Propaganda, akti njerëzor më i fuqishëm. Ai që do të mundë Ramën, duhet të vihet në kërkim të kanaleve të pazotëruara nga askush!  

Nga Jonida Hitoveizi

Propaganda mbetet akti njerëzor më i fuqishëm thotë autori i ri Elvin Nuri, i cili sapo ka botuar librin  e tij “Një histori e shkurtër e propagandës”, në gjuhën italiane. Një bisedë që rrjedh nëpër histori, duke u përpjekur të kuptojmë më shumë rreth këtij fenomeni, i cili përtej ngjyrave negative që nxitojmë t’i japim, për Nurin,në fund fare mbetet një veprimtari shkencore. “Historia tregon se kush i bën detyrat e shtëpisë ia arrin gjithmonë qëllimit”, thekson ai  për gazetënpasqye.al. 

Elvin, sapo ke botuar librin tënd “Një histori e shpejtë mbi propagandën”në një kohë kur duket se këtë fjalë po e dëgjojmë gjithnjë e më shumë kohët e fundit. Çfarë të ka tërhequr personalisht tek ky fenomen?

E vërtetë, flitet shumë për propagandën. Nga ana tjetër, duket sikur vetë termi shpesh përdoret rëndom si një farë etikete për t’ia mveshur të pavërtetave apo manipulimit. Pak a shumë këtë përqasje e përqafojmë të gjithë. Padyshim që vlen si qëndrim. Kjo falë edhe eksperiencës totalitare (dhe njëkohësisht liberale) të para viteve nëntëdhjetë. Gjatë asaj periudhe pjesa më e madhe e globit qeverisej në mesin e një konflikti të hapur mes dy ideologjive. Për dekada me rradhë të dyja kampet shpërndanin haptazi materiale propagandistike apo ‘retushonin’ industrinë kulturore me qëllim që të legjitimonin sa më shumë të vërtetat dhe interesat e tyre. Kur të dyja palët e kanë të vërtetën në favor, medoemos që njëra prej tyre thjesht po gënjen.

Ama, sa e njohim vërtetë fenomenin e propagandës? Si studiues i Shkencave të Komunikimit nuk jam kënaqur kurrë me dualizmat e thjeshta: e keqe/e mirë apo e vërtetë/gënjeshtër. Kur e përdorim propagandën thjesht si etiketë, kam bindjen se i bëjmë një padrejtësi historisë. Ndoshta mbyllim sytë edhe vetë përballë natyrës sonë njerëzore. Këtu nis interesi im mbi propagandën, qysh i vogël, kur eksploroja natyrën time dhe të njerëzve që më rrethonin. Si fëmijë i viteve ’90 arrija të dalloja ndryshime kolosale mes meje dhe edukatorëve/prindërve të mi. Pozicionimi ishte i njëjtë, madje edhe principet morale që duhej të ndiqja, por sërish përqasja ime ndaj lojës, disiplinës dhe dhunës ndryshonte. Ata jetonin në konflikt të përhershëm, riformulonin dhe analizonin pambarisht një realitet të ri të cilin une e përthithja pa filtra, me entuziazëm të pamotivuar. Asokohe e kuptoja që e gjithë kjo vinte si pasojë e mënyrës se si po më drejtoheshin nga televizori, dritarja ime parë me botën jashtë rrugicave të lagjes. 

 Cili do të ishte përkufizimi dhe kuptimi i saktë i propagandës?

Nuk e kam një përkufizimin të saktë mbi propagandën. Sa më shumë thellohesh mbi këtë argument aq më shumë kupton se kemi të bëjmë me një fenomen kompleks. Sa herë mundohem ta përkufizoj më duket sikur nuk e godas qendrën. Sikur lë jashtë një dimension të saj me rëndësi. Ama, deri më tani kam kuptuar se është akti njerëzor më i fuqishëm.

Nëse do të më duhej t’a shpjegoja sa më thjesht: Propaganda është krijimi i konsensusit, indoktrinimi intelektual apo nxitja për veprim te një mase e gjerë njerëzish, duke përdorur çdo lloj mjeti (komunikimi) të mundshëm dhe duke mos mbajtur detyrimisht anën e së drejtës. Për sa kohë qëllimi i saj është të influencojë sjelljen kolektive, propagandë nuk bën vetëm politika, por edhe institucionet fetare apo bota e biznesit. Në libër kam zgjedhur të analizojë propagandën politike dhe atë fetare. 

Përtej ngjyrimeve që shpesh i jepen fenomenit në vetvete, beson se propaganda është më shumë e dobishme, e dëmshme apo është thjesht një mjet që e përdorin të gjithë ata që kanë një lloj pushteti për të përshfaqur dhe implementuar idetë e tyre?

