Artistët ruajnë Teatrin natën, debat me Hervin Çulin në orën 3 të mëngjesit

Fatmira Nikolli – Në të 18-in muaj proteste për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Aleanca ka kaluar në rojë 24 orëshe të godinës që pasi e lanë të shkërmoqej po përpiqen t’i japin goditjen e fundit. Tri ditët e fundit, punonjës të TK-së të zhvendosur te “Turbina’ janë parë të kthehen për të marrë prej teatrit mëmë, kartonë me dokumente, rekuizita e kostume. Procesi është kundërshtuar nga aktivistë e artistë të Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit, sepse asnjë punonjës nuk ka me vete një dokument a urdhër nga ministria që i kërkon zbrazjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

 

Teksa gdhinte dita e shtunë në orën 3 të mëngjesit, pranë Teatrit Kombëtar është shfaqur drejtori Hervin Çuli i shoqëruar nga Artan Imami. Ai ka parkuar në oborrin mes dy teatrove kombëtar dhe mes Çulit dhe aktivistëve ka pasur debat me tone të larta për pasojat e veprimeve të tij dhe qëndresën e artistëve që po mbrojnë godinën ku ai është drejtor.

Kujtojmë se Çuli nuk i ka rezistuar kërkesës së qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar, çka ka sjell si pasojë sipas ekspertëve dhe aleancës humbjen e një trualli të konsiderueshëm dhe zhdukjen e një godine që përbën vlerë të shtuar për trashëgiminë kulturore.
I vënë para ‘kërkesës’ së llogarisë, Çuli më tej është larguar. Ndërkaq, të shtunën paradite një punonjëse u afrua për të hyrë në godinë me një kuti në duar, por mes saj dhe aktivistëve pati debat.
Me gjithë lodhjen 18-mujore, dhe orët e kaluar çdo ditë të këtyre 18 muajve në mbrojtje të godinës, duke i mohuar vetes punë dhe të ardhura, anëtarët e aleancës: duke qenë pro ruajtjes së Teatrit Kombëtar natën, me njerëz e me kamera, për ta ruajtur nga zjarri “aksidental”, pro barrikadës njerëzore për të ndaluar shembjen, nëse Kuvendi miraton kontratën me firmën private, në zbatim të ligjit special, janë kundër përplasjeve verbale e fizike me cilindo punonjës të TK, që respekton ligjin dhe autoritetin e titullarit. “Zbrazja e TK ka nisur plot një vit më parë dhe heqja e materialeve të fundit është sinjal se përplasja finale po afron, por kurrsesi jo kauzë për t’u fituar me përplasje, e aq më pak duke konsideruar palë kundërshtare punonjësit e thjeshtë të TK”, thotë Kastriot Çipi.
Në ditët në vijim ruajtja e teatrit do të vijojë të bëhet me turne dhe ndërkaq nis edhe survejimi 24- orësh me kamera. Në hapësirën mes dy teatrove kombëtarë do të ketë edhe një simbol të qëndresës, duke krijuar një ambient për aktivistët që kalojnë natën aty.


Mësohet se ministria i ka kërkuar Hervin Çulit të lirojë një pjesë të ambienteve të Turbinës që do të shërbejë si strehë edhe për Teatrin Eksperimental që javën e ardhshme.
Megjithatë në gjithë këto kërkesa mes teatrove e punonjësve të tyre dhe vetë ministrisë, ende nuk ka asnjë dokument të shkruar që kërkon lirimin e TKE apo Zbrazjen e TK-së. Pas turneve 24 orëshe, do të nisë survejimi me kamera për çdo lëvizje në 4 anët e godinës, duke i paraprirë tentativave për zjarrvënie të qëllimshme, sulmeve apo provokimeve të ndryshme.
Këto nisma vijnë në një kohë që ligji special për një PPP që shemb dy teatro për të ndërtuar një u kthye nga presidenti dhe u kritikua nga BE. Një rishikim i tij u bë në komision dhe aktualisht pritet hapja e një konkursi për të zgjedhur ‘fituesin’ ndonëse kjo çështje nisi si ofertë e pakërkuar e një kompanie.

