Kompania teatrore “Qendra Multimedia” në Prishtinë, që drejtohet nga dramaturgu i njohur Jeton Neziraj, në bashkëpunim me teatrin La MaMa të New York-ut, pritet të sjellin shfaqjen teatrale Balkan Bordello, e cila do të inskenohet në skenën kosovare në fillim të nëntorit, për të nisur me turne nëpër vende të rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, për të vazhduar më pas në teatrot amerikane.
Në lidhje me shfaqjen Balkan Bordello, Albanian Post ka realizuar një intervistë me drejtorin e “Qendrës Multimedia”, Jeton Neziraj, i cili ka treguar në hollësi për dramën e tij.
Si u ideua Balkan Bordello
Neziraj fillimisht tregon se Balkan Bordello bazën e saj e gjen në “trilogjinë ‘Oresteia’ të Eskilit”, dhe se si shfaqje ajo në vitin 2014 kishte qenë e “kominisionuar nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi dhe atje është inskenuar në vitin 2014, me titullin o.REST.es IN PEACE, një titull i komplikuar që mund ta lexoje në dy mënyra”.
Por megjithatë, Neziraj thotë se për shkak të vështirësisë së leximit të këtij titulli, “dhe me të drejtë”, ai thotë se drejtori i asokohe i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, propozoi t’i ndryshonin emërtimin.
“Kështu që, erdhëm deri te titulli “Bordel Ballkan”, shpjegon Jeton Neziraj.
“Për inskenimin në Prishtinë shtova edhe një skenë dhe bëra disa intervenime të vogla, duke përfshirë edhe disa shkurtime, sepse, në formën siç është e shkruar, drama është mjaft e gjatë – ndoshta për një shfaqje 3 orëshe”, thotë ai.
Neziraj tregon se tash, pas dy inskenimeve që kjo dramë ka pasur në Ballkan, ajo po inskenohet në Amerikë, përkatësisht nga teatri La MaMa në New York, që është edhe njëri ndër teatrot më të famshëm në botë.
“Regjinë e saj do ta bëjë Blerta Neziraj, kurse kasta e aktorëve përbëhet nga dhjetë aktorë nga Amerika, Kosova e Serbia”.
Kurse “Premiera është planifikuar me datë 3 nëntor në Prishtinë, e pasuar pastaj me një turne të shkurtër në qytetet tjera të Kosovës, në Tiranë dhe në Beograd. Ndërkohë që, në New York, shfaqja udhëton në fund të marsit të vitit që po vjen, e atje planifikojmë t’i kemi 10 shfaqje në teatrin La MaMa”, shpjegon drejtori i Qendrës Multimedia.
Titulli Balkan Bordello si pasqyrë e parë përmbajtësore e shfaqjes
“Drama është e vendosur në Ballkanin e viteve të 90-ta. Gjatë shkrimit, unë kam bërë përpjekje t’i ruaj disa elemente që e kanë shoqëruar atë periudhë, duke përfshi edhe atmosferën e luftës, turbo-folkun, ‘temperamentin’ e njerëzve dhe njëlloj ‘travestie’ të përgjithshme morale që ka shoqëruar atë epokë – por ka edhe shtresa kuptimore e referenca të tjera, më pak të dukshme, të cilat vetëm një ballkanas ndoshta mund t’i kapë e identifikoj”, shpjegon Neziraj.
Por, gjithsesi, shpjegon Neziraj, shtresa e parë kuptimore ose domethënëse është e përgjithshme, dhe ajo, thotë ai, kuptohet gjithkund njëjtë, dhe është në pajtim edhe me kontekste të tjera.
“Kështu që, ballkanasit e shohin Ballkanin në dramë, Amerikanët e shohin ndoshta kthimin e ushtarëve amerikan nga Afganistani, izraelitët ndoshta shohin një Agamemnon izraelit e kështu me radhë”.
Ç’duhet të dimë para se të shohim shfaqjen
Siç tregoi edhe në fillim Neziraj, shfaqja bazohet në trilogjinë Oresteia të tragjedianit grek, Eskilit.
“Si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. Por ethet dhe entuziazmi i fitoreve të palavdishme janë kafshë të gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë”.
“Bashk me Egjistin, një poet hipokrit, Klitemnestra dëshiron të nisë një jetë të re, pa frikë se do të dhunohet e poshtërohet nga burri. Por liria nuk mund të zë jetë në territoret ku dhuna ka qenë prezente për kaq kohë të gjatë. Tani, kur Agamemnoni nuk është më, rolin e tij prej dhunuesi e merr Klitemnestra – ajo bëhet Agamemnoni i munguar – dhe ajo që duhet të vuajë nga dhuna, shtypja e mosdurimi i saj është Elektra, e bija”, shpjegon Neziraj.
