Shkolla nisi. A mund të kemi dhe ne një Marine LouAnne?

Jonida Hitoveizi 
Mëngjesi sot, veç trafikut të ofronte pamjen e dhjetëra adoleshentëve, të cilët po nisin vitin mësimor. Shumë syresh pa çanta, a libra ndër duar. Fatkeqësisht, sot, tableta inteligjente, mjafton. Pamjet e disa djemve adoleshentë, veshur shkujdesur dhe me gjithë zemërimin dhe fuqinë e rreme që të japin hormonet e kësaj faze, më sollën në mendje imazhet e “Dangerous Minds”, një film i cili e tregon sesi një mësuese, një grua e vetme ndryshon një brez të tërë. E gjendur në një nga shkollat më të dobëta, me adoleshentë me prejardhje latine dhe afro-amerikanë, të përfshirë në gjithçka përveçse në dije, Marine bën atë që pak mësues munden. Apo më mirë duan. Nga analfabetë funksionalë, LouAnne, arrin t’i motivoj nxënësit e saj deri në diplomim, madje shumë prej tyre vijuan studimet e larta. Gjë që në shkollën Carlmont High School në Belmont, California, ishte e pazakontë. Drejtuesit e shkollës, le të themi ua kishin varur këtyre fëmijëve që vinin nga shtresa të varfëra, të margjinalizuara dhe lagjet “gangsta” me ngjyrë. Megjithatë mjaftoi një grua e vetme, një mësuese e vetme, e bardhë dhe e brishtë, por me një forcë deh dashuri të paimagjinueshme që të punojë intensivisht me këta fëmijë dhe t’i përgatitë ata për një jetë më të mirë se rruga.
Unë do doja që mësuesit në shkollat tona, shpesh të lodhur dhe ata nga jeta e përditshme, të ngrihen në një nivel përtej marrjes së rrogës, sepse besoj vërtetë se ata nuk janë thjesht punonjës, por misionarë. Dhe misioni i tyre është më fisniku. Ata munden të ndikojnë përtej familjes tek të rinjtë. Ata munden t’u ngulitin në kokë ide përparimtare, t’i motivojnë dhe t’u tregojnë më mirë rëndësinë e dijes. Ata e kanë atë autoritet edhe kur në klasa mundet të ketë skena si ato tek “Dangerous Mind”.
Unë dëgjoj shumë mësues që ankohen sesi ky brez është i paedukatë, sesi nuk dëgjojnë dhe sesi ua plasin në fytyrë “ok, ti do mbetesh një injorant dhe unë po iki në shtëpi”. Dhe sesi shumë syresh thonë “të marrim atë rrogën e të ikim në shtëpi se s’do i ndryshoj unë”. Sinqërisht kjo është ligësi. Një ligësi që ia bën shoqërisë në tërësi.
Do doja që filmi “Dangerous Minds” të futej në gjimnaze dhe të shihej nga të gjithë adoleshentët. Jam e sigurt se historia e vërtetë e Marine LouAnne Johnson, luajtur nga Michelle Pfeiffer do t’i frymëzojë dhe do t’i bëj të mendojë edhe adoleshentët më problematikë. Jam e sigurtë se do mundet të zgjojë edhe ndjenjën e humbur tek disa mësues. Unë besoj se nuk ka fëmijë të këqinj. Madje ata më problematikët janë më të brishtët, sepse nuk dinë sesi t’i menaxhojnë ndjenjat e tyre.
Një pjesë nga dialogu në filmin “Dangerous Minds”
Çfarë çmimi do të fitojmë nëse dimë këtë poem?
Të mësuarit. Të dish si ta lexosh diçka dhe ta kuptosh, është çmimi. Të dish si të mendosh është çmimi.
Unë di të vrapoj..
Po ti di të vraposh, por jo si të vraposh nëse nuk stërvitesh. Mendja është si një muskul. Dhe nëse doni të jeni vërtetë të fuqishëm duhet të punoni me të. Çdo fakt i ri, ju jep juve një zgjidhje të re. Çdo ide e re, ndërton një muskul të ri. Dhe janë këta muskuj që do t’ju bëjnë juve vërtetë të fortë. Ata janë armët tuaja. Në këtë botë të pasigurt, Unë dua t’ju armatos.
Mendja është një muskul. Ju lutem, mësojani të rinjve si ta trajnojnë atë! Vit të mbarë nxënës e mësues!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *