Sot
Sot mbush fiks një jetë që dje!
Toka ende rrotullohet…
Unë fle të mos ndiej turravrapin e saj…
Nën çarçafë nata numëron sa vende më kanë ngelur
pa kafshuar ende nga pyetja retorike:
“Përse duhet të dashurosh si fëmijë?…”
Fiks një lumë drite mes nesh nga dje!
Uji i ftohtë m’i bën bashkë copëzat e mëngjesit në sy!
Marramendem…
…rrjedhës së ujit i dorëzoj fytyrën…
ajo më kthen këngë zogjsh…
Zhurma makinash…
Përshëndetje formale…
Hapa të përgjumur…
Puthje të padhëna…
Një qytet zgjohet brenda meje…
Fiks një jetë nga dje…!
Shko…
Patjetër shko nëse kërkon
Një qiell diejsh pa kufi
Pa stinë, pa re, pa shi e borë
Ylber pa ngjyrat Unë dhe Ti!
Patjetër, zemër, ti shko atje
Ku erëra malli nuk të përshkojnë
Atje ku hënat pesëmbëdhjetëshe
Ëndrrat e tua nuk i bekojnë!
Ti shko, po shko dhe ji i lirë
I lumtur ji në mundsh po aq
Nga fryma jote une lind çdo ditë
Ndonëse çdo mbrëmje vdes pak nga pak…
Provo mos të më duash
Gjithë rrezet e buzëqeshjeve të tua
Kurorë në iris të syrit ruaj
Kur shirat e vjeshtës përse-ve të na strukin
Ti shihmë në sy
Pastaj…
provo mos të më duash…
Përshëndetje.A mundem të dërgoj poezi nē portalin tuaj.Do jetë jëbaqësi prezantimi i poezive të mija edhe tek Ju.Pres përgjigjen tuaj.
Po mund ta dergosh ne faqen tone ne Facebook. Faleminderit