Poeti i njohur Petrit Ruka është ndarë nga jeta ditën e sotme. Miku i tij, Ilirian Zhupa shkruan se me ikjen e tij edhe “Unë ndihem gjysmë”.
Ndërsa Preç Zogaj, thotë se Petriti “e mundi vdekjen në mënyrën më të qenësishme sesa t’ia hidhte një sëmundjeje”.
“Një humbje e madhe për poezinë shqipe. Të gjithë ne, miqtë dhe kolegët e tij, bëhemi më të vegjël nga kjo humbje. Para një viti e pashë në spital pasi kishte dalë nga operacioni. Kishte një pamje të qetë, qëndisur me buzëqeshjen e tij karakteristike.
Të shkonte mendja se e kishte fituar përgjithnjë betejën. Në fakt Petrit Ruka fitoi shumë beteja në jetën e tij prej krijuesi dhe intelektuali. E mundi vërtetë vdekjen në një mënyrë më të qenësishme sesa t’ia hidhte një sëmundjeje.
Ngushëllimet më të thella familjes. Përqafime ty, i dashur Ilirian. Petriti ishte bashkudhëtari yt më i afërt, ju ishit e mbeteni nje dyshe e poezise së madhe me pikënisje nga treva e Tepelenës. Duhet ta dish se sot ndjehem më shumë se asnjëherë tjetër tepelenas, përkrah teje, në përjetimin e kësaj gjëme”.