MITRUSH KUTELI –
Kini mëshirë!
Kini mëshirë se jam i pasur me halle shumë!
Kam një depo me manufakturë, një me këpucë, një me sende ushqimi – kafe, sheqer, oriz…
Pra jam faktor pozitiv i jetës shoqërore. Sepse unë vesh, mbath dhe ushqej botën. Kuptohet, me para! Fitimi që kërkoj është i vogël: 1000 deri më 5000 për qind. E ç’janë 5000 për qind kur mund të hap gojën e të kërkoj më shumë? Kush do më ndalonte? A s’është malli im? A s’e kam sjellë me dirsën e ballit nga Italija me lejë të veçantë si favor politik se kisha devizë të zezë edhe shpirt të një ngjyre me devizën?
Kam edhe disa ndërtesa në Durrës e në Tiranë, po jo gjë e madhe. Vetëm midis 2 edhe 5 kate. Pa fjalë se kam edhe mall në Itali, po qiratë janë të ulta.
Napolonat që kam s’mund t’i përdor, se shpresoj të ngrihet kursi. I le atje ku janë, për të tjera vakte më të mirë. Se s’jam i çmëndur të përdor florinë për të ngrënë e për të pirë. Sepse për të ngrënë e për të pirë përdor fitimet e fitimeve të fitimeve nga fitimet e shkallës së e njëzet e pesë.
E pse ra fjala për të ngrënë e për të pirë, jam fort keq, i mjeri unë. Kam një depo me mjell të bardhë, makarona të bardha (si i ka hije shpirtit të zi!) po kjo depoja e ime po mbarohet. Më 1948 s’do kem asgjë përveç verës edhe konjakut që i kam boll deri të fillojë lufta e tretë e përbotëshme.
Ishallah! Ishallah! Se do kem mënt për të fituar, jo si tani.
A mos pandehni se është lumtëri e madhe për mua të jem i pasur? Kësaj vere nuk vajta dot as në Riviera, as në Venetik, as në plazhin e Nice-s. Mbeta si mos më keq në këtë vend të lig, ku s’ka jetë prej njeriu. Automobilat më mbetnë të pa përdorura edhe askush s’ka që të adhurojë unazat e mia me xhevairë sa një sy. maçoku. Ha e pi e fli – po a mos kësaj i thonë jetë?
Dhe fatkeqësija më e madhe as puna s’po më vete. S’gjej, mall të ri për të blerë e për të shitur. U mbyll bota! Është e vërtetë se çmimi i mallit të vjetër më madhohet dita me ditën, po kësaj nuk i thonë punë! Unë dua të fitoj me koshe, jo si tani. Pa kam merak mos më vjedhin mallin…
Si e shihni: me do e mos duhet të kini mëshirë për mua të mjerin se jam i pasur!
Më i lumtur është ay që s’ka. Ay s’jep as tatime, si mua, e as të tjera. Fle i qetë, aqë më fort se është bark-bosh e afif.
Kini mëshirë, kini mëshirë, kini mëshirë…