Patjetër që propaganda është e dobishme. Ajo ka fuqinë të sjelli ndryshime epokale, duke promovuar ide novatore të cilat kontribuojnë në demokratizimin e shoqërisë apo në përmirësimin e të drejtave të qytetarëve. Sa për të dhënë një shembull, falë saj në shekullin e XVIII ide revolucionare si “sovraniteti i popujve” gëlonin nëpër Europë dhe i nxisnin qytetarët të ishin më aktivë në jetën politike të vendit. Të njëjtat ide, në ditët e sotme ne i marrim si të mirëqena. Propaganda mund t’i shërbejë demokracisë dhe nëse ekzekutohet mirë rrëzon diktatorë, pastër fare, pa patur nevojë të degjenerojë situata në dhunë. Këtë fakt e vërteton referendumi i vitit 1988 në Kili. Pas 15 viteve pushtet, Augusto Pinoçet u detyrua të largohej falë një fushate elektorale gjeniale nga ana e opozitës së bashkuar në koalicion. Siç e dimë, ironia qëndron te fakti se Pinoçet e mori drejtimin e vendit me dhunë, me anë të një grushti shteti.

Më duhet të bëhem kontradiktor. Patjetër që propaganda është shumë e dëmshme. Potencialin e saj për të influencuar mendimin dhe sjelljen me mite false apo me gënjeshtra e faktojmë duke hapur librin e parë të historisë që na del para. Ndonjëherë të mjafton edhe thjesht të hapësh televizorin apo të lidhesh me rrjetet sociale.

Sado i fuqishëm të jetë mjeti i komunikmit, rezultati i një operacioni propagandistik varet gjithmonë nga qëllimet dhe mjeshtëria e propaganduesit. Ja pikërisht kështu, më shumë se sa mjet, propagandën do ta cilësoja si mjeshtëri.

Ju bëni një studim historik të propagandës nga mesjeta e deri në kohët moderne, besoni se teknologjia dhe media janë arsenali i rëndë i propagandës sot?

Pavarësisht se ‘Breve storia della propaganda’ është strukturuar si një libër historik, në të vërtetë thellohet gjerësisht tek simbioza mes mediave dhe propagandës. Madje, qëllimi fillestar ishte që të provoja raportin e shkëlqyer mes tyre. Të thuash që propaganda përdor mediat për të arritur qëllimet e saj dhe kaq, rrezikon të shohësh vetëm një anë të medaljes. Po të ndalemi te ky raport nga një këndvështrim i anasjelltë, zbulojmë se ka qenë pikërisht qëllimi propagandistik i cili në shumë momente kyçe i ka dhënë shtysë të paprecedentë zhvillimit teknologjik apo rritjes së masivitetit të disa mediave.

Në fillesat e saj, në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe radio u kthye në një media masive për shkak të qëllimeve komerciale apo të nevojave pedagogjike të këtyre vendeve. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vende të tjera, të cilat në të njëjtën periudhë rrëshkitën me të dyja këmbët në autoritarizëm. Në Italinë fashiste, nga një media e nënvlerësuar dhe që i përkiste vetëm një pakice të pasur, radio u transformua në mjetin kryesor të informimit për miliona italianë (shumë prej tyre ende analfabetë). Ishte qëllimi propagandistik ai që e ktheu radion në median më popullore në vend. Ndërsa po në të njëjtën periudhë, Gjermania naziste ndikoi jo vetëm në përmbajtje, por ndryshoi përgjithmonë fizionominë e vetë mjetit. Radio nuk ishte më një mobilje e rëndë dhe simbol prestigji i borgjezisë së kohës. Vetë aparati u bë më i lehtë dhe shumë më pak i kushtueshëm. Në vitin 1939, në prag të Luftës së Dytë Botërore 70% e familjeve gjermane kishte një aparat radio në ambientet e shtëpisë. Bëhet fjalë për një nivel shpërndarjeje shumë herë më e lartë se në të gjitha vendet ku kishte “shpërthyer” radio komerciale. Të gjithë duhej të dëgjonin fjalimet e Fryherit.

Si e sheh rolin e medias dhe epokën e rrjeteve sociale që ne po jetojmë?

