Sot në mbrëmje do të dëgjojmë rrëfimin e fundit të Nexhmijes, gruas së diktatorit Enver Hoxha. Fakti, që ajo do të flasë për jetën e saj ka shkaktuar një histeri të madhe në rrjetet sociale. Disa thonë se në këtë shtet demokratik, ajo nuk e ka të drejtën e fjalës, pra nuk duhet të guxojë të thotë gjë. Ndërsa disa të tjerë akuzojnë gazetaren Rudina Xhunga, pse e ka marrë në intervistë. Kjo është edhe më e bukur pasi sulmi vjen pikërisht nga gazetarë. Edhe Hitleri po të kishte mbetur gjallë me siguri do kishte pasur qindra intervistues gazetarë në qeli, po ky është diskutim tjetër. Fakti që lajmi mbi intervistën ka bërë më shumë zhurmë sesa vet intervista, tregon sesa ndjenja ngjall akoma kujtimi i atij sistemi. Sigurisht ai nuk mbijetoi vetëm nga Nexhmija apo Enveri, por sepse populli ynë e ushqeu, siç ushqen plot të liga edhe sot e kësaj dite. Por duke qenë se mosha nuk ma lejon të eci më tej me komente për një sistem që nuk e kam jetuar, habia mbetet tek një pyetje e thjeshtë: Me gjithë këto banalitete që qarkullojnë në televizonet tona, i njëjti personazh në të njëjtën orë në 3 ekrane njëkohësisht, ç’punë prish dhe kujt i prish punë se do të flasë Nexhmija?! Kjo zgjidhet lehtësisht. Me siguri diku e ftuar sot do të jetë edhe Xhesika, ajo vajza që nuk e ka ndarë akoma pazarin me deputetin. Me siguri do jetë diku dhe rrëfimi i saj deri tani ka rezultuar tepër mbërthyes. Për të gjithë! Aq sa mund “të mposhtë” edhe Nexhmijen në ekran. (PASQYRE.AL)