Një ditë vere me Rita Petron për gruan e letërsinë/ Kur njeh instiktet e tua, je i lirë. Libri për miqësi, e largon lexuesin!

Jonida Hitoveizi

Kur i kërkova Ritës të bëhej pjesë e rubrikës Grua tek Gazeta Pasqyre.al,  e dija se biseda me të do të ishte e lirë dhe e sinqertë. Diçka për të cilën besoj fort që kemi nevojë më shumë se kurrë. Dorezat që i kemi mbajtur aq shumë, sidomos ato gra e burra të jetës publike, nuk është se kanë sjellë ndonjë rezultat të admirueshëm social, po as atë përmbushjen individuale aq të nevojshme. Ndaj biseda për gruan, për njeriun, për lirinë e letërsinë me Ritën rrjedh, nuk bëhet e lodhshme. Përkundrazi të frymëzon, e të zgjon shijen e mirë të bashkëbisedimit.

 Rita kur folëm për të bërë këtë intervistë më thatë se ishit me pushime, ndërkohë në jetën tënde personale kanë ndodhur shumë ndryshime, humbja e njeriut të dashur, partnerit tuaj të jetës… Cila është gjendja shpirtërore që të dominon aktualisht?

Kjo aroma e verës më bën të ndihem sa e ekzaltuar, pasi unë e dashuroj këtë stinë, po nga ana tjetër vërtet ndjej një mungesë aq të madhe brenda vetes. Është koha kur pasi i kishim planifikuar pushimet që në dimër, niseshim me partnerin tim për ditët që do t’i quaja nga më të lumturat në jetën time në bregdetin kroat. Kjo ndodhi më tepër se 17 vjet. i njëjti ritual. Normal, ndihem vetëm dhe askush nuk ma zëvendëson dot këtë mungesë, por as unë nuk kërkoj një gjë të tillë. Jam e rrethuar nga njerëz që i dua dhe më duan. Në këtë drejtim jam aktive shumë në dhënie dhe marrje. Ndihem përsëri me fat, pavarësisht humbjes.

Bëhet vetmia, ajo vetmia personale  që të çon në një gjendje meditative, një domosdoshmëri për të qenë më afër kujtimeve, atyre që duam?

Une e dua vetminë time. Tashmë më pëlqen të jetoj vetëm në shtëpinë që e ndërtuam bashkë me Latifin dhe këtu ka kaq shumë frymë dashurie. Më pëlqen ta jetoj dhimbjen time, që ta bëj atë të natyrshme, aq të natyrshme si të jetë organ i trupit tim. Por nga ana tjetër nuk dua të jem kurrësesi e varur nga kujtimet. Ndaj thashë jam aktive në më shumë se 12 orë të ditës. Madje kur isha me Latifin kisha disa orë pasive, hahaha. Tani frika e mungesës më nxit e më vonë edhe më përpara.

Ju jeni nga ato gra të jetës publike që keni guxuar të artikuloni përherë të vërteta, që shpesh njerëzit kanë qejf t’i fshehin pas perdeve ose t’i mbulojnë me jorgan, me çfarë të mundin…Aq më tepër për gratë në jetën publike, që përherë kanë një droje, një tokë ku nuk guxojnë ta shkelin sepse besojnë do të humbin “seriozitetin”. Po nga ana tjetër gruaja shqiptare në vetvete është e fortë, më e fortë se burri… Çfarë na duhet për të patur gruan që duam në profilin e jetës publike, atë modelin që bëhet shembull për gratë e tjera që nuk kanë një zë?

Sinqeriteti është kryesori. Po sinqeriteti duket si diçka e thjeshtë. E keni vënë re bukur Jonida se ka shumë gra publike që trembin mos humbin “seriozitetin” nëpërmjet sinqeritetit. Po çfarë na bën të sinqertë? Paraqitja pa frikë e mendimeve tona të fshehta që përbëjnë jo intimitet personal, por mesazh të qartë kundër moralizimit dhe hipokrizisë. Ne kemi frikë jo aq nga audienca, por nga njerëzit pranë nesh. Ata na stepin, familja, rrethi i miqve apo rrethi i kolegëve. Kur jemi të sinqerta vërtetë rrezikojmë shumë. Se ky rreth na mban mbërthyer në vend. Gratë publike në fushën e kulturës dhe politikës duhet të mos flasin në vetën e tretë.

Jam dakort me ty kur thua se gruaja tregon me guxim se burri. Kjo ndodh dhe në letërsi. Poetet apo prozatoret shqiptare më të njohura shfaqin një guxim më të madh se krijuesit meshkuj, tek të cilët mbizotërojnë temat politike, mitologjike, sociale por shumë rrallë gjen që ata të futen në skutat e fshehta njerëzore. Të futesh në këto skuta do të thotë të rrëmosh në vetvete, mos të të vijë turp nga vetja, as mos të kesh frikë ta zbulosh vetveten para të tjerëve.

Në letërsi p.sh duket se kemi një trajnim të atillë kulturor sa femra duhet të jetë poetike, romantike po kurrë “skandaloze” në të vërtetat e saj. Pra femra e brishtë, jo femra guximtare. Siç ndodhi me ju psh…

Shiko në art nuk ka ndasi të tilla femra/ meshkuj se ndjesitë dhe estetika janë pa gjini. Arti i vërtetë trondit. Shpesh lexojmë një letërsi që quhet e mirë dhe e shkruar profesionalisht mirë. Po papritmas kur mbarojmë librin nuk kemi asnjë ndjesi brenda vetes, asnjë dritare të çelur. Pse ndodh kjo?,-Sepse asnjë dritare të vetvetes nuk na çel autori. Të shkruash në vetën e tretë, nuk është njëlloj si në vetën e parë. Ajo që ndodhi me mua ish pikërisht kjo gjë. Unë përgjova unin tim poetik. U bëra njësh me personazhin e poezisë sime që klithte për të vërtetat lakuriqe, për perversitetet që i mbajmë mbyllur si kuçedra brenda nesh. Kur njeh instiktet e tua je njeri i lirë, nuk vuan dhe di t’i kontrollosh këta përbindësha.

Kur nuk i njeh dhe nuk i pranon, atëherë instiktet kthehen në bomba brenda nesh. Ndaj ndodhin vrasje, përdhunime etj. Shoqërinë e emancipon arti. Arti është pararoja që përherë goditet dhe pastaj ngrihet më i fortë se kurrë dhe përjetësohet në epoka.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

(Foto nga kopshti gjatë intervistës virtuale)

E kemi shumë frikë vetveten dhe duket sikur përherë e qëllojmë me gur që të mos ta shohim se instiktet janë aty, derisa gjithçka del jashtë kontrollit pastaj dhe mbërrrijmë në një gjendje pa busull orientimi ku gjithçka bie përmbys…

Po e vërtetë. Dhe agresorët më të mëdhenj janë më frikacakët e vetes. Shoqëria jonë mezi po pranon proceset demokratike. Çdo të re ose çdo gjë ndryshe ose e paragjykojmë dhe esulmojmë, ose kalojmë në ekstremin e anarkisë.

Cili është përbindëshi më i madh që fshihet brenda nesh, brenda njeriut dhe brenda gruas?

Unë jam pak frojdiste dhe do ta lidhja me atë se njeriu së pari është qënie erotike. Kur kënaqim trupin tonë, kemi kënaqur mendjen dhe shpirtin. Këtu nuk e kam fjalën sesa të shpeshtë e bëjmë seksin, po sa cilësisht dhe sa emocione na zgjon ai. A na hapen të gjitha poret e trupit e të mendjes prej tij. Ka plot femra apo meshkuj që pozojnë në mënyrë provokuese, të hapur madje dhe vulgare. Po zor se sheh tek ata një hapje mendore. Këta nuk janë ata që e zhvillojnë shoqërinë.

A mendon se ne rritemi dhe edukohemi që të kemi turp, turp nga ajo që jemi si qënie njerëzore?

Nga njëra anë, ne sapo ndodh një ngjarje thërrasim pse nuk i edukoni e këshilloni fëmijët për rreziqet dhe kënaqësitë seksuale, nga ana tjetër sapo shohim një libër për fëmijë për edukimin seksual, madje të shpjeguar shkëncërisht, fillojmë tallemi dhe e godasim. Po kështu në ngjarjet e përdhunimeve, gjuha e përdorur nga shumë komentues është po aq e dhunshme sa dhe veprimi i kryer.

Ç’emër t’i vëmë këtij dualizimi?

Ende jozhvillim. Po sa më tepër media të jetë e kujdesshme në këtë gjë, sa më tepër biseda me njerëz të hapur e profesionistë aq më shpejt mendoj se do fillojë ndryshimi. Dhe normal që ka filluar. Një pjesë pararojë po përpiqet për këtë.

Personalisht si grua po dhe si nënë e re, po kuptoj se nëse duam një shoqëri ku të dominojnë vlerat duhet një nënë-titan, një familje-titan që të edukojë. Ama nga ana tjetër sot familja shqiptare ka një sërë sfidash nga dhuna ndaj gruas, ekonomia, etj… A na duhet një qasje sociale komplet tjetër nga kjo që kemi, ku i biem shkurt që secili e di vet ca bën me fëmijën e vet, ose në shtëpinë e tij?

Është një pikë e komplikuar shumë. Indiferentizmi nuk zgjidh gjë, sepse sado të jemi të tillë, sapo dalim nga shtëpia e kuptojmë se izolimi ynë nga e keqja dhe sidomos i fëmijëve s’ka kuptim. Mendoj se pjesën e asaj që ti e quan të jemi “titan” në lidhje me qëendrueshmërinë, ta mbajmë brenda vetes dhe me fëmijët të jemi sa më të qetë e të hapur. Fëmijët kanë mençurinë e tyre, prej intuitës. E kuptojnë menjëherë gënjeshtrën e prindërve nga e vërteta.

Gruan moderne-nënë si e sheh Rita, çfarë të bën përshtypje?

Më parë se të qeshim e t’u bërtasim kur thonë me zë të lartë emrin e një organi seksual që ia ka mësuar ndonjë shok te rruga, duhet t’u tregojmë se nuk është turp të përmendet ky organ, por jo për t’u tallur.

E nëse dalëngadalë i mësojmë me puthjet e bukura të prindërve, e dashurinë për njëri-tjetrin, atyre do iu duken të natyrshme si në botën e emancipuar.

Rita të shkojmë pak tek letërsia duke qenë se edhe vet kam guxuar të mbaj një gazetë online dedikuar kulturës, por edhe me theks letrar. Çfarë po ndodh në mjedisin tonë të letrave? Përse nuk po zhvillojmë dot ende një traditë të kritikës dhe studimit të veprës pa rënë në kurthin e qokave e ndereve?

Shiko nuk është problem se nuk ekziston kritika. Pra ajo profesionale. Katedrat e universiteteve e bëjnë punën e tyre për vepra dhe autorë shqiptarë të të shkuarës dhe të sotmes. Po kjo mbetet vetëm në kuadrin profesional, pra lexohet nga njerëz të kulturës, studiues, gazetarë e studentë dhe lexuesi i kualifikuar. Problemi është te ajo që quhet kritikë e medias, që i drejtohet një publiku më të gjerë. Pra lexuesit të zakonshëm. Ky lexues drejtohet nga veprat e mira. Bota ka eksperiencë në këtë drejtim. Një kritik letrar mediatik e fiton statusin e më të mirit kur krijon besueshmëri. Po çfarë ndodh te ne? Rekomandohem libra sipas miqësive siç thua dhe ti. Lexuesi shpesh zhgënjehet dhe rrjedhimisht këta kritikë apo gazetarë bëhen të pabesueshëm.

Pra ka një ndryshim të madh, një informacion/reklamë për librin nga një analizë e specializuar libri. Jemi vend i vogël, me një rreth letrar të kufizuar, me interesa botuesish dhe autorësh, çmimesh që jepen me pagesë, të cilat kam dëgjuar dhe që ndahen pastaj.

Ndjej shumë armiqësi në ajër. P.sh unë nisa një sfidë letrare #lexoshqip me idenë të evidentojmë autorë shqiptarë, bashkëkohor ose jo dhe njerëzit vetëintimidohen se po përmendën dikë do t’i ngel hatri dikujt tjetër. Ama letërsia besoj se ka një mision tjetër, përtej të qenit qokë, si mendon? A duhet të çlirohemi pak dhe të themi se jo çdo njeri që boton është poet apo shkrimtar?

Patjetër mision tjetër. Nuk ka mrekulli më të madhe për një shkrimtar se kënaqësia nga akti i të shkruarit dhe qetësia brenda vetes se do i vijë dita artit të tij të jetë i suksesshëm. Zhurmën e madhe, hatërmbetjet i bëjnë ata të cilët as marrin kënaqësi nga arti i të shkruarit dhe që përherë kanë fodullëkun se s’ka si unë.

Shumë për të qeshur. Jemi vend i vogël, Jonida. Kur gjithë Gjermania nxjerr një gjeni në shekull, ndërsa te ne shumë gjeni për një dekadë. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të dallojmë. Atë që shkruan mirë e në mënyrë serioze, nga atë që bën art. Po kjo nuk është e kollajshme kur futen në mes “qokat”, siç the dhe ti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *