A është Jorge Luis Borges shkrimtari më i rëndësishëm i shekullit të 20-të?

Shqipëroi nga BBC: Bjorn Runa

Të lexosh për herë të parë diçka nga Jorge Luis Borges ështësi të zbulosh një gërmë të re në alfabet, apo një notë të re muzikore. Miku e shpesh edhe bashkëpunëtori i tij, Adolfo Bioy Casares i cilësonte shkrimet e Borgesit si diçka midis esesë dhe tregimit. Ato janë histori të trilluara, plot me ezoterizëm, historiografi dhe humor të zymtë. Tregimet e tij janë të shkurtra dhe shpesh me fillime të befta. Shfrytëzimi që Borges ju bën labirintheve, pasqyrave, ndeshjeve të shahut dhe historive me detektivë krijon një peizazh intelektual të ndërlikuar. Edhe skenat më fantastike përshkruhen fare thjeshtë prej tij, duke na tërhequr në shtegun e bigëzuar të një imagjinate, në dukje të pafundme.

Kur vëllimi i tij me tregime, “Ficciones” u botua për herë të parë në anglisht gjysmë shekulli më parë, Borgesi ishte thuajse i panjohur jashtë rretheve letrare të Buenos Airesit, qytetit të lindjes dhe Parisit, ku veprat e tij kishin nisur të përktheheshin në vitet ’50-të. Ai u vendos në qendër të vëmendjes më 1961 pasi botuesit ndërkombëtarë e nderuan me çmimin e parë “Formentor” për arritje të jashtëzakonshme në letërsi. Çmim, të cilin do ta ndante me Samuel Beckett, ndërsa të tjerë autorë të kandiduar ishin Alejo Carpentier, Max Frisch dhe Henri Miller.

Fanula komplekse

Qysh prej fillimit, Borgesi ishte një shkrimtar i lidhur me traditat dhe epikat klasike të kulturave të ndryshme. Gjithashtu, ai u rrit midis librave. I ati, nga i cili Borgesi trashëgoi ç’rregullimin miopik që do ta linte të verbër në moshën 55-vjeçare ishte “një letrar paksa i suksesshëm, që kishte disa poezi të botuara, një roman jo edhe aq të arrirë, ndërsa kishte përkthyer në spanjisht ‘Rubaiyat-in’ e Fitzegrald-it,” thotë Donald A. Yates, një nga të parët përkthyes Amerikanë të Borgesit.

Në rininë e tij Borges u mor me poezi, ndërsa ishte vizitues i rregullt i bibliotekës, ku lexonte artikuj nga Samuel Taylor Coleridge dhe Thomas De Quincey të nxjerra nga vëllimet e Encyclopedia Britannica. Vitet e adoleshencës i kaloi në Gjenevë dhe Spanjë, ndërsa më pas do të punësohej si bibliotekar dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Buneos Airesit.

Çdo shkrimtar krijon pararendësit e tij,” shkruante ai në një ese mbi Kafkën. “Vepra e tij ndikon mbi konceptin tonë rreth të shkuarës ashtu siç do të ndikojë mbi të ardhmen.” Vetë Borgesi ishte i ndikuar nga Paul Valery tek Arthur Schopenhaure, nga Dante tek Bewolf dhe Kabalah. Ai përktheu në spanjisht Walt Whitman, Edgar Allan Poe, James Joyce, William Faulkner, Virgina Wolf, Andre Gide, Franz Kafka si edhe poemat epike të legjendave Nordike.

“Borges ishte mjeshtër i ndërthurjes së materialeve të lehta – skenarë fantastiko-shkencorë dhe histori me detektivë – me struktura komplekse filozofike dhe arkitekturore,” thotë kritikja Marcela Valdes. Ai e dashuronte Buenos Airesin, por bota e letërisë së tij përbëhej në thelb nga librat.”

Risitë dhe interestat e Borgesit shfaqen më së miri tek “Ficciones.” Ai ishte ndër autorët e hershëm, që ndërthuri zhanre të ndryshme letrare. “Kopshti i shtigjeve që bigëzohen” është i ndërtuar në formën e një raporti të vitit 1916 nga një spiun Kinez, Dr. Yu Tsun, pasardhës i guvernatorit të provincës Hunnan, i cili “braktisi gjithçka vetëm e vetëm që të shkruante një libër the të ndërtonte një labirinth.” Tregimi është njëkohësisht një parabolë mbi kohën si edhe një histori me detektivë.

Libra fantazmë

Tek “Ficciones” Borges sjell reflektimin e tij postmodernist mbi librat dhe shkrimin. Siç do të shprehej edhe vetë më 1941-shin, “krijimi i një sërë librash është punë e lodhshme dhe varfëruese… Do të ishte më mirë të pretendonim se këta libra ekzistojnë dhe ndërkaq, të jepnim një përmbledhje ose komente në lidhje me to… Si më i arsyeshëm, i paaftë dhe dembel, kam zgjedhur të shkruaj në lidhje me libra që nuk ekzistojnë në të vërtetë.”

Borges është cilësuar si babai i letërsisë së Amerikës Latine, në mungesë të të cilit nuk do të kishim as autorë si Mario Vargas Llosa, Guillermo Cabrera Infante, Gabriel Garcia Marquez dhe Carlos Fuentes. Megjithatë, ndikimi i tij është rritur me kalimin e kohës në të gjithë botën qysh nga vdekja e tij në 1986.

“Sot ai mund të konisderohet si shkrimtari më i rëndësishëm i shekullit të 20-të,” shprehet Suzanne Jill Levine përkthyesja dhe botuesja e serisë pesë vëllimëshe të veprave të Borgesit nga shtëpia botuese Penguin Classics.

Arsyeja? “Sepse ai ndërtoi një kontinent të ri letrar që lidh Amerikën e Jugut me atë të Veriut si edhe me Evropën. Mundi të lidhte botët e vjetra me modernitetin. Teksa shkruante veprat më origjinale të kohës së tij, Borgesi na tregoi se nuk ka asgjë të re, se krijimi është rikrijim dhe se ne të gjithë, s’jemi veçse një mendje vetëkundërshtuese të lidhur me njëri-tjetrin përmes kohës dhe hapësirës. Ai na mësoi se qeniet njerëzore nuk janë vetëm krijues, por edhe të krijuar dhe se çdo mendim është një fiksion.

“Interneti,” shton Levine “ku duket se gjithë kohët dhe hapësirat bashkëekzistojnë njëkohësisht është sikur të jetë shpikur nga Borgesi. Kujtoni përshembull, tregimin e tij, ‘Aleph.’ Në të, shkronja e parë e alfabetit hebraik kthehet në atë pikë të kohës dhe hapësirës, që përmban gjithë universin.”

Siç vetë Borgesi shkruan në këtë tregim, “Pikasa një sferë shumëngjyrëshe me një rrëzëllitje të papërballueshme. Fillimisht mendova se po rrotullohej, por shpejt kuptova se lëvizja s’qe tjetër veçse një iluzion i krijuar nga bota marramendëse që kjo sferë mbante. Diametri i saj mund të qe pak më tepër se tri centimetre, por brenda saj gjendej gjithë hapësira e paprekur.”

Lexuesit, ashtu si shkrimtarët vijojnë të zbulojnë risi në veprën e Borgesit. Trashgimi e denjë kjo për njeriun, që dikur shkruante: “Parajsën e kam përfytyruar gjithmonë si një lloj biblioteke.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *