Për herë të parë Teatri Kombëtar organizoi në datat 26-31 prill 2018 festivalin e teatrit, “TK-RIN ART 2018” me shkollat e mesme të Tiranës, në kuadër të programit “Edukimi mbi dhe Përmes Kulturës”.
Festivali “TK-RIN ART 2018” është mundësuar dhe realizuar nga Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Salla e Teatrit Kombëtar u kthye në një arenë të bukur talenti, idesh dhe energjie të rinjsh, me një numër rekord spektatorësh rreth 3000 veta. Në pesë ditët e festivalit, të rinjtë e kryqytetin ndoqën me duartrokitje shfaqjet e interpretuara nga aktorët e klubeve të teatrit, kurorëzim i një pune intensive disa mujore teorike-praktike me nxënësit e shkollave te mesme, “Sami Frashëri”, “Harry Fultz”, “Sandër Prosi”, “Petro Nini Luarasi”, “Abdulla Keta” dhe ”Ismail Qemali”.
Në fillimin e këtij projketi, në takimin me nxënësit e gjimnazit “Sandër Prosi” Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se ky nuk është vetëm një program edukues por mbi të gjitha zbavitës dhe kreativ.
Ndërsa premtoi se vitin që vjen ky projekt do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.
“Krijojmë dhe ndërtojmë bashkë me ju klubin e teatrit si një projekt pilot që mendojmë të shtrihet vitin e ardhshëm në të gjithë vendin”- u shpreh Kumbaro në fillim te këtij projekti.
Drejtorë artistikë të këtij projekti, Armand Bora dhe Gjergj Mena kanë krijuar pranë çdo shkolle klubin e teatrit dhe së bashku me një regjisor të ri profesionist të atashuar në çdo shkollë, zhvillun audicione dhe përzgjozhën më të talentuarit, për te nisur punën artistike.
Në skenën e Teatrit Kombëtar gjimnazistët e talentuar u angazhuan me kryevepra të dramaturgjisë botërore si: Dasëm qyteti” me autor Bertolt Brecht, me regji nga Benada Mulla, “Ëndrra e një nate dimri” bazuar ne veprën e Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” me regjisor Armand Bora, “Mirandolina” nga Carlo Goldoni dhe me regji nga Xhuliano Brisku, “Filumena Marturano” me autor Eduardo de Filippo dhe me regjisore Algiona Aga, “Familja e Antikuarit” me autor Carlo Goldoni dhe me regjisore Dajana Nenaj, “Shtëpia e Benalda Albës” me autor Federico Garcia Lorca dhe me regjisor Kriks Dumo.
Ky projekt u jep mundësinë të rinjve më të spikatur për të asistuar pranë trupës së personelit të TK, në aktrim, regji, skenografi, kostumografi, make-up artistik, teknik audio e video, teknik ndriçimi etj. ku të rinjve më të talentuar u jepet mundësia për t’u bërë pjesë e produksioneve të teatrit. Ky projekt zhvillohet jo vetëm në identifikimin e elementeve të talentuar si aktorë apo regjisor, por edhe në identifikimin e elementeve të rinj me prirje profesionale të tjera që janë pjesë e rëndësishme e krijimit të një shfaqjeje teatrale. Të rinjtë me prirje si specialist i efekteve audio-vizuale për teatrin dhe teknikë ndriçimi janë trajnuar nga punonjësit e Teatrit Kombëtar dhe kanë fituar një eksperiencë të vlefshme në këtë profesion.
Në fund të festivalit u ndanë çmimet për:
Aktorja më e mirë : Xhoana Karaj gjimnazi “Abdulla Keta”
Aktori më i mirë : Aldi Shehu gjimnazi “Harry Fultz”
Shfaqja më e mirë: Gjimnazi “Petro Nini Luarasi”me shfaqjen “Filumena Marturano” me regji nga Algiona Aga.