Budapesti është bërë i pakapërcyeshëm në vendin e parë kur bëhet fjalë për xhirimin e filmave hollivudianë jashtë vendit, pasi ka njërin prej sistemeve më konkurrentë në Evropë, i cili produksioneve të huaja u ofron kthim të investimeve deri në 25 për qind.
Edhe pse Bullgaria e Rumania janë dukshëm më të lira, Hungaria e mban primatin. Kësisoj, sipas shkrimit të SeeCult, vetëm gjatë vitit 2016 ka inkasuar 271 milionë euro prej xhirimit të filmave, dhe kjo përbën 0.15 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP-së) që shënon përqindjen më të lartë në Evropë.
Industria filmike prej rreth 100 kompanive punëson gati 4 mijë punëtorë pa i llogaritur edhe vendet e punës që lidhen me këtë në sektorin e turizmit. Vitin e kaluar në Hungari janë bërë 285 xhirime filmike, duke llogaritur edhe 64 produksione të huaja.
Kjo i ka ndihmuar edhe lulëzimit të kinematografisë hungareze, e cila ka shënuar suksese edhe në skenën ndërkombëtare. Regjisori e skenaristi hungarez László Nemes, para dy vjetësh me “Son of Saul” mori çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Regjisorja Ildikó Enyedi vitin e kaluar me “On Body and Soul” mori “Ariun e Artë” në edicionin e 67-të të “Berlinales”.