PRONONCIMI
Regjisori Edmond Budina tha dje se jemi një grup qytetarësh që kemi vendosur të mbrojmë Teatrin Kombëtar, këtë vlerë të jashtëzakonshme, të kulturës shqiptare. “Jemi të bindur se kjo vlerë nuk duhet të shkatërrohet. Qytetarët e Tiranës, e kanë marrë perisper vetë këtë nismë, që ta ruajnë këtë teatër dhe e ruajmë edhe natën sepse kishim sinjalizime që këtu kamionët do të vijën dhe ta zbrazin përfundimisht teatrin. çdo gjë që ndodhet brenda teatrit, është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare. Aty ka shpata, unaza e sende që janë të fundit të 1800-ës, që kanë vlerë të jashtëzakonshme qoftë edhe si etnografi. Është e dhimbshme që këto materiale dalin dhe këtu ne nuk shohim asnjë urdhër, asnjë inventar, asnjë gjë. Qytetarët e Tiranës janë të shqetësuar me të drejtë”, nënvizoi Budina.

Sipas tij, dikush mund të thotë se ky nuk është teatri i qytetarëve të Tiranës për të ndaluar këtë zbrazje.
“Ne mendojmë se teatri është pasuri e jona ndaj qytetarët po e mbrojnë dhe do ta mbrojmë deri në fund. Nëse ne i lejojmë ta zbrazin dhe ta shkatërrojnë, do jetë një humbje e madhe jo vetëm për Teatrin Kombëtar por do jetë një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri se këtu ka shkelje të mëdha të Kushtetutës së Shqipërisë. Mendojmë se duhet përshkallëzuar mënyra e mbrojtjes. Këtu vijnë njerëz, marrin materiale e askush nuk e di ku i çojnë”, vërejti Edmond Budina. Ai shtoi se disa thonë që i çojnë nëpër tunele. “Materialet që janë këtu, qofshin ato të rekuizitës apo të kostumeve kanë nevojë të marrin ajër, nuk mund të vendosen kostumet në sëndukë, e këto sëndukë të mbyllen në një bunker a në një tunel, ose qoftë edhe në një magazinë. Kostumet nëse merren nga këtu duhet të rrinë të varura, janë pjesë e historisë së kombit shqiptar. Janë kostume të qepura, por janë edhe kostume origjinale. Qytetarët do të vazhdojnë ta ruajnë teatrin dhe do kalojnë në veprime konkrete” u shpreh regjisori që është pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

 

Zbrazja e Teatrit nënkupton shembjen e tij

Nga Elona Caslli*

Çdo ndërtesë para se të shembet boshatiset nga përmbajtja.

Do të fillonte zhbërja e përmbajtjes me heqjen e shkronjave nga godina e Teatrit Kombëtar, për ta tjetërsuar nga një godinë me emër, në një godinë anonime, ku gjithkush mund të lexonte shenjat e lëna nga shkronjat dhe asgjë më tepër.
Artistët dhe qytetarët e Tiranës i rivunë shkronjat e Teatrit për të dhënë mesazhin se mbi atë godinë është lexuar dhe do të lexohen gjithmonë veçse dy fjalë- Teatri Kombëtar.
Zhbërja e përmbajtjes do të vijonte me zbrazjen e Teatrit Kombëtar, për ta shndërruar në një hapësirë boshe.
Qëndresa ndaj zbrazjes së Teatrit Kombëtar është parakushti themelor për të shmangur shembjen e tij.
Qëndresa e sotshme ndaj punonjësve të urdhëruar për të boshatisur Teatrin Kombëtar ishte një qëndresë në kornizën e plotë të qytetarisë.
Videot e kësaj qëndrese janë provë e pangatërrueshme e këtij fakti.
Qëndresa nuk ka të bëjë me Punonjësit e Teatrit Kombëtar, të cilët janë fillimisht
vëllezërit e motrat tona dhe më pas punonjës të urdhëruar për të kryer një veprim të padrejtë.
Qëndresa ka të bëjë me urdhrin e mbrapshtë të një diktatori, i cili ngulmon të zyrtarizojë paligjshmërinë në këtë vend.
Boshatisja e Teatrit Kombëtar nuk zbraz vetëm një sallë Teatri. Shkon përtej saj.
Boshatisja në këtë rast zbraz shoqërinë nga koncepti i së drejtës.
Dhe në emër të së drejtës do të ketë qëndresë kundër zbrazjes për të parandaluar shembjen e Teatrit Kombëtar dhe shembjen e Drejtësisë në vend.
Nuk ka komb pa një të shkuar sikundër nuk ka komb pa një të ardhme.
Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke e fshirë të shkuarën veçse duke mbajtur një raport të drejtë me të.
*Aktiviste

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *