Nga Edon Qesari
Është një e dhënë e ditur në mbarë opinionin publik se tekstet shkollore në Shqipëri, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me shkencat humane dhe/apo sociale, janë të hartuara shpesh nga njerëz kryesisht të paaftë, të cilët nuk i kursejnë gomarllëqet me okë në autorësitë përkatëse. Nuk është diçka që habit kënd, porse arsye për t’u shqetësuar ka natyrisht plot.
Thënë kjo, kur na mbin ndonjë i farmakosur për mënyrën se si përmendet figura e Karl Marksit në ato tekste shkollore, nga shqetësimi intelektual hidhemi hopthi në parodi të intelektualizmit; sidomos kur kjo e fundit shprehet nga ndonjë gërdallë kafenesh që motiv të vetëm për të qendruar në mesin e vëmendjes populiste, mediatike dhe rrjetsocialse ka pikërisht të vërë kujën mbi komunizmin, luftën e klasave dhe ndonjë llahtari tjetër – të gjitha këto të përmendura e të gatuara me vaj e uthull, enkas për ndonjë status që ka për qëllim të mbajë gjallë në vëmendjen publike autorin/autoren dhe problemet e theksuara që ky/kjo ka me drejtshkrimin dhe sintaksën e gjuhës shqipe. Të vjen të thuash “Dude, lere Marksin bre, po shih librat e tjerë të fillores; ndonjë abetare mundësisht!”
Zakonisht nga ky pellg të mërdhifurish në tajare shquhet edhe ndonjë i ngrefosur që nuk e ka problemin me këto tekste vetëm për mënyrën se si Marksi përmendet, por edhe për vetë faktin që përmendet; pasi nga maja e Olimpit të këtyre agallarëve të shijes dhe dijes, autori që më shumë se kushdo tjetër ka ndikuar në zhvillimin modern dhe post-modern të shkencave sociale, dijetari që vështirë se ka sot ndonjë katedër në tërë Perëndimin e ndriçuar që s’i kushton së paku një duzinë artikujsh shkencorë cilësorë në javë, na qenkërka veç një mediokër (kriminel gjakpirës po se po) – e për këtë, këta detektivët e mediokritetit janë të gatshëm të vënë firmat e tyre, të shqueshme edhe në ato kontribute kardinale që kanë në sirtaret e tyre me flatra, por që s’kanë pasur kohë deri më sot – ç’hidhërim! – që t’i botojnë. Fatkeqët jemi ne të ngratët, që kemi mbijetuar pa pirë nektar nga truri i tyre!
Tani, seriozisht, tekstet shkollore në Shqipëri janë një katastrofë që nuk do as mend e as kalem për t’i shkoqitur. E Marksi është veç një pikë ujë në gjithë atë oqean horrllëqesh dhe hajvanllëqesh. Përmendet, po; porse fjaliformimi e gjykimi i shprehur në ato tekste i ngjan më tepër kurseve të patentës kur merret me mik.
Të hidhesh përpjetë vetëm kur ta lyp manierizmi antikomunist ama, rrëfen shumë për cilësinë e kritikës së atyre që po na u skandalizokan veç sot, e veç për Marksi.
Tregon më së paku se kjo kritikë nuk niset as nga një objektivitet vëzhgimi shkencor, e aq më pak – shumë më pak – nga një ndershmëri intelektuale. Ajo është vetëm një kritikë e varfër politike, në rastin më të mirë, e që zhvillohet nga pozita kryekëput ideologjike. Dhe ideologji, sot për sot, do të thotë edhe të bësh llogje tek programet e pasdites, mes influencerash e kuzhinierësh.
Dhe po e le me kaq, pa i bashkëngjitur pastaj motivacionet ekonomike që fshihen pas këtyre alarmizmave (“Red Scare” i quajnë anglosaksonët). Se projektet e fondet e financimet për mbajtur gjallë fosilet e demagogjive që u është pirë lëngu me kohë janë shumë e shumë më të majme se xhepat e atyre që mbijetojnë falë ndonjë anti-komunizmi reklamor.