Rizgjidhet drejtor, flet Hervin Çuli: Çfarë do bëj me teatrin dhe qëndrimi im për godinën

Fatmira Nikolli 

Hervin Çuli është rizgjedhur Drejtor i Teatrit Kombëtar për katër vitet e ardhshme. Pas propozimit të emrit të tij nga Ministria e Kulturës, një Vendim i Këshillit të Ministrave e ka emëruar atë për së dyti në krye të institucionit kaq të debatuar dy muajt e fundit. Ai është emëruar për një mandat të dytë, ndërsa në garë me të ishin Ema Andrea, Genc Fuga e Laert Vasili. Rizgjedhja e tij nuk ishte surprizë për komunitetin artistik.

PRIORITET: CILËSIA
Çuli dje i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” ka folur për prioritetet e mandatit të dytë.
“Një nga pikat më të rëndësishme besoj se është slogani i teatrit. Ne më parë kishim sloganin, ‘Eja në teatër’, ndërsa tani kemi një slogan tjetër, ‘Teatri Kombëtar, teatri i të gjithë shqiptarëve’. Pra, dalëngadalë, kemi filluar disa koproduksione, me qytetet e tjera. Kemi një me Korçën, një me Shkodrën dhe një me Durrësin, ku Teatri Kombëtar do jetë në bashkëproduksion. Ajo që dua të them, është se do të kemi një shtrirje të Teatrit Kombëtar me koproduksione në të gjithë Shqipërinë”.
Çuli tha dje për “GSH”, se ëndrra e madhe është të bashkëpunojë me 6-7 teatrot kryesorë në vend, që synon nxitjen e publikut të ndjekë shfaqjet edhe nëpër rrethe. “Do nxitet publiku i rretheve sepse do të çojmë atje, aktorë të Teatrit Kombëtar; por edhe Teatri Kombëtar do të fitojë premiera më shumë. Pra, kemi qarkullim më të madh publiku, edhe qarkullim më të madh aktorësh e padyshim edhe premiera më tepër, e, pos këtyre, edhe punësime me shumë”. Sipas Çulit, nëse Teatri Kombëtar ka sot 5 regjisorë maksimumi në repertorin e tij, me koproduksionet me rrethet, i bie të jenë 8-9 regjisorë. “8-9 shpresoj të kemi sivjet, që i aktivizojmë, i fusim në konkurrencë, i fusim në punë. Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme”.
Në vijim të sqarimit të prioriteteve të tij, Çuli sqaroi për “GSh”, se ka edhe diçka tjetër që synon ta realizojnë në këtë 4-vjeçar.
“Një gjë tjetër është një gjë që unë mendoj se duhet ta rregullojmë është cilësia. Nëse në katër vitet e para, ishte prioritet kthimi i publikut në institucion, tani prioriteti ndryshon. Unë në idetë e mia, që nuk e di nëse i kam realizuar se patjetër që ka edhe shumë gjëra që janë për t’u diskutuar, por besoj të paktën se arritëm ta sjellim publikun në sallën e TK-së. Për këtë ne hapëm dyert me gjithë skenën e pavarur, duke aktivizuar 24 regjisorë në katër vjet. Përveç emrave që kanë qenë produksione të TK, bashkë me emrat e skenës së pavarur, janë ngjitur 24 produksione të TK dhe bashkëpunime të TK-së. Kjo ka qenë prioriteti, kthimi i publikut, rritja e numrit të shfaqjeve, e sa më tepër alternativa”,-tha Çuli.
Por, katër vitet e dyta, ai tha se ka ardhur koha ta rikonceptojmë. “Është nevoja për filtra më të fortë të cilësisë artistike. Kjo do të thotë që nëse deri dje ne prisnim aplikimet, pra bordi i TK priste aplikimet, kërkesat e regjisorëve për të vënë shfaqje në skenë, ne tani do të kalojmë tek një moment tjetër. Do të kemi vendime bordi për të ftuar regjisorë karriere, me garanci”.
I pyetur nëse do bëhet, siç u bë me Dino Mustafiç, Hervin Çuli tha se, “po, siç bëjmë me të huaj, që kalojnë në filtrin e bordit. Do vendosë bordi që x regjisor, na jep garanci të fortë për të qenë pjesë e repertorit e Teatrit Kombëtar. Do jemi ne që do ftojmë regjisorë që na japin garanci. Por, edhe tek produksionet pavarura filtri do të jetë më i fortë. Nëse deri sot, kemi dashur sa më shumë publik, e sa më shumë shfaqje që qarkullojnë, edhe shfaqjet e skenës së pavarur, do të kenë një filtër që të jenë brenda cilësisë që duam”. Një prioritet tjetër shumë i rëndësishëm është për Çulin, mbështetja e dramës shqipe. “Sepse viti 2019-2020, do të jetë vetëm me vepra të dramaturgjisë shqipe”.

