Nga Liridon Mulaj
Ekzistojnë tri të tashme sipas Shën Agostinit: E tashme e shkuar, e tashme e tashme dhe e tashme e ardhme. Tri kohë të cilat intensifikojnë raportin e njeriut me kohën dhe intervalin e saj brenda individit.. Brenda kësaj kohe domosdo gjenden tre frekuencat e saj kryesore të cilat në një farë mënyre na zgjojnë tre elemntë të lidhura ngushtë me ne , kujtesën e së shkuarës, realitetin e së tashmes si dhe frikën e së ardhmes. Këto janë tre elemente të cilët kufizojnë njeriun në sinore të sakta dhe herë herë të detyrura. Por sërish mës këtyre tre kohëve, njëra funksionon ndryshe, e tashmja e shkuar , pra ky fragment kohor i cili shpesh bie pre e manipulimit duke kushtëzuar dy kohët e tjera. Kjo mund të thuhet në rastet kur e shkuara e individit, përmban çaste dhe veprime jo të denja, të destinuara për të qënë përndjekëset e tij. Për këtë arsye shpesh ajo e tashme e shkuar që kërcënon me te tashmen të tashme, shtrembërohet, manipulohet, luftohet.
Ka një fashë individësh të cilët këtë manipulim e kanë moton e jetës, të asaj të tashme e cila qëndron në zgrip të humnerës, të një humnere të afërt e cila është aty, kërcënuese dhe stoike, gati për të përthithur. Kjo fashë individësh janë ata të cilët jetuan lavditë e sistemeve totalitare derisa kur kjo e fundit u gjend në grahmat e fundit, e ku më pas ndërruan lëkurën e tyre dhe iu përshfaqen shoqërisë si të pastruar nga një e keqe sipas tyre e përbashkët. Nga një vorbull fajesh e benefitesh të cilat krejt padrejtësisht e ndanë shoqërinë në “Ne” dhe “Ata”. Në romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçka, na shpaloset në mënyrë mjeshtërore ky fenomen i shndërrimeve njerëzore nga përndjekës në të përndjekur. Nga persekutorë në të persekutuar dhe himnizimi i shprehjes fatale : “Ashtu ishte koha” si një fletë e fundit e atij blloku që bashkon fatet dhe i përzien ata në vorbullën manipuluese të asaj kohe të mbrapshtë. Fisi Bendo me poetin Benjamin, me diplomatin Vladimir.
Me Sadikun dhe Bejto Bendon, të pushkatuarin që nuk e zinte varri brenda pa i shkruar një letër lamtumire diktatorit. Romani është i shkruar më një mprehtësi të jashtëzakonshme ku hera herës i lë vendin groteskut dhe dhimbjes, të shkrira aq natyrshëm në njëra tjetrën, si pjesë të pandara të një kohe të pazakontë. “Diseksioni” me të cilin shkrimtari e kryen këtë proces të jep efektin e një shkrimi të qartë dhe “agresiv” kundër shpurës komuniste manipuluese. Një “akuzë” shpesh drejtuar dhe asaj kategorie individësh të cilët ishin përgjegjës për artin dhe kulturën e vendit, lidhjes së shkrimtarëve të etiketuar pa asnjë drojë , leva të pushtetit.
Nuancat e këtij “agresiviteti” shprehur krejt me objektivitet dhe qartësi, e rreshtojnë Ylljet Aliçkën përkrah atyre të paktë intelektualë të cilët guxojnë nëpërmjet letërsisë të thonë pa dorashka të vertetat e një kohë që si dështim i njerëzimit u ngrit në mesin e Europës. Letërsia bazohet mbi kenaqësitë estetike por kjo kur nderthuret me të vërteta historike e rrit misionin e saj , dhe e shtyn atë drejt një lexuesi reflektiv, që lexon dhe mendon, që lexon e ndryshon dhe më pas kërkon nga rrethi të cilit i përket një realitet ndryshe, një mburojë për të mos lejuar dehumanizimin e qënies, si qëllim parësor i sistemit të shkuar. Dhe sërish atij lexuesi i cili nuk e ka jetur atë kohë, i kujton se e tashmja e tashme nëse nuk jetohet mes parimit se njeriu meriton të jetojë si i tillë vetëm nëpërmjet dashurisë, rrezikon që në të ardhmën të tentojë të manipulojë vetveten e nepërmjet vetvetes dhe kohën e tij. Njeriu i përket kohës, dhe në mes të asaj kohë që i është dhënë në tokë, i mbetet atij e drejta e gjithashtu detyra që brenda metarmofozës së tij, të mos ketë vend për manipulim për të jetuar, në të kundert është i destinuar të jetë instrument i ripërsëritjes së anës së errët të historisë, asaj historie që pjell diktatura për të mos i çrrënjosur kurrë.