Nga Ervin Nezha
Në rrjedhën e kohës, historitë përsërisin vetveten. Dymijë vjet më parë, në një darkë të paqartë, të mbuluar nga mjegulla dhe misteri, një burrë i quajtur Jezus, para dishepujve të tij në Jeruzalem, do të parashikonte fundin dhe tradhtarin. Ka pasur shumë polemika, interpretime, mistere për atë darkë. Një darkë e tillë, do përsëriste veten dy mijë vjet më vonë, tanimë në Gjirokastër, në një roman të Ismail Kadaresë.
Dhe ja se si: “ Dy shokë universiteti, Doktor Gurameto i madhi, takohet me kolonelin e tankeve Fritz von Schwabe ardhur si akupator në Gjirokastër, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka shumë arsye, për të pasur një darkë-takim mes dy miqëve të shkollës. Koloneli gjerman ndihet i tradhtuar nga thyerja e kodit zakonor të Kanunit të Lek Dukagjinit, mbasi mbi ushtrinë e Rajhut, janë shkrepur armë, ndërsa përligjia e darkës për doktorrin është shpëtimi i pengjeve të qytetit.
Në një farë mënyre kështu zhvillohet një darkë, e mbuluar nga misteri, nata dhe paqartësia e asaj që ndodh. Dhe për të nxjerrë një darkë nga mjegulla e misterit, duhet gjithmonë një “Judë”, i cili këtë herë qëllon të jetë një oficer i Gestapos, që ka vepruar jashtë syrit të rrëfimtarit, personazheve dhe lexuesit, dhe që bëhet syri dhe veshi i asaj që ndodh aty dhe që do të ngjasë më vonë, përmes shënimeve të tij.
Në pjesën e dytë të romanit, është romanthi brenda romanit, i Shaqo Mezinit, një personazhi, simbol i rehabilitimit të figurës së tjetrit në letërsinë shqipe, që jo domosdoshmërisht duhet të paraqitet si “i kithti”. Përkundrazi Shaqo Mezini është normali, një personazh njerëzor, veprimet e të cilit , janë plotësisht të justifikuara, nëse kemi parasysh edukimin e tij, dhe nivelin e intelektit.
Nëse në pjesën e parë të romanit Gurametoja, është fokusi, ndërsa të tjerët, tipa personazesh esencialë, pijanecë, karagjozë, derdimenë, thashethemexhinj që lëvizin si hije, në sfondin e romanit, duke shërbyer thjeshtë si personazhe Gaxhet, që zotërojnë një informacion, e japin dhe më pas treten, në pjesën e dytë, fokusi është Shaqo Mezini, ndërsa Gurametoja, është hija, që përbën sfondin, e kësaj pikture dhe dramën e hetuesit.
Të dy këta personazhe, i lidh Gjirokastra, por i lidh dhe një personazh i tretë, Fritz von Schwabe dhe trilli i sajuar prej tij, që ngjall një histori të vjetër, gjirokastrite. Historinë e të vdekurit, që shkon për të bujtur, i ftuar gabimisht nga ftesa, që djali i të zotit të shtëpisë, e hedh mbi varrezat e qytetit.
Fritz von Schwabe, nuk është Fritz von Schwabe, por Klaus Helmpf ndërsa këmbimi i identitetit, me shokun e vërtetë të Gurametos, e shëndron padashje Gjirokastrën në qëndrën e Globit, ku mendohet se po luhet një komplot i madh, komploti i bluzave të bardha, i udhëhequr nga organizata terroriste e hebraike e “Xhonsit”.
Vetëm një mendje brilante si Kadare, mund të ndërtojë, një botë të trilluar, kaq të besueshme, sa pavarësisht, dendurisë së rasteve, situatave të koklavitura, intrigave të krijojë një qartësi të tillë, ku gjithçka të ndihet e përligjur.
