Autorët e rinj mund të bien pre e vetëcensurës sepse ata kanë frikë se do të ironizohen apo bëhen meme në rrjet, thotë shkrimtari Kazuo Ishiguro.
Kazuo, i cili është fituesi i Nobelit në Letërsi për vitin 2017, paralajmëron se një klimë frike po i parandalon shumë njerëz të shkruajnë atë që ata duan.
Ishiguro thotë se këta autorë të rinj shqetësohen se një turmë anonime linçimi do të nisë në internet dhe do t’ua bëjë jetën një ferr.
“ Kam frikë për gjeneratën e shkrimtarëve të rinj”, tha ai për BBC.
66-vjeçari shtoi se ishte i shqetësuar se autorët më pak të njohur ishin vetë-censuruar duke shmangur shkrimet nga pikëpamje të caktuara ose duke përfshirë personazhe jashtë përvojave të tyre.
Komentet e tij vijnë pas një sërë mosmarrëveshjesh për lirinë e fjalës, me shkrimtarë që “fshihen”, nuk botohen ose përballen me kërcënime për të bojkotuar punën e tyre.
Shkrimtari, i cili lindi në Nagasaki, Japoni, por u zhvendos në Angli kur ishte pesë vjeç, këmbënguli se nuk kishte asnjë temë ose pikëpamje nga e cili “do të tërhiqej” apo vetëcensurohej.
“Shkrimtarët duhet të ndihen të lirë të shkruajnë nga cilado pikëpamje që ata dëshirojnë ose të përfaqësojnë të gjitha llojet e pikëpamjeve,” tha ai.
“Në fillimet e mia unë kam shkruar nga këndvështrimi i njerëzve shumë të ndryshëm nga unë. Romani im i parë është shkruar nga këndvështrimi i një gruaje”.
“Një pamje e zbehtë e kodrave”, i cili tregon historinë e një gruaje japoneze që përpiqej të merrej me vetëvrasjen e vajzës së saj, pati një ndikim të menjëhershëm kur u botua në vitin 1982./ gazetapasqyre.al