ÇËSHTJA “TK”
Por, veç prioriteteve, ka edhe çështje të bartura, siç është çështja e debatit për godinën. “GSh” e pyeti dje Çulin se meqenëse është çështje aktuale dhe aktorët kanë dy muaj që protestojnë për godinën, ai si drejtor i ri, ç’qëndrim do mbajë: do u japë hapësirë që të protestojnë siç ka i bërë deri tani, do jetë asnjanës, apo cili do të jetë qëndrimi i tij?
Në përgjigje Çuli tha se i ka dhënë ambientet jo vetëm sepse e kërkon ligji, por edhe sepse nuk ka asnjë arsye për të mos ua dhënë. “Kam dhënë ambiente kur është kërkuar ambient. Do vazhdoj ta bëj kur ta kërkojnë. Por nuk mund të jap skenën nëse në skenë ka prova. Do e jap prapë nëse kërkohet siç duhet, në bazë të ligjit dhe sepse unë nuk kam asnjë arsye pse të mos e jap hapësirën. Unë do t’i ofroj ambient, sepse është detyrim i imi ta bëj një gjë të tillë, është detyrë e imja, dhe, sepse në fund të fundit, shpresoj që e gjithë kjo, të jetë për të mirën e të ardhmes së teatrit kombëtar”.
Çuli shtoi se beson që është për të mirën e teatrit e gjithë kjo. “Më mirë që ka përplasje, më mirë që ka kontradikta e mendime ndryshe për të shkuar gjërat përpara. Për sa i përket, çështjes së godinës, unë mund të them se është një çështje në zhvillim. Personalisht mendoj, edhe pse nuk jam ekspert, por prapë se prapë mendoj, se është shumë i vështirë rikonstruksioni i këtij teatri që kemi”. Çuli rrëfeu se “kam ëndërruar gjithmonë që ne të kemi më në fund një Teatër të ri Kombëtar. Domethënë unë do doja një teatër të ri kombëtar, modern, të kohës që t’i rezistojë kohës për shumë vite. Për pjesën që ka lidhje me rikonstruksionin, mendoj se është tmerrësisht shumë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me një skenë që duhet t’i hapen xhepat, e të tjerë”.
Ai shtoi se “unë jam pjesë e debatit, edhe tani që mora mandatin e ri. Jam pjesë e institucionit. Do shprehem sipas asaj që unë mendoj si drejtor. Por askujt nuk mund t’i heq të drejtën, të japë mendimin e tij. Shpresoj që mendim i të jetë racional dhe t’i shërbejë çështjes. Unë jam për një teatër të ri kombëtar, por respektoj mendimet ndryshe”.

KANDITATËT
I kontaktuar nga “GSH” kandidati për drejtor, Laert Vasili tha që i uron punë të mbarë Çulit. I pyetur nëse do i japë platformën e tij, apo do ta këshillojë, Vasili tha se do jetë i hapur nëse Çuli do të pranojë. Ema Andrea kur iu kërkua një koment për zgjedhjen e drejtorit të ri të TK, tha vetëm: “Krushqia ngjan, pa bëhet”
Ndërsa, kandidati tjetër Genc Fuga tha se ai vetë ka propozuar në platformën e tij, hapjen e teatrit me jashtë, e një teatër ndryshe.
“Ne kemi konkurruar me platforma, platforma ime ishte për ngritjen e institucionit, rritjen e marrëdhënieve me jashtë, përmirësimin e kushteve të personelit, etj. Mua do më bëhet shumë qejfi nëse ai bën një teatër që do të jetë më i mirë se ai në platformën time. Me sa duket, platforma e tij ishte më e mira, pres rezultatet platformës së tij në katër vitet e ardhshme”, tha Fuga, i cili bashkë me Ema Andrean, kanë qenë dhe janë shprehur kundër qeverisë sa i takon vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar, kalimin e trupës së teatrit nga TK te “Turbina”, si edhe kanë kundërshtuar po ashtu, projektin e ri që qeveria ka paraqitur për godinën e Teatrit Kombëtar.
Genci Fuga, anëtar i Partisë Socialiste, sot në pushtet, veç lidhjeve familjare me Artan Fugën (akademikun) dhe Endri Fugën (Drejtorin e Komunikimit në kryeministri) ka mbajtur qëndrime të depolitizuara dhe ka qenë kundër disa vendimeve të qeverisë për artin e kulturën, madje është shprehur se mund të dorëzojë edhe teserën e partisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *