ERVIN HATIBI
ATDHEU TURIST
Kamarda ishte këtu
Pantallonat e shkurtra
Aparatin fotografik nuk e shqiste dore
Vërtik kokën me flokë të bardhë linçuar
Flokë të bardhë, vargan turistësh me kërcinj konserve
Plakë prej shëndeti dhe qershori
Nën bluzat e bardha lisho e vesh trupin
Zhurmë zanoresh janë thithat gjinore
Tek hapin rrathë të shtrembër në ujin e ndenjur te bluzës
Çfarë drithërash Kamarda, plot
Jot shoqe parkon në pleqërinë poshtë bluzës
Nuk e lëshon aparatin, emri i markës
Me Y greke, që ndryshe kalamajtë e shqiptojnë
Të pisët lypin çamçakiza e qindarka
Të pisët, të shprishur gjaku
Plaka shtrëngon
Qemerin e kishës, që sapo doli
Ata shkruajnë se ishin aty
Të dy çift pleqsh
Kamarda kthehu në katund.
Aparati fotografik, aparati fotografik
Kërcinjtë, falanga falangjesh, turistët e zbardhur
Turistët, turistët, me flokë të bardhë, të verdhë
Kisha ku u martua Kastrioti
Ishe aty Kamarda
Shtrëngonit aparatin fotografik, këtu të vjedhin
Dy cicat si një autobus i vetëm përmbi hartën gurore e pluhur
Qumësht pluhur ish-qumështi italo-shqiptar
VAJZAT E TRANZICIONIT
Më mbaruan cigaret në stacion të autobusit
Duke pritur revolucionin tjetër
Këtu kam mbetur
Gozhdë e përzhitur, e shtrembëruar
Nëpër shkrumbin e kishës së djegur.
Si nëpër pistoleta me mulli
Të gjithë janë futur kokë me kokë
Nëpër shtëpi
Gjithë revolucionet të parafundit janë
E gjithnjë jeta ime e fundme, e fundit
Lirë m’i bleve lotët, m’i bletë
Krejt trupi më dhimbte nga dashuria
Për popullin e barrikadën.
Dua të vdes e ta harroj
Ta vjell. Dua të vdes kot
Ose hiç të mos vdes nëse duhet
Të vdes me qëllim
Do marr një lypës të mitur mulat
Ta ngroh e ta rris ndyrë
Ju ftoj të gjithëve në strofkën time
Të më pështyni në fytyrë
Veç të mos më provokojë njeri me plagët e veta.
Por rroftë, rroftë flamuri i ri
Edhe çdo dashuri e vjetër
Në ardhtë prapë dita, në rrugë prapë do jem
Me gurë do godas patjetër
Ata që janë grumbull
Dhe ata që do rrinë vetëm.
1991, “6 maç” (1995)
PARFUMI YT
Ti je? Ti je? E njëjta?
Goja jote varr i gjallë detar
Me aromën e fërnetit
Të puthitur trupat tanë nga frika
Në kërkim të mejhaneve pa garipa
të portit
Por ama me “zhurmë e tym” i kërkonim
Që askush të mos na shihte kaq pa frymë e të përkryer
E kështu s’e gjenim një të tillë, këmbët e rënduara
Si shishe na thyheshin në mes
Puthjet e rërën me brazda plagosnim
Në gjurmët tona të thella varrosnim
Gjithë vitet që kishim kaluar pa u njohur
Buzë detesh me emra të ndryshëm
Ajo natë në dritare si pulë e zezë
Ngrohte të vetmen hënë vezake
Nga ku del gjarpri i gjithë mollëve
Mollët e tua të bardha
Bashkë i kafshuam
Dhe të nesërmen i mallkuam, kur
I njëjti autobus u nda më dysh
Për të na degdisur në drejtime të kundërta
Tani
Me një guxim të mjerë
Nuhas gjithë ditën, të betohem
Gojët e shokëve në klub, për atë Zot
Është era e saj
ZONË USHTARAKE
Zonë ushtarake, adriatike, Bisht` i Pallës.
Pasdite e korrikut, monedhë e florinjtë
me profil mbreti, në gojën e mbyllur të një fëmije
që nuk e di ku shkon.
(Atyre që e dinë u dhemb).
Pasdite e prillit-gisht këmbë me thoin e porsaprerë
mbi një qilim Persie plot flaute e zogj.
Ky është Bishti i Pallës, ky është emër gjiri
pasdite për pasdite
rrethuar me revani të thata kodre: dhe deti përpara
si xhami në kornizën e sapovarur në një agjenci
udhëtimesh.
Mbyllur gjithë lumturia në një epruvetëz trishtimesh,
rërë e lagur gjer në kërci
dhe kërcunj bie deti në gjinj, dhe mijëra shishe
plastike,
pa asnjë mesazh,
dhe kukull-foshnjë me kokërdhokë gome,
dhe gjurme qeni në ranishtet bie deti,
dhe dhëmbë të thyer guaskash.
Lufta ime me gënjeshtrën dhe harresën
prodhon poezinë për gjirin tim
hermetik të Bishtit të Pallës, zonë ushtarake
shkurre çeliku,
kuba betoni rrëkëllyer nga Enver Hoxha, ngulur jeshile
përgjysmë në plazh.
Vij të gjej detin vetëm me gjire ushtarake kubane
në postblloqe e zona të minuara i vidhem
publikut,
në plazhe të një virgjërie ruajtur dhunshëm nën
infibulacione
të Traktatit të Varshavës.
Nudistët, heroinomanët, muslimanët me mjekra të gjata,
serfista intimë të palavdi,
të përndjekur, po në luftë me shoshoqin për
ekskluzivitetin
e Gjirit
të Bishtit të Pallës; topitur toponimia nën
diell,
larg harresës popullore dhe policisë
e sidomos larg grarisë, isha në punën time, gati vetëm
në kilometra të drejta-lagur me ujë, tharë me rërë
me kokën plot gjëra të vjetra,
duke qëmtuar me nge si në librari
nëpër sqetullat leshterikë të plazhit,
kur ja, gjeta (dhe zemra më kumbon si gomone)
gjeta pas një blloku betoni, betohem,
një shiringë të hollë të heroinës
dhe
një palë mbathje gjumi.
Një shiringë të vdekur, me një thep të vjetruar gjaku
në fytin e tejpashëm.
Kurse përbri, një palë mbathjesh të lagështa, ende të gjalla,
me lule të errëta gocash,
elegante si një klavikul e zier deleje
në fytin tim.
……………..
Pasdite prilli apo shtatori apo maji,
me të rënkuar rrëmova
rërën
dhe hapa gropën
dhe ngaqë nuk më nxinte,
varrosa thjesht
shiringën, me agën e thellë si orgazma,
dhe ato të tjerat-lulet një nga një,
varrosur me rërë, diku vite me radhë,
në Bishtin e Pallës çdo pasdite,
në një gji sekret
me detin në të djathtë
dhe zemrën-bregdetare-në të majtë,
që dridhet jugut
ku balli merr kokrra rërë në çdo përkulje,
në ca vende, o shok, mund të shkohet vetëm
duke vdekur më parë.