Solistja e Teatrit të Operas dhe Baletit, Shpresa Beka ka denoncuar në emisionin “Ditë e Re” heqjen e saj nga TKOB. Sipas solistes heqja e saj nga TKOB është bërë me të padrejtë. Ajo thotë se nuk i është komunikuar arsyeja e heqjes dhe se drejtoreshat e teatrit kanë abuzuar me atë.
Beka thotë se do ta çojë çështjen në gjyq.
“Dua të bëj një denoncim për një padrejtësi që më është bërë si punonjëse e këtij institucioni (TKOB) prej kaq shumë vitesh. Drejtoreshat kanë marrë vendimin për heqjen time nga teatri të vetme, pa një komision.
Nuk më është komunikuar absolutisht asgjë. Madje ka reaguar dhe sindikata e artistëve, sepse unë iu drejtova atyre. E paraqita shqetësimin tim tek ata. Kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Ata i kanë kërkuar shpjegim 2 drejtoreshave dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Janë bërë diferencime.
Është ndaluar karriera ime, nuk më lënë të këndoj, nuk më lënë të dal në skenë. Përdorin manovra nga më të ulëta.
E turpshme ta mendosh, si mund të ndodhin këto te njerëzit e artit, si mund t’ia bësh një artisti. Drejtoreshat abuzojnë. Është një abuzim i pastër. Nuk më është dhënë asnjëherë ajo që meritoj. Të drejtat e mia po shkelen. Nuk e di arsyen e heqjes time nga puna. Nuk kam marrë përgjigje. Nuk e mendoja kurrë që nuk do isha pjesëmarrëse e një Gala-je? Unë do ta çoj çështjen në gjyq“, shprehet solistja.