Nga Marin Mema
Shqipëria është vendi më i varfër në Europë por me klasën politike që renditet ndër më të pasurat e saj. E këtu nuk kanë lidhje flamurët partiakë sepse kur flitet për oreks të ardhurash, për thithje fondesh, për transferta të çuditshme, për dhurata, për fitime marramendëse, për vila, dyqane, pra prona të tundshme e të patundshme, shumica nuk ngopen kurrë. Si për magji të gjithë mbushen e fryhen si dëngje, u mbijnë konto e të ardhura të pafundme të cilat më pas i justifikojnë në mënyrën më të turpshme të mundshme. E po aq turpshëm deri më sot ka heshtur edhe drejtësia.
Janë të njëjtët që “qajnë” ditë e natë për të pamundurit, për të varfërit, për njerëzit me probleme, por që veshja u kushton sa shtëpia e jo pak shqiptarëve. Nuk kanë turp të hedhin lotë krokodili, as të bëjnë sikur u dridhet mjekra nga mallëngjimi, sepse për këta aktorë politikanë, ndërshmëria do të thotë përçmim, varfëria, pamundësia, pafuqia , të gjitha për ta janë përçmim. Ata ndërrojnë vetëm portat, dhe të nesërmen që lënë pushtetin fillojnë e flasin pikërisht për ata që deri dje i shtynin e i linin në mëshirë të fatit.
Në mes qëndrojnë shqiptarët, që për fat të keq besojnë, harrojnë, kërkojnë e rikërkojnë, teksa premtimet përsëriten vit pas viti njësoj. Infrastrukturë, punësim, shëndetësi, arsim, ujë, drita, mbështetje, siguri… 28 vite premtimet janë identike, madje identikë janë shpesh edhe ata që i bëjne. Asgjë nuk ndryshon, përveç flamurëve, dhe kontove bankare që fryhen e fryhen pa u dënuar kurrë askush. Kjo është Shqipëria që vuan problemet ekonomike që i ndjejnë të gjithë perveç politikanëve. Ata në fakt veç pasurohen.