“Por çarku i dhunës nuk mund të mbyllet lehtë, se ‘çdo gjak i derdhur, ndjellë një gjak të ri’, siç këndohet në dramë. Prandaj, siç vrau të shoqin, Klitemnestra duhet të vritet, tash, nga i biri, Oresti, i cili nga Berlini ku po jetonte si refugjat, kthehet me të dashurin e tij koreograf, Piladin”.
Sipas këtij elaborimi të tragjedisë greke, të shtratit të kësaj drame të Eskilit, Neziraj konsideron se, me një humor të zi mund të “preket indi i temparamentit ballkanas, që gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerr në pah budallakun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes”.
Kjo, në fakt, në një ton tragjik, duket se ndërton analogjinë mes Balkan Bordello-s dhe tragjdisë eskiliane.
“Balkan Bordello” është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. Ajo na ballafaqon me luftën si maçineri të shkatërrimit e ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenies njerëzore”, thotë dramaturgu Neziraj.
Në faqen zyrtare të “Qendrës Multiamedia” në Prishtinë shkruan se Balkan Bordello shpërfaqë “brishtësinë e demokracisë brenda kornizës së tragjedisë Oresteia të Eskilit” dhe se shfaqja e thellohet “në tendencat e fundit të populizmit, nativizmit dhe nacionalizmit”.
Pyetur për këtë dimension të shfaqjes nga Albanian Post, ai thotë se “popullizmi, nativizmi e nacionalizmi mund të kenë shumë fytyra, por qëllimet i kanë të njëjta; manipulimin e njerëzve, elektrizimin dhe hipnotizimin e masave, për t’i kthyer pastaj në kafshë që duhet të urrejnë tjetrin, që duhet ta mosdurojnë tjetrin dhe që duhet ta shtypin të voglin, të pafuqishmin, tjetrin që është ‘ndryshe nga ne’”.
Ku qëndron autori Jeton Neziraj në raport me veprën e tij Balkan Bordello
Në fillim, Neziraj shpjegon se kjo dramë është dramë anti-luftë, dhe se nisur nga kjo premisë, rrjedhimisht edhe pozicioni i tij si autor.
“Megjithatë, unë nuk jam aktivist paqeje, e as i të drejtave të njeriut ose ngjajshëm – prandaj, përpiqem t’i qëndroj anash ‘propagandës’ e ‘pamfletizmit’ (së paku në rastin e kësaj drame, sepse kam shkruar edhe drama të tjera që propagandojnë qëllimisht ide të caktuara politike e sociale dhe që, po, janë ‘pamfletiste’ në esencën e tyre)”.
Neziraj tregon se përmes kësaj drame ai synon të paraqesë një botë miniaturë “dhe po, të parë nga dioptria ime”, por se ai nuk ia tregon publikut rrugën se “nga duhet t’ia mbajë ai!”.
“Publikun e lë ta përtypë atë ‘botë’ dhe ai vet të vendosë për pozicionimin e vet, nëse duhet të bashkëndjejë me viktimat në dramë (Kasandrën, Elektrën…), apo me dhunesit (Agamemnonin, Egjistin, Klitemnestrën…). Ky natyrisht është një pozicionim i reduktuar, sepse një dramë nuk mund të përceptohet në vetëm këto kategori”.
Neziraj, thotë se sigurisht se krijimi artistik ka kufijtë etik, por në këtë vepër teatri ato janë të pavërejtshme dhe se rezonojnë pa u hetuar.
“Në fund të fundit, të themi se e vetmja anë që shkrimtarit i lejohet ta mbajë, është ajo e viktimës, e të pafuqishmit, e të shtypurit… Ky është pozicioni i vetëm jo-kompromitues në teatër dhe besoj në krejt krijimtarinë artistike. Dhe i vetmi pozicion që i ka mbijetu kohës, tash e së paku mbi dy mijë vjet”, përfundon autori Neziraj.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka shkruar më shumë se 20 shfaqje që janë inskenuar dhe mbi 40 prodhime, të cilat janë interpretuar në Evropë dhe në ShBA.
Dramat e tij janë përkthyer dhe botuar në më shumë se pesëmbëdhjetë gjuhë, si: gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, polak, maqedonisht, sllovenisht, kroatisht, rumunisht, boshnjakisht, spanjisht, turqisht, bullgarisht, serbisht etj.
/Albanianpost.com