Ermal prej sa kohësh jeton në Itali?

Kam 22 vjet që jetoj në Itali. 20 vjet ne Bari dhe dy të fundit në Milano.

Si nisi karriera jote muzikore në tregun italian?

Karriera filloi me grupin që formova në vitin 2007, La fame di Camilla. Publikuam 3 albume me Universal dhe më vonë fillova të kompozoja këngë për këngëtarë italian.

Cili ishte personi i parë që të ndihmoi?

Familja ime. Më kanë mbështetur gjithmonë në çdo hap dhe vështirësi.

A e ke provuar të bësh apo të shesësh muzikën tënde në Shqipëri?

Jo nuk e kam provuar kurrë, nuk e di përse. Mbase momenti i duhur nuk kishte arritur akoma.


Si arrite deri në Sanremo?

Me punë shumë të zellshme dhe me këmbëngulje të madhe. U njoha me shtëpinë diskografike Mescal, me histori të lavdishme këtu në Itali dhe ata më propozuan të provonim rrugën e Festivalit.

Ke pasur disa bashkëpunime të rëndësishme  me emra të njohur në Itali, si  Marko Mengoni, Emma, Chiara, Analisa e Patty Pravo. Sa e vështirë është të krijosh pikërisht atë që do një këngëtar me specifikat e tij
?

Unë nuk krijoj me specifikat e tyre. Përkundrazi ata këndojnë specifikat e mia. Arti është art. Nuk mund të bëhen kërkesa.

Kënga jote në Sanremo titullohet Oddio le Favole, a i urren vërtetë përrallat?

Përrallat nuk më pëlqejnë shumë. Mendoj se realiteti dhe jeta janë shumë herë më interesante dhe me shumë fantazi.


E quan një farë përralle edhe këtë rrugëtim tëndin të deritanishëm?

Jo aspak. Çfarë kam bërë deri tani është e njomur me djersën time. Asnjë përrallë.

A ke në plan një këngë në gjuhën shqipe?

Kam bërë disa këngë në shqip, por kam publikuar vetëm një. Mbase më tej do të kompozoj edhe në shqip. Nuk e parashikoj dot.


Në Itali kanë provuar edhe këngëtarë si Elsa Lila apo Elhaida Dani, por nuk ia kabë dalë të kenë suksesin tënd. Si e sheh këtë pjesë, ka një arsye?

Çdo sukses ka arsyen e vet. Unë njoh vetëm arsyet e mia. Mbase ato nuk kanë qëndruar shumë në Itali.Unë kam 22 vjet këtu. Mbase varet nga kjo. Elsa dhe Elhaida kanë talent të madh.

Cilin këngëtar italian do të konsideroje si mik apo mentor në karrierën tënde?

Miq janë të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar, por mentor të karrierës nuk kam. Vetem disiplina dhe përkushtimi total në muzikë.

(J. Hitoveizi/ Pasqyre.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *