Dita që ndryshoi Amerikën njëherë e përgjithmonë

Albana M.Lifschin
Në mëngjesin e 11 Shtatorit 2001, Qëndra Tregëtare Botërore (WTC) për ndërtimin e së cilës u deshën 11 vjet u shkatërua vetëm brenda 90 minutash. Në orën 8.45 avioni i parë i linjës ajrore
amerikane, i grabitur dhe drejtuar nga terroristët islamikë goditi kullën e veriut . Fillimisht njerzit të shokuar menduan që ajo që ndodhi ishte një aksident i tmerrshëm. Vetëm 18 minuta më pas, avioni i dytë goditi kullën e jugut. E gjithë bota pa me habi e tmerr flakën që përfshiu të dy kullat më të larta të Nju Jorkut. Pa njerëzit që hidheshin nga dritaret për t’i shpëtuar djegies për së gjalli. Bashkë me trupat binin poshtë xhamat e shkërmoqur, copëza metali, pluhur.
Këto ishin skena që do të jetonin në memorjen e njujorkasve për gjithë jetën. Mijra njerëz u varrosën përsë gjalli nën gërmadha.
Ata që mbijetuan si në një ëndërr të keqe përpiqeshin të largoheshin me vrap nga ajo skenë e pabesueshme. Tmerronjës ishte mendimi se përplasjet e avioneve tek kullat nuk ishte aksident.
Amerika mbylli menjëherë aeroportet e saj. Ishte hera e parë në historinë e shtetit të ndodhte një hata e tillë. Urat, tunnelet, metrotë në Menhet’n (Manhattan) u mbyllën. Shumë njerëz u bllokuan në qytet deri sa të jepej një urdhër i dytë. Qytetit i humbi dielli midis reve të pluhurit të zi të vdekjes. Megjithatë mbi trashësinë e tij njerëzit shkruan mesazhet e shpresës: “Qëndrojmë të bashkuar”, ” Zoti e bekoftë Amerikën!”
Në mbrëmjen e 11 Shtatorit 2001, presidenti Xhorxh Bush i drejtohej kombit amerikan me këto fjalë:
“Sot, jeta jonë, liria jonë, u sulmua qëllimisht nga akte terroriste vdekjeprurëse. Mijra jetë njerëzish u zhdukën papritur. Imazhi i avionëve duke fluturuar në drejtim të kullave, ndërtesat në
flakë, rënia e tyre na mbushën me habi, dëshpërim dhe zemërim të madh. Këto akte terroriste të vrasjes në masë kishin për qëllim të trembin kombin tonë, të shkaktojnë kaos. Por ato dështuan. Sulmet terroriste mund të tundin themelet e godinave tona më të mëdha, por ato nuk mund të lëkundin themelet e Amerikës. Amerika u vu në shënjestër sepse ne jemi feneri më i ndritur i lirisë
dhe mundësive të hapura në botë”.
Udhëheqës nga vënde të ndryshme të botës sollën mesazhe solidariteti me popullin amerikan. Presidenti u betua se do të zbatonte drejtësinë ndaj atyre që sollën vdekjen e të pafajshmëve. Administrata shtetërore kishte bindjen se sulmet terroriste ishin organizuar nga Osama Bin Ladeni, një pasanik i Arabisë Saudite me banim në Afganistan. Rrjeti i tij terrorist ” Al Qaeda” kishte dorë edhe në tentativën e parë kundër Qëndrës Tregëtare Botërore në Manhattan në vitin 1993 si edhe bomardimin e ambasadave amerikane në Afrikë, në 1998. Në fjalën e tij në kongresin amerikan, në 20 shtator, presidenti Xhorxh Bush u betua të shkatërronte rrjetin botëror terrorist. Ai njoftoi ngritjen e kabinetit të ri të Sigurise së vendit. Qeveria amerikane punoi për të krijuar një koalicion në luftën kundër terrorizmit botëror. Në këtë koalicion u përfshinë Britania e Madhe, Franca , Gjermania dhe Pakistani. Sulmi mbi Afganistan për të shkatërruar rrjetin e Al Qaedës dhe qeverinë e Talibanit që e mbështeste atë, filloi në tetor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *