Alisa Velaj
At vjeshte në kodër ku drita sapo ka puthur qiejt.
Përmbi pemë plot gjethe të përflakura dhe trungje të kuqërremtë.
At vjeshte si premtim i një libri të shkruar për çdo stinë.
I lartë si palme, si pemë e degë e zjarrmuar dëshire për një dëshmi përtëritje.
At vjeshte, at vjeshte, at vjeshte në një vegim lirie.
BIR VJESHTE
Bir vjeshte i ngjizur si drita mbi dhera.
Dhe i mardhur prej dimërime mendimesh.
Sërish të kuqërremta, sërish të mjegullta, sërish të etshme.
Je bir, bir, bir i një kohe ku dita pjalmohet në dëshminë e një vargu të shkruar prej fillimi.
Pa cak, pa zanafillë je bir në melodinë e një zëri të mekur.
BIJË VJESHTË
E mekët pamja e botës ku përditë shtrin dy duar drejt horizontit.
Kujtesës së përmalluar zogu i vjeshtës çukit farëza trishtimesh.
Është shtëpi ajo atje tej, është shtëpi.
Shpërthyer prej humusit të gjetheve të tjetërsuara.
Prej harrimi jo përherë mbin vetmi.
VJESHTË E PAVJESHTUAR
(Në vend të dëshmisë)
Ti s’mund të vjeshtoheshe der në fund grua vjeshte.
As ti, as toka jote, as tokë e tjetërkujt në udhë e sipër…
Dritëza nëpêr hapat e tij nëpër shtegtime vetmish.
Dritëza e jehona prej një vjeshte jo të vjeshtuar.
Qe ankth dhe diell në ardhje prej dritës së vogël hapave të atit.
Atit të padimëruar të një birthi drite.
Aty në frymëmarrjen mes kodrës e reve.