E ndershme deri në ditën e fundit në këtë botë

ENVER ROBELLI
(Me rastin e vdekjes së gazetares Gordana Suša)
Më 1987 Sllobodan Miloševići mori pushtetin në Lidhjen e Komunistëve të Serbisë. Menjëherë pasuan goditjet kundër kritikëve të paktë – brenda dhe jashtë partisë. Në mediat e regjimit cak i sulmeve të shërbëtorëve të Miloševićit u bë Gordana Suša, atëbotë gazetare e televizionit të Beogradit.
Gordana Suša i qëndroi besnik parimit se të keqes duhet t’i dilet përpara në fillim, jo në fund, kur tashmë dëmi është shkaktuar. Në fillim shumica e serbëve u përfshinë në dalldinë nacionaliste. Kush kundërshtonte retorikën luftënxitëse, shpallej tradhtar ose tradhtare. Në dekadën e fundit të jetës së saj Gordana Suša përjetoi kthimin në pushtet të nipave politikë të Miloševićit. Edhe kundër tyre shkroi siç shkroi kundër Miloševićit. Karrierën e Gordana Sušas e karakterizuan: profesionalizmi, nderi dhe respekti. Jetoi me dhe për bindjet e saj – dhe nuk i tradhtoi kurrë ato, as kur falangat mediale të pushtetit e sulmonin. Dhe e sulmonin sepse ishte kundërshtare e agresionit serb nga Sllovenia në Kosovë.
Sot Gordana Suša vdiq në moshën 75-vjeçare në Beograd pas një sëmundjeje të rëndë. Nisi të merrej me gazetari që gjatë studimeve të shkencave politike, në fillim të viteve 70-të. Në mbarë Jugosllavinë e atëhershme ajo u bë e njohur si raportuesja më e mirë nga mbledhjet (shpesh të mërzitshme) të Kuvendit të Jugosllavisë. Kur në Serbi u ngushtua hapësira mediale, braktisti televizionin e Beogradit dhe iu bashkua televizionit YUTEL, i cili e kishte selinë në Sarajevë. Shkroi për gazetën Naša Borba, ndër të vetmet ku botoheshin tekste kritike kundër represionit serb në Kosovë. Më 1999 u zgjodh kryetare e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë.
Në kolumnen e saj të fundit për gazetën e pavarur Danas të Beogradit Gordana Suša u mor me fenomenin e falsifikimit të historisë nga ana e pushtetarëve të sotëm serbë: «Duke ndërtuar mitin mbi falsifikimin, të falsifikuarit po ndërtojnë mitin mbi veten».
Gordana Suša i qëndroi larg falsifikimit dhe hyri në historinë mediale të rajonit si luftëtare për të vërtetën. Ajo ishte bashkëbiseduese iluministe, kolege e sinqertë, njeri me humor të mençur, mikpritëse madhështore dhe e bekuar me kureshtje të përhershme profesionale. Me këtë karakter e personalitet ajo te popujt e tjerë nuk i shihte armiqtë, por miqtë e saj në betejën e përbashkët për paqe dhe prosperitet.
May be a closeup of 1 person


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *