Nga Agron Alibali – “Ma nis letrën për Joklin ta nënshkruaj, dhe ta kthej menjëherë me postën e parë” do të më thoshte në telefon Johanna Gerechter Neumann në mars 2017. Fjala ishe për nismën private dhe të pavarur, për të cilën kishim biseduar kaherë: kthimi në Shqipëri i trashëgimisë së çmuar bibliotekare dhe albanologjike të Prof. Norbert Joklit.
Johanna Gerechter kishte lindur në Hamburg në vitin 1930. Në vitin 1939 familja e saj u strehua në Shqipëri, ku edhe i shpëtoi zezonës naziste të Holokaustit. Më vonë ajo jetoi në Amerikë, ku u mori përsipër si mision të jetës t’i thoshte botës mbarë për aktin fisnik dhe vetmohues të shqiptarëve ndaj hebrenjve. Shpesh bisedonim edhe për fatin e zi të Joklit, që nuk kishte mundur të shpëtonte dot…
Letra jonë ishte në trajtën e një kërkese drejtuar Komitetit Amerikan të Trashëgimisë Kulturore me Jashtë. Ajo bazohej në Marrëveshjen kulturore SHBA – Shqipëri të vitit 2004.
Sikurse Faik Konica me bibliotekën e vet, edhe Norbert Jokli ia kishte lënë trashëgim popullit shqiptar tërë pasurinë e tij librare dhe intelektuale. “Kam dëgjuar që Jokli i ka lënë me testament bibliiotekën e tij shtetit shqiptar” do t’i shkruante Fan S. Nolit Hito Sadiku më 1946. Vullnetin e Joklit, madje, e pat përjellë në letër edhe prof. Eqrem Çabej, nxënësi dhe miku i ngushtë i tij. Përmes një “deklarate” amanet, 61 vjet më parë, prof. Çabej na përçon si më poshtë:
“..Carlo Tagliavini, Profesor i Gjuhësisë në Universitet të Padovës në Itali, më tha mua të nënshkruarit në vetën e atij viti [1942, shënim imi, A.A.], në Romë, se Prof. Jokli, disa muaj para se të zhdukej, i kishte thënë atij në Vjenë, që gjithë pasurinë e tij, e pasurinë shkencore (me dorëshkrime, bibliotekë, etj.), me akt zyrtar ja kishte falur popullit shqiptar (gjermanisht dem albanischen Volk). Unë di e në bibliotekën e tij ai ka pasur dhe një dorëshkrim të daktilografuar të Baron Nopcas përmbi Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ndër dorëshkrimet e Prof. Joklit ka qenë dhe forma e parë e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe.
Duke u kthyer unë në verën e 1944 në atdhe, në Vjenë u takova me Kolë Rrogën. Ky më kumtoi se biblioteka e Prof. Joklit bashkë me dorëshkrimet etj aso kohe gjindej në një dhomë të mbyllur në Bibliotekën Nacionale të Vjenës.
Tiranë, 20 mars 1957 Dr. Eqrem Çabej.”
Prof. Eqrem Çabej ndërroi jetë në vitin 1980. Bashkë me veprën e tij madhore, Çabej i la brezit tonë edhe amanetin e amanetit.
Letra jonë, e nënshkruar nga Znj. Neumann dhe dy të tjerë, mban datën 7 mars 2017. Shtatë javë më pas, me 26 prill 2017, Johanna Neumann do të ndërronte edhe ajo jetë. Kthimi i trashëgimisë së Joklit në Shqipëri do të ishte misioni i fundit i saj në këtë botë. Me ikjen e Johannës, barrën e nënës e mori përsipër i biri, Benjamin. Tashmë amanetit të Joklit, dhe deklaratës së Çabejt, i është bashkuar edhe misionin i fundit i Johanës. Ose tre amanete të bashkuara në një.
Më poshtë po botojmë për herë të parë kërkesën me të cilën është vënë zyrtarisht në lëvizje mekanizmi për kthimin në Shqipëri të trashëgimisë së paçmuar albanologjike të Prof. Norbert Joklit.
Agron Alibali
Post Scriptum – A nuk e meriton trashëgimia e Joklit të strehohet në ndërtesën e riaftësuar të ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, të cilën Bashkisë së Tiranës i është bërë thirrje për t’ia kthyer shtetit shqiptar si aneks i ri të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë?