Kërkova shumë; m’u dha shumë.
Kërkova shumë; m’u dha pak, s’m’u dha
thuajse gjë.
E mes tyre? Pak çadra të hapura përjashta.
Një palë këpucë pa dashje mbi tryezën e kuzhinës.
E pandreqshme, sa e pandreqshme – e tillë isha unë. Isha
zemërgur, e akullt. Desha veç
veten, e ngurtë deri në pikën e shtypjes.
Ama kam qenë gjithmonë kështu, madje edhe në fëmijërinë e hershme.
Vocërrake, flokëzezë, u druhesha fëmijëve të tjerë.
Nuk ndryshova kurrë. Thellë gotës, rryma
e paprekshme e fatit ulej
e ngrihej brenda natës.
Për shkak të detit? Që ndiqte, ndofta,
shtysën qiellore? Që të shpëtoja,
unë u luta. U përpoqa të jem njeri më i mirë.
Shpejt mora vesh se ç’nisi si llahtari
dhe hodhi shtat si vetëkënaqësi morale
mund të kishte qenë në të vërtetë
rritje njerëzore e mirëfilltë. Ndofta
për këtë e kishin fjalën miqtë e mi, tek më merrnin dorën,
duke më thënë se e kuptonin
keqpërdorimin, mutin e pamat me të cilin bëra ujdi,
duke nënkuptuar (kështu mendoja asokohe) se nuk isha dhe aq në rregull
që jepja aq shumë dhe shpërblehesha me aq pak.
Ndërsa mendonin se isha njeri i mirë (duke ma shtrënguar dorën fuqishëm) –
mikeshë e mirë dhe njeri gjithaq, assesi krijesë e zjarrtë.
Nuk isha e zjarrtë! Dukesha sheshit
si një mbretëreshë a një shenjtore.
Po mirë, se gjithë këto shkonin në dobi hamendësimesh që ia vlenin.
Dhe më bën të mendoj se rëndësi ka besimi
në përpjekjen vetjake, besimi se thjesht të rrekesh nxit vullnetin e duhur,
të mirë e të panjollosur fare nga hovi fillestar dhe prishës
për ta bindur apo joshur tjetrin –
Ç’do të ishim pa këtë të fundit?
Vetmitarë, frikacë, të paaftë për të ndikuar fatin
në vorbullën e gjithësisë së errët –
Në të vërtetë, çfarë kemi në dorë?
Dredhira të trishta me shkallë dhe këpucë,
dredhira me kripë, orvatje të vazhdueshme,
aspak të dëlira, për skalitjen e karakterit.
Çfarë kemi në dorë që t’i qetësojmë fuqitë mbizotëruese?
Dhe mendoj se tek e fundit kjo qe arsyeja
që shkatërroi Agamemnonin, atje në ranishtë,
me anijet greke në gatishmëri, detin
e padukshëm përtej skelës së paqtë, të ardhmen
që paralajmëronte vdekje, të paqëndrueshme: budallai, mendonte
se mund ta kishte nën zgjedhë. Duhet t’i kishte thënë
s’kam gjë në dorë, jam në mëshirën tënde.