Shoh po të njëjtën simbiozë dhe bashkëjetesë, por tani gjërat janë bërë akoma më interesante. Mesazhet propagandistike, nëpërmjet rrjeteve sociale (e jo vetëm), janë më individuale e të personalizuara. Propaganduesit nuk i intereson që të na shohi si një masë homogjene. Përkundrazi, ai tani i ka të gjitha instrumentet që të na komunikojë individualisht, sepse na njeh mirë. Kemi krijuar një raport më intim me të. E kemi në xhep praktikisht. E shëtisim nëpër qytet dhe ndajmë me të opinionet tona, çfarë konsumojë apo çfarë na bën “to feel exited with”. Duke bërë pak me hile, si në rastin e Cambridge Analytica, ai i përdor rrjetet sociale për të na influencuar zgjedhjen (apo konsumin). Duke na dhënë pikërisht çfarë duam, propaganduesi na i ushqyen bindjet deri kur ato kalcifikohen dhe bëhen kokëforta edhe para të vërtetës. Por ky është thjesht një nga efektet kolaterale të dëshirës sonë të pakontrollueshme për të bërë scroll. Nga ana tjetër, nëse duam të organizohemi kundër propaganduesit apo që ta demaskojmë, tani e kemi akoma më të lehtë. Sërish, falë rrjeteve sociale dhe teknologjive të reja.

Në të gjithë këtë histori mediat tradicionale i shoh të pozicionuara goxha mirë. Shumë prej tyre po bashkjetojnë më së miri me mediat dixhitale. Po asistojmë një konvergjencë teknologjike dhe botëkuptimesh e cila ngjan e natyrshme. Gjithçka si më parë. Përtej rutinave të reja që kanë lindur, asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket raportit me të vërtetën. Ndaj, po u kape duke gënjyer apo duke thënë pjesërisht të vërtetën, mbetesh një copë m*ti si gjithmonë.

Të qëndrojmë pak tek fuqia që ka propaganda mbi publikun, a mund të themi se ajo është art dhe se jo çdokush mundet ta përdori atë?

Të gjithë e kanë potencialin të propagandojnë idetë apo qëllimet e tyre. Besoj tek “talenti”, por gjithsesi rrethanat janë ato që bëjnë diferencën. Kush ndodhet në një pozicion më të disfavorshëm i duhet të tregohet më kreativ në përmbajtje dhe në kanalet e komunikimit që përzgjedh. Ndërsa kush zotëron pushtetin ka më shumë mjete në dispozicion dhe e ka më të lehtë të legjitimojë mesazhet e veta. Sërish, pozicioni i favorshëm përmban rreziqe si ekspozimi më i lartë në media apo paragjykimin “se ta do puna të komunikosh të vërteta komode”.

Më shumë sesa art, propagandën e shoh si një veprimtari me përqasje më shkencore. Historia tregon se kush i bën detyrat e shtëpisë ia arrin gjithmonë qëllimit.

Një nga shembujt që merrni edhe ju në libër është propaganda që përdori Hitleri tek gjermanët dhe   jo vetëm, për rracën ariane. Si ka mundësi që masat mund të hipnotizohen kaq kollaj të themi?

Çfarë nuk kam përfshirë në libër është pikërisht periudha para se nazistët të ngjiteshin në pushtet e të merrnin kontrollin e Rajshtagut. E kam bërë jo pa qëllim. Përgjegjësi i propagandës në partinë Nacional-socialiste, Jozef Gëbels ishte një nga novatorët më radikalë të fushatave elektorale. Madje, fushatat elektorale të ditëve të sotme përdorin (në mos i kanë borxh) një pjesë të teknikave dhe të mjeteve të përdorura nga Gëbels në vitet ‘20 – ‘30. Pavarësisht gjenialitetit të nazistëve në të bërit propagandë elektorale, sërish ata nuk i fituan kurrë zgjedhjet me votë të lirë. Edhe kur u konfirmuan si parti e parë, në vitin 1932 nacional-socialistët përfunduan në opozitë me 37.3% të votave. Kjo tregon se shumica dërrmuese e gjermanëve nuk besonin te pallavrat e Hitlerit, edhe kur demokracia dhe ekonomia e vendit ishin në ditët më të vështira. Pavarësisht se i kishin të gjitha kushtet në favor, nazistët në të vërtetë ishin propagandues amatorë, me një ideologji të përciptë dhe antipatike për shumë gjermanë. Idetë e tyre nuk mund të qeverisnin vendin. Nazistët e morën pushtetin me dhunë, duke krijuar tension në të gjithë Gjermaninë, e më pas duke e pozicionuar veten si zgjidhja e një situate që e shkaktonin po vetë.

