Erosi zë një vend jo aq sasior, sa cilësor në poezinë e Esad Mekulit. Lirika erotike, ndonëse jo e dendur në numër poezish, është një nga shfaqjet më mrekullore të krijimtarisë së tij. Përmendim lirikat “Andrra e vajzës”, “Malli për të pambërrijtshëmen”, “Dashnia ime”, “Kangë intime”, “ Në mëngjes” etj.
Erosi është njëherësh thelb ekzistencial dhe përmasë kozmike, pa të cilin asgjë nuk shndërrohet dot në plotni. Në të dyja rastet erotikja i ngjiz e përtërin shpirtin tokësor dhe shpirtin kozmik. Ky i dyti lind në trajta të llojllojshme, pasi përtëritja vetjake kapërcen kufijtë e çdo universi të rrokshëm në perceptim. Malli për të pambërrijshmen transformohet gjithashtu në një formë dashurore, për atë që kurrë s’e pate, por në një mënyrë a një tjetër pate iluzionin se dikur e diku ishte në gjendje ta zotëroje një grimëkohë. Erosi kozmik vjen si zotërim idesh, ndërsa ai tokësor si ide dhe ndjenjë e thellë zotërimi dhe vetëpushtimi, tejet ëmbëlak e epshndjellës.
Po t’u referohemi literaturave që trajtojnë mitet e lashtësisë, Erosi, perëndi e dashurisë, na shfaqet në petkun e tij, si një forcë themelore kozmike, […] një bashkëshoqërim që është konfirmuar nga lidhjet e tij me zjarrin, erën dhe jetën e bimëve. Të njëjtin pulsim e ndiejmë edhe në lirikën e tejdukshme të Esad Mekulit. Në poezinë “Andrra e vajzës” erosi është zjarr që shfaqet mes një dualiteti kundërthënës; shushurimë e pakuptueshme, e beftë që trand botërat dhe burim drite për shpirtin tokësor, ku nuk janë sytë e të dashurit që marrin jetë nga zjarri kozmik, por yjet e qiellit që reflektojnë dritën e syve të dashurisë.
“Shushuritja e leht’ e t’panjohtunit më treti fare
dhe agime t’kaltërta andrrova…
Shkëlqyen yjet e qiellit si sytë e tijë
të thellë e të ndritshm
dhe u shafit nën të e kërthnezta fuqi…”
Përmasa kozmike ngjizet kështu në marrëdhënien e erosit me zjarrin, ndërkohë përmasa tokësore (shushurima) vjen e njëjtë me zgjimin e beftë të femërores që paraqet narracioni lirik deradian. Në këngën e parë të “Këngëve të Milosaos” shpërthimi i ndjenjave rrok më së pari anën erotike, zjarrminë e ashtit të etur për bashkim shpirtëror e fizik.
“Një hare më rrodhi kurmit
si hareja kur te shtrati
mbrëmanet, vajza e ngrohtë
ndjen për të parëzën
sisët që m’i fryhen”
Si De Rada para dy shekujsh, si Mekuli në vitet tridhjetë, na vijnë si psikologë të hollë të zgjimit të femërores nën pushtetin e erosit. Ndërsa poeti kosovar e jep këtë zgjim në një plan shpirtëror që i paraprin përndezjes së fantazisë erotike (“më treti fare”), poeti arbëresh nxjerr erosin, fiziken, zjarrminë në plan të parë (“sisët që m’i fryhen’), duke i krijuar lexuesit dëshirën e fortë fizike, pasojë e një ndjenje të thellë shpirtërore.
Përmasa kozmike e erosit në ndërthurje me erën dhe botën bimore, vjen në lirikën “Në mëngjes”, ku bari i fushave si një trup i tërë gjelbërosh, nën ledhatimin e puhizës mëngjesore, ashtu nën dallgë bari, i përngjet trupit të femrës në ekstazën dashurore. Natyra shfaqet si grua. Ajo dallgëzon si grua, gufon si grua, e mbi të gjitha përtërihet si grua.
“Fushat erënjoma shtrihen
si trup’i gufuem femne.”
Dashuria në kërkim të dy gjysmave
Erosi si thelb ekzistencial, ku dashuria vjen në formën e dy gjysmave, që enden në kërkim të njëra-tjetrës (njësoj sikurse eudaimonia plutoniane), e gjen shprehjen e vet në lirikën “Kangë intime”. Në këtë lirikë dashuria është alfa dhe omega e jetës njerëzore.
“pranë teje
jeta m’u ba
dy herë ma e bukur
se vetëm së bashku
me grue
njeriu
bahet- njeri”.