1. A është historia e Doktor Gurametos vetëm një histori për tu rrëfyer?
Një subjekt i shkruar keq, i ngjan një “fëmije” që lind i vdekur. Romani i Kadaresë ka më së pari, vlera estetike. Është një tekst me aq shumë nënshtresa kuptimore, sa edhe në ato kapituj, ku stuhia e intrigës qetësohet, vigjilenca e lexuesit, është e pamundur të ulet, sepse mendon se po bie në grackën e një trilli, që sapo ka nisur të ngjizet. Për ta ilustruar këtë që dua të them, mund të shërbejë kapitulli, “ Zi Gratë”, i cili edhe pse duket si i futur mekanikisht, brenda romanit, jep në mënyrë alegorike dhe groteske, ndërtimin e rendit të ri socialist, sidomos, farsës së asimilimit gjinor, të proklamuar në emër të barazisë gjinore nga komunistët.
Nga ana tjetër, Kadare, na servir një pamje, se ç’ndodh me individin, kur këmbimi i autoritetit, është i vazhdueshëm. Në një hapësirë relativisht të shkurtër kohore, qyteti kalon nga duart e italianëve, te gjermanët, deri pastaj te komunistët , shto këtu edhe mbetjet e ish Perandorisë Osmane. Për atë që mund të jesh, mik, i dëshirueshëm, i pranueshëm për tjetrin mund të jesh armik, i padëshirueshëm, i papranueshëm, madje i rrezikshëm. Kjo vjen për faktin, se askush nuk mund të jetojë si ishull më vete, i pandikuar nga të tjerët dhe pa vepruar me të tjerët.
Fraza dëshpëruese e doktorit … “Ah ajo darkë…” mund të orientojë lexuesin, drejt leximit të hullisë së zakonshme njerëzore, të njeriut që nuk zhbën dot gabimet e së shkuarës. Madje, nuk do t’i zhbënte dot, edhe sikur të mund të kthehej pas për t’i ndrequr. Është pikërisht ajo që u thotë Jezusi, Dishepujve, -gjërat do ndodhin kështu se janë të shkruara të ndodhin.
2. Këmbimi i identitetit, plotësimi i kushtit ideal nga mungesa e vëzhgimit.
Vëzhgimi në roman, si vëzhgim brenda një bote të trilluar që funksionon me ligje të pavaruara nga bota e njëmendësisë, ka karakter fragmentar. Si rregull, ngjarjet, personazhet, skenat ekzistojnë për aq kohë sa ne arrijmë t’i vëzhgojmë përmes procesit të leximit.
Kështu është normale, që një personazh të qëndrojë në fokus dhe masandaj të zhduket për kapituj të tërë. Si rregull, rishfaqja e tij, sidomos gjatë metamorfozave të dukshme, duhet të shpjegohet nga autori, për të mos kompromentuar besueshmërinë e ngjarjes. Ose personazhi duhet të shpjegojë ndryshimin ( çfarë ka ndodhur me të). Në rastin e Klaus Helmpf-it që vjen si Fritz won Schbawe, kushti i këmbimit të identiteve, është gati perfekt. Ky këmbim, kryhet jashtë vëzhgimit të lexuesit, dhe del e qartë vetëm nga të dhënat e paraqitura fillimisht nga hetuesi gjerman, e masandaj nga ai, rus. E vetmja pikë kompromentuese për besueshmërinë e ngjarjes, mbetet pyetja e thjeshtë “pse”?
(Pse Klaus Helmpf prezantohet si Fritz von Schwabe? )
Përligjia, vjen nga historia e të vdekurit, që ngrihet nga varri për të bujtur. Ajo është ana tjetër e monedhës, inercia e ngjarjes, ndryshojnë vetëm motivet, diametri është njëlloj.
Për mua, zgjedhja e Klaus Helmpfit nëse është iracionale, pra instiktiktive, ka mundësi që zanafillën ta ketë, te një ndjenjë sentimentale, të lindur në spitalin fushor të Ukrahinës, për Prince von Shwaben e vërtetë, i cili nuk kishte mundësi të takonte më i gjallë mikun e tij shqiptar sepse do të vdiste. Kështu, vdekja e Gurametos, në leximin tim, e cila është rrjedhojë e një veprimi spontan të Klaus Helmpf-it, vjen si mënyra e vetme e bashkimit të dy miqëve të vjetër, tashmë në botën e të vdekurve. Ndaj ky ribashkim, ndodh atëherë kur Gurameto në agoninë e fundit, nuk gjen të lidhur pranë vetes Gurameton e Vogël, siç mendonte, por dikë tjetër, një figurë të paqartë.
Dhe nëse zgjedhja e Klaus Helmspf-it është racionale, pra e qëllimshme, ka mundësi që historinë e vjetër të “ të vdekurit”, ai ta ketë dëgjuar në spitalin fushor, nga Prince Von Shwabe dhe ka dashur, ta zgjojë këtë histori rrëqethëse.
3.Cili është viktima e vërtetë e trillit të sajuar nga Klaus Helmpf?
Karadeja thotë se darka u dënua nga të dy palët, dmth edhe Fritz von Schwabe i rremë, u dënua nga të tijët për darkën ku mori pjesë, ndërsa fati i tij nuk bëhet i ditur.
Viktima e vërtet e kësaj darke, nuk mbetet të jetë as Gurameto. Vdekja e tij, mund të kishte ardhur edhe pa u hetuar fare, duke e dënuar me damkën e tradhtarit që priti armiqtë e kombit për darkë. Hetimi i ngjarjes thjeshtë shërben jo për të zbuluar të fshehtat e asaj darke, të pëshpëritura vesh më vesh, por për të zbuluar në pah viktimën e vërtetë, “të vdekurin” e vërtetë, i cili, nuk është tjetër kush, përveç, Shaqo Mezinit. Një personazh tejet kompleks, tërë kohën në evoluim. Si fillim, i “sëmurë” nga deliri si anomali psikologjike. I devotshëm ndaj autoritetit që i shërben, e nis me besimin e plotë se ka në duar rastin që do ta bëj emrin e tij, qëndrën e botës, aq sa zbulimi i komplotit të “Xhonsit”, do ta uli në të njëjtën tryezë me “babën shpirtëror” Stalinin. Mendim tipik i një mendjeje prej mediokri. I gjithë procesi i hetimit, Gurameton e shëndron vetëm fizikisht, ndërsa hetuesin e rrënon mendërisht dhe shpirtërisht. Në fillim Shaqo Mezini, kërcënon, ngulmon, provon me të gjitha mënyrat, në fund lutet, derisa përfundon i dërrmuar.
Vdekja e Stalinit, e trondit. Tanimë çdo ëndërr e tij ka vdekur bashkë me “babain e madh”, në jetën e tij i ka humbur të gjitha, karrierën, ëndrrat, të dashurën dhe dinjitetin. Simbas tij, fajtori kryesor është Gurameto. Ai Gurametoja shpërfillës, që e simpatizonte që i vogël. Gurametoja që zotëronte gratë e qytetit, dhe që i shpërfillte të gjithë.
4. Një doktor për të shëruar Stalinin dhe një kronist i verbër, për të dëshmuar darkën…
Galeria e personazheve të veprës është e jashtëzakonshme. Çdo personazh lëviz brenda një sfondi të mjegullt, por nga ana tjetër, brenda një perimetri të përcaktuar qartë. Ndoshta, mund të ketë arsye biografike, por zgjedhja e një doktori, nuk është e rastësishme.
-Stalini po vdes, po mbytet, shpëtoje doktorr,-klith Shaqo Mezini. Sigurisht, ironia është therëse, Stalini “i pavdekshëm” pret të shpëtohet nga një doktorr i rëndomtë, në skajin më të parëndësishëm të kampit të madh socialist. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një kurim fizik, por metafizik. Gurametoja refuzon. A e shkel betimin e Hipokratit ? Ndoshta, po ! Cilido doktor, duhet t’i shërbejë kujtdo pacienti, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhet dhe pavarësisht mjeteve përmes të cilave mund ta shërojë.
Dhe në fund, personazhi mistik i verbër, që nuk ka parë në jetë as të gjallë, as të vdekur, mirëpo që është i pari, që i shkon iracionalisht më pranë të vërtetës. Ngjarjet e mëdha kërkojnë dëshmitarë “të verbër”, që nuk merren me detajet por me thelbin. Nëpërmjet këtij marifeti, këto ngjarje, behen mitike, kanonizohen dhe bëhen të pavdekshme, njëjtë si te Iliada e Homerit.
3 korrik 2021