Fill pasi morën qeverisjen e vendit, Gëbels dhe Hitleri ndryshuan totalisht strategji. U mobilizuan ta fitonin “pëlqimin” e gjermanëve me pahir, pasi nuk kishin më kohë e as dëshirë të qeverisnin në paqe me mendimin ndryshe. Krijuan Ministrinë e Propagandës, e cila mori kontrollin e çdo medie dhe të çdo fushe kulturore në vend. Mediat e pavarura dhe të opozitës u bastisën ose iu vu kyçi pa pikë mëshire. Kinemaja, teatri dhe publicistika u kthyen në organe të partisë. Inteligjenca u internua, u eliminua ose u detyrua të linte vendin. Në pak muaj nuk mbeti askush dhe asnjë kanal komunikimi që mund t’i bënte oponencë vizionit nacional-socialist. E vëreta doli në ilegalitet. U sajuan festa të reja kombëtare, të cilat celebronin mitet e Gjermanisë, por duke grabitur hijen e ceremonive dhe të simbolikave fetare. E gjitha kjo për të sugjestinuar psikologjikisht gjermanët. Këta të fundit nuk i shoh dot si të hipnotizuar e as të gënjyer. Kam përshtyojen se supermacia raciale, diskriminimi apo anti-semitizmi u pranuan sepse nuk mbeti asnjë vlerë tjetër për ta mbajtur komunitetin bashkë.

Ku qëndron mistika e gjithë kësaj fuqie?

Nuk më pëlqen të bëjë romantikun me këtë temë. Në rastin gjerman nuk shoh asgjë mistike. Elimino zërin e lirë. Përsëriti mbroçkullat e tua kudo ku mundesh dhe aq shpesh deri kur të biesh edhe vetë viktimë e tyre.

Ku mundemi ta ndajmë propagandën nga ideologjia?

Ideologjia është besim, projekt politik, sistem vlerash apo një vizion mbi botën. Propaganda është instrumenti më i fuqishëm për ta bërë ideologjinë tënde “ngjitëse”.

Ndalojmë pak tek aktualiteti ynë politik, sipas teje cili lider shqiptar ka qenë më shumë i talentuar për ta përdorur në shërbim të pushtetit të vet propagandën?

Gjatë historisë së Shqipërisë totalitare apo të pushtuar, padyshim që rasti më sugjestionues është regjimi Hoxhist. Partia i dha formën e saj gjuhës, e për pasojë i dha formë edhe mendimit. Metodologjia me të cilën propagandonte veten Shqipëria totalitare ka lënë ende pasoja në mënyrën se si shoqëria jonë në ditët e sotme subvencionon kulturën, si e trajton të mirën publike apo si e merr për të mirëqenë arsimin. “Njeriu i ri” që krijoi ai sistem, ende sot e kësaj dite reziston apo shkon në amok sa herë vizioni i tij mbi botën has në alternativë.

Pas viteve ‘90 (dhe për një kohë të gjatë në vazhdim) mendoj se akush nuk e konkuron mjeshtrinë propaganduese të aparatit Rama. Ish-kryebashkiaku i Tiranës dhe Kryeministri i vendit e ka vërtetuar disa herë radhazi që di si t’i lexojë shqiptarët dhe si ta ushqejë imazhinarin kolektiv. Kjo gjë shkon përtej sukseseve elektorale. Rama i bën detyrat e shtëpisë përsosmërisht. Ai në verë lexon David Ogilvy, ndërsa në dimër merr rolin e babagjyshit nëpër studiot televisive. Nuk e ka të nevojshme të shfaqet si timonier i ndonjë rrangulle të propagandës qeveritare. Rama i ka dyja duart në industrinë mediatike dhe kulturore të vendit tonë. Le të kujtojmë bashkëpunimin me West Side Family, ku për ironi bërtiste me megafon (totem i propagandës) apo atë xhiron nëpër Tiranë duke i hedhur dritë fasadave në “Dammi i Colori”. Diku si këngëtar popullor e diku tjetër si intelektuali artist, Rama është i gjithëpranishëm, madje edhe si stilist i fanellës së Kombëtares. Përqasja e tij ndaj rrjeteve sociale nuk njeh precedent në të gjithë globin. Ndryshe nga ndonjë “copy cat” në partinë e tij, Rama nuk ka zgjedhur videot e parapërgatitura, por rrugën më të vështirë (e frytdhënëse): presionin e performancës LIVE në ERTV. Me daljet e tij online në ERTV, në të njëjtën kohë që krijon eventin automatikisht edhe e bën lajm, duke i kthyer mediat e vendit në ndjekës. Kjo shpjegon irritimin si dhe kapitullimin pa kushte të njerëzve të këtij sektori. Duke influencuar axhendën mediatike në vend, Rama e ka kthyer pjesën më të madhe të mediave në megafonët e tij personalë. Kush do të guxojë të detoksifikojë shqiptarët nga Rama e të korri sukses elektoral ndaj tij, duhet të bëjë shumë më shumë kilometra nga zakonisht. i duhet të vihet që tani në kërkim të përmbajtjeve dhe kanaleve ende të pa zotëruara nga askush..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *