Kur s’kishte Shqiperi, po kishte Përmet…

Ish-ministrja e Kulturës dhe deputeja e qarkut Gjirokastër, e cila është shumë aktive për gjithçka që lidhet me zonën ndan këtë rrëfim interesant nga shënimet e Pouqueville, konsulli i parapëlqyer i Napoleon Bonapartit pranë oborrit të Ali Pashait.
“Shpesh herë për të njohur Shqipërinë kur Shqipëria nuk ekzistonte si shtet, domethënë kur ekzistonin shqiptarët por jo Shqipëria, ne u referohemi udhëtarëve të huaj të cilët jo vetëm e kanë përshkuar vendin tonë por, për fatin tonë shumë të madh, edhe kanë shkruar e kanë botuar shënimet e tyre, që janë si burim uji në një tokë të tharë, sidomos kur flitet për shekullin XIX, periudhë nga e cila gjejmë shënimet më të rëndësishme, që s’kanë të paguar. Përmeti është nga ato zona që ka tërhequr vëmendjen e tyre. Ja ku sjell sot një foto të pikturës së anglezit të famshëm për ne Edward Lear i cili nuk e la Përmetin jashtë bllokut të vizatimeve të tij, në prill të vitit 1857
Por, edhe më interesante akoma është një fragment nga shënimet e udhëtimit të François Pouqueville, konsulli i parapëlqyer i Napoleon Bonapart-it pranë oborrit të Ali Pashait, në fillim të shekullit XIX, I cili tregon:
Më në fund, gjysmë lege prej lumit që zbret nga Leusa, hymë në Përmet ku udhërrëfyesit e mi kishin dhënë porosi të gatitej një banesë te koxhabashi.
Po gëzohesha që gjendesha mes njerëzve, kur u shfaq një plak i nderuar që më përshëndeti në frëngjishte dhe me maniera aq të përkujdesura sa për një grimë mbeta pa i kthyer dot përgjigje. Meqë ishte shurdh nxori e vuri në vesh një kornet akustik me anë të të cilit munda të hyja në kuvendim me të. Me tregoi për udhëtimet e tij në Francë dhe për qëndrimin e tij në Paris. Kishte frekuentuar kafenenë “Procopr”, ku kishte njohur Diderot-in, Dalembert-in, Freret-in dhe burrat e letrave të shekullit të kaluar. Citonte vargjet e Racine-t, të Corneille-it, të Voltaire-it dhe, pa u shtirë aspak sikur qe njeri i shkencës, më dëshmoi se e njihte fort mirë letërsinë tonë.
Kur më foli për Versajën dhe për mbretin e Francës nuk e mbajti dot mallëngjimin. Dhe kur shpreha habinë që ai, si kishte njohur Francën, kishte dashur të ngulitej në një vend barbar, m’u gjegj:
“Përmeti është vendlindja ime dhe njeriu i urtë e i kujdesshëm mund të jetë i lumtur kudo, ja ku jam vetë një shembull i pakundërshtueshëm. Kam parë qytetërimin më të shkëlqyer, kam jetuar te populli më i mirësjellshëm në botë, dhe megjithëkëtër desha e ktheva në atdheun tim”.”
François-Charles-Hugues-Laurent Pouqueville
(Nga: Voyage de la Grèce par F.-C.-H.-L. Pouqueville, Deuxième édition revue, corrigée et augmentée, Tom. 1, Librairie Firmin Didot Père et Fils, Paris, 1826.) , ndan Kumbaro në Facebook-un e saj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *