Ervin Nezha
Kam parë nga një kodër një vend ku thernin kuajt. Ishte kodër e lartë sepse nga aty, dielli dukej fare afër. Rrezet e tij ranë mbi tehun e kamës dhe thika shëndrriti. Pastaj u ngul me një zhurmë shurdhuese në qafën e lëmuar të një mëzi. Kafsha e zënë përposh nga katër burra, hapi sytë e lebetitur dhe skrofëtiu. Deshi të lëshonte zë, por fytin e kishte të prerë dhe nuk e lëvizi më kokën. Rradha masandaj i erdhi një pele pullalije, që qëndronte e lidhur në një dru Çikarte. Më erdhi keq për pelën, se nga kafsharët kisha dëgjuar se njëthundrakët e ndiejnë tmerrin dhe frikën. Ndiejnë edhe dhimbjen për veten dhe tjetrin, siç e ndiejnë njerzit.
Ata i lidhën këmbët me litar dhe e rrëzuan. Kasapi po afrohej ngadalë, duke mprehur thikën e përgjakur me një gurë zalli. -Shiko sa kalë i rrallë,- i thash Idrizit, – gjynah që ta prishin edhe këtë. Ndërkohë, një turmë fëmijësh me këmbë të zbathura, veshur me zhele, po luanin me potere me kokën e prerë të mëzit. -Ikim, ikim ,-tha Idrizi. Këta janë të tërbuar për gjak. Dhe u larguam pa na vënë re kush. Humbëm mes shkurreve dhe rrëshqitëm drejt rrugës. Lajmëruam xhandarin e parë që hasëm në rrugë. E bindëm me mund të na ndiqte por në fillim ai nuk pranoi. Na ndoqi vetëm pasi i falëm tre frangat e fundit që na patën mbetur. Tërë rrugën atij nuk i pushonte goja dhe përshpëriste një e dy, një frazë ankuese që ne po na bëhej muzikë për veshët ,-për besë po u ndjek prapa kot ! Unë dhe Idrizi nuk flisnim por ecnim shpejt. Donim të dëshmonim sa më parë mënxyrën që pamë. Me njeriun e ligjit ndiheshim të sigurtë. Dhe e ngjitëm kodrën.
Pamë vijën e maleve nga lartësia që zbehej dhe bëhej njësh me ngjyrën e horizontit. Pamë edhe shtëpitë e vogla të fshatit vendosur në një pllajë të vogël. Pamë drurin e Çikartës, ku pak më parë qëndronte e lidhur pela pulallije. Nën hijen e saj qëndronin po të katër burrat që tashmë kishin ndezur nga një cigare. Në lëndinë kullosnin dhjetra kuaj të lirë, ndërsa dy fëmijë të vegjël, ndiqnin me sy fluturimin e zogut të Kalit të Qyqes. Panorama qe e qetë dhe e brishtë. Vështrova i habitur Idrizin në sy, si për t’u siguruar se po shikonte të njëjtën pamje që po shikoja unë.
Desha t’i them diçka por zëri i njeriut të ligjit nuk më la. Kthyem njëherazi kokën nga xhandari që duke qeshur me shpoti na foli,- nuk ju thash që ciganët nuk i vrasin kurrë kuajt Ne heshtëm se nuk dinim ç’të thonim, ndërsa ai na hodhi një vështrim që shprehte qortim dhe përbuzje njëherazi dhe lëvizi me hap të qetë andej nga kishim ardhur.