Pa dashuri kemi njeriun që i duket se është njeri, një mendim krejt iluziv, pasi ai bëhet njeri vetëm kur gjysmat bashkohen. Më parë se erosi të shkrijë në një të vetme dy qenie, i bie që të jemi frymëtarë, por jo njerëz. Poezia “Këngë intime” është në thelb elegji për Evën e domosdoshme të çdo mashkulli. Gruaja shfaqet si prani e munguar, apo akoma më tepër mungesë pranie, mospërmbushje dhe për pasojë, mosplotni e liri e cunguar.
Në kontekstin e riteve të varrimit, Erosi përfaqëson parimin e jetës dhe shtrirjen e pushtetit të tij mbi të gjitha fushat e natyrës së përmendura më lart, që paraqesin një zhvillim të atributeve të tij origjinale. Ky superioritet ekzistencial i erosit që vjen si bartje e parimit të jetës frymon në vargjet e poezisë “Dashnia ime”. Kjo poezi, e ndërtuar mes kontrastit të fortë vyshkje/përtëritje, pranëvendos dy realietete të përkundërta; pikëllimin dhe mosvazhdimësinë e një botë të brakrisur prej zjarrit erotik dhe ngjizjen e pandërprerë që vjen prej hirit jetëdhënës të Erosit.
“Dashni e ime,
e mjera dashni,
t’kam ndry,
thellë,
në zemër,
që kurrkush t’mos i shohë vuejtjet tona
dhe çdo natë
ndërsa jashtë gjinkallat këndojnë,
të përkëdhel,
të mbaj në gji.”
Kënga e gjinkallës dritë
Mes dy realiteteve hyn më mes kënga e gjinkallës, si lajm i bardhë prej perëndisë së dashurisë. Nuk ka dyshim që gjinkallat janë të dashuruara me diellin dhe ngrohjen, pasi sa më i fortë të jetë dielli, aq më e fortë është kënga e gjinkallës që mbush ajrin. Kjo lidhje diellore është e denjë për vëmendjen tonë, pasi dielli është simbol i shprehjes sonë të jashtme, ndriçimit, gëzimit, hijes që lëshojmë. Ndaj kur të na vijë në mendje gjinkalla, është koha për të menduar diellin.
Në poezinë “Dashnia ime” shohim një përmbysje të rendit kohor. Heroi lirik ndodhet në rrethana jo shpresëdhënëse, në atë që fati i ka dërguar dashurisë së tij, mirëpo shohim se kënga e gjinkallës vjen në mesnatë, kur dielli ka perënduar. Pra, dita tokësore, me perëndinë e dashurisë larg dhe të dashurën si pamundësi, i shdërrohet në një këngë qiellore, me anë të këngës së gjinkallës. Ajo “çdo natë” kur ai shtrëngon të dashurën e tij është natë veç në perceptimin e atyre që nuk e njohin perëndinë e dashurisë. Për heroin e shenjtëruar me këtë zjarr, kjo natë është kohë mbrothësie. Është natë e dielltë. Nata kthehet në kullën e fildishtë të të dashuruarve, larg rëndomësisë tokësore, ndërsa kënga e gjinkallës sjell ndër ta dritë e zjarr erotik.
Përmasa kozmike arrin esencën e saj absolute në poezinë “Malli për të pambërrijtshëmen”. Kjo lirikë, nga më të bukurat që mund të jenë shkruar ndonjëherë në letërsinë shqipe, rrok njeriun në odisenë e tij të parreshtur për t’iu kthyer përgjigje gjithë enigmave që mundojnë mendjen e tij. Qenia vdektare ndjen mall për gjëra të pajetuara, apo të jetuara diku në një pambërrijtshmëri që dikur ka qenë e mbërrijshme, ndoshta në një tjetër dimension, para se qenia e vetme koshiente të mbërrinte në formën e vet trupore.
“Retë luejnë n’naltësi, si qingjat n’kodrina,
Ndërsa malli për të pambërrijtshëmen ndryhet n’mue:
dëshirojsha mu kapë n’vallen e reve kuqlue
E me fluturue në t’shkëlqyshmet naltësina
Me gëzimin e kangës baritore…”
Vetëm reminishenca platoniane, sipas së cilës shpirti ekziston në botën e ideve, para se të futet në trupin e njeriut, na justifikon këtë mall për të pambërrijtshmen. Ku i dihet, mbase Mekuli ynë ka qenë një herë në botën e ideve, para se t’i falej nga i madhi Zot atdheut të shqipeve. Dhe pastaj ka zbritur në trojet tona ëndërrbardha, gjithë diell e dashuri, për të na lënë trashëgimi këto lirika kaq sensuale.