Nga Alda Bardhyli
Ju kujtohet kur keni ndaluar për herë të fundit në librari dhe keni blerë një libër? Apo, kur pas një dite të gjatë, keni fikur televizorin, e keni dashur të ndani mbrëmjen nën dritën e abazhurit e një libër në dorë? E më pas, teksa keni arritur ndoshta në faqen e 26, ndjeni sesi një kënaqësi e pashpjegueshme është shpërndarë e gjitha te ju, ndërsa kërkoni të vijoni këtë udhëtim të papritur në mesnatë. Mund të gjendesh papritur në qytetin e vogël të Hadleyburgut(nëse je duke lexuar Mark Twain) e të endesh në kërkim të një personazhi që nuk del kurrë në horizont, teksa dëgjon trishtimin e zonjës Richards, që i shpërndahet në fytyrën e bukur, që s’mund të largohet dot nga Edward. Që pas viteve 1900, ajo përpiqet të braktisë qytetin e një burrë por e pazonja të dalë nga rreshtat e një tregimi, vazhdon t’i ankohet çdo lexuesi për historinë e saj.
Ndërsa ke arritur në faqen 50, ajo vazhdon të të ndjekë duke përsëritur të njëjtat fjalë se “një ditë do ta lejë Hadleyburgun”. E humbur nën lexim, ju mendoni se ta ndihmoni zonjën Richards, duke i treguar oraret e trenit për një tjetër qytet, por teksa përpiqeni ta bëni këtë ajo ka humbur diku në faqen 59…
Por ti ndjen se nuk mund të jesh asnjëherë zonja Richardson, teksa kërkon të fikësh dritën e abazhurit për t’iu dorëzuar ëndrrave.
“Unë në asnjë rast nuk kam kërkuar t’i kulturoj klasat e kulturuara- shkruante në një letër dërguar Andrew Langut më 1889-tën, Twain, megjithëse letërsia e tij dhe pse e shkruar një shekull më parë, vijon të flasë lehtë e bindshëm masave.
Askush nuk mund t’ua bëjë më të lehtë rrugën, sesa një libër. Nga koha kur Twain ndërtonte qytete imagjinare e deri sot kur Elfride Jelinek ka ndërtuar një qytet të tërë vetëm për dashurinë, këshillat më të mira njerëzimi i ka marrë përmes librave.
Por në shekullin XXI, kur bibliotekat e mëdha të mbushura me klasikë po zëvendësohen me biblioteka virtuale dhe kur botuesit janë duke kërkuar metoda të reja promocioni që të mbajnë atë pak lexues që ka mbetur të letrës, në një kohë të rritjes gjithnjë e më tepër të lexuesit elektronik ruajtja e librit, ndjesisë së një parfumi të pakrahasueshëm që lëshojnë fletët e tij, mbetet një nga sfidat e kohës. Një sfidë ku botuesit, shkrimtarët, përkthyesit apo kritikët e librit nuk mund t’ia dalin dot të vetëm, sado që të përsërisin fjalët se “një libër nuk resht kurrë së thëni atë që kërkon të thotë” apo se “asnjë ndikim tjetër nuk do të jetë aq i fortë në jetën tuaj sa ai që jua jep leximi”.
Ndërsa libraritë i shohim gjithnjë e më rrallë si vende të vizitueshme në qytet dhe kur shitja e një libri nuk i kalon më shumë se 100 kopje, me siguri që kjo është stina më e trishtë e librit që me shpikjen e tij.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit, pyetja që i orvatet natyrshëm çdo njeriu që jeton me të, është se si mund ta shpëtojmë librin? Në kushtet e rritjes së dominimit të teknologjisë apo televizionit, dhe joshjes së papërballueshme që të jep sot bota e Instagramit apo Facebookut duke shkaktuar një çarje të dominimit që ka pasur kultura ndaj virtualiteti, largimi i të rinjve nga leximi është një nga momentet që duhet të shqetësojë çdo shoqëri. Ndaj një politikë më e fortë në mbështetje të botuesve dhe leximit shihet si një strategji emergjente në mbështetje të kulturës dhe rritjes së dominimit të saj. Ndërsa përballemi me humbjen e lexuesve sot, duhet të investojmë te lexuesit e së nesërmes që më siguri do mund ta nxjerrin dhe zonjën Richards nga faqja 59.