Luan Rama
Kjo aventurë e bukur filloi në vitin 2001 kur në Paris, në hollin e ambasadës, miku im i Kinostudios piktori Stefan Taçi, lexonte librin tim poetik të sapo botuar në Francë “Couvrez-moi avec un morceau de ciel” (“Mbulomëni me një copëz qiell”).
Kur u ndamë, ai më zgjati tri vizatime, tri «croquis» të krijuara aty për aty, i frymëzuar nga vargjet e mia poetike, zhytur në kolltukun e rëndë prej lëkure, ballë dritareve të mëdha ku në mure qëndronin dy tablo hijerënda të Omer Kaleshit, dy dervishë mistikë që dukej se sapo kishin ardhurn ga rrugëtimet e tyre gjithë pluhur nga udhët e Ballkanit. U gëzova shumë kur i pashë ato linja delikate, u mrekullova. Vite të shumta kaluan dhe tetëmbëdhjetë vjet më vonë, kur sapo kisha botuar vëllimin e dytë poetik në Francë “Territores de l’âme” (“Territoret e shpirtit”) këto vizatime më ranë përsëri në dorë sikur një dorë e padukshme t’i kishte nxjerrë nga “babilonia” e librave dhe letrave të mia.
Ndërkohë aventura poetike vazhdonte dhe ishin ato «croquis» që më nxitën ta ilustroja vëllimin e ri poetik me vizatimet e mrekullueshme të Taçit “Poezi dashurie në kohë të vonë”. Dhe kështu nisi ai shkëmbim i habitshëm ajror, poezi-vizatim, përmes mesazheve tona elektronike, ku pothuaj çdo poezi ndiqej nga një vizatime apo çdo vizatim ishte një ngasje për një poezi të re, e kështu, njëra pas tjetrës, ditë pas dite, ato më kujtonin dy figura mitike të epokës avanguardiste franceze të shekullit XX, atë të viteve ’30-’50, Jean Cocteau, poet, dramaturg, piktor dhe Man Ray fotograf surealist dhe piktor. I pari me vizatimet dhe ilustrimet e poezive apo prozave të tij poetike (sa shumë dhe sa bukur i vizatoi të dashurit e tij!) dhe i dyti me vizatimet e librit “Mains libres” (“Duart e lira”), një libër i mrekullueshëm dy autorësh : Paul Eluard dhe Man Rey. Poeti dhe piktori, poezia dhe vizatimi.
Ky libër më kishte rënë në dorë në fundin e viteve ’70 në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku shpesh kaloja kohën me lexime apo shkruaja skenarët e filmave. Më ra në dorë miqësisht, apo fshehurazi, edhe pse ishte nën indeksin «R», d.m.th. i rezervuar apo më mirë «i ndaluar» të qarkullonte lirisht në duart e lexuesit, siç ishin në atë kohë totalitaire shumë libra të tjerë si “Viti 84” i Orwell, “Metamorfoza e Kafkës”, Lulet e së keqes e Baudelaire e të shumë e shumë autorëve modernë të shekullit XX të Perëndimit. Ishte një botim prej dy vëllimesh i Pleiade-s në frëngjisht, i veprës së Paul Eluard, ku ishte integruar dhe libri poetik me vizatimet e Rey-t “Mains libres”, ku spikasnin vizatime metaforike dhe simbolike mjaft domethënëse. Megjithëse ajo «R» rëndonte shumë në atë kohë, mua më ra në sy në mënyrë të veçantë ilustrimi i një poezie ku në këmbët e hapura të një gruaje nudo ishte porta e kështjellës së Bastijës.
Sidoqoftë ishin vizatime të përkryera, ndryshe padyshim nga vizatimet e Taçit, përgjithësisht romantike siç ishin dhe vetë poezitë, duke krijuar kështu një dialog të bukur poezi-vizatim. Vizatimet e Taçit janë vërtet mjaft të ndjera, të lehta, ajrore, të paqta, si në poezitë sufiste, ku ka gjithnjë një gjendje metafizike, si dervishi që rrotullohen nën muzikën «ney» për t’iu bashkuar lart hyjnisë. Janë frymëzime nga vargjet e «pinjollëve të dashurisë», e «ëngjëllit blu të Modigjiani-t», e «letrës pas vdekjes që Diderot i shkruante të dashurës së tij, Sophie, se hiri i tij do të kërkonte të sajin » e «njëqind të dashurave të Nerudës»… përgjërime, përkushtime, gjëndje trallisëse të humbjes dhe rigjetjes…
Duket sikur një dorë plot hire nderet në një hapësirë pa gravitet ku vizatohet trupi femëror, gjinj, kofshë, llërë e ije sensuale, trupa të lëshuar në dehje e ekstazë pranverore dhe ku vizatimi plotëson vargun apo vargu poezinë, e ku të dyja bashkë përjetojnë atë dehje poetike që sjellin realisht vargjet e poezisë. Eshtë e kotë ti rikthehem refleksionit të Da Vinçit mbi raportin midis pikturës dhe poezisë se cila nga artet është primare, pasi para meje është ajo simbiozë e bukur që krijon një të tërë, një gjendje poetike siç krijonte në pikturat e tij dhe Chagall me ato figura të dashuruarish që endeshin sipër çative, në qiell, ku ai arrin të të rrëmbejë dhe të na marrëme vete edhe ne…
Stefan Taçi është një poet i lapsit dhe i ngjyrës, i linjës delikate e ajrore, që veç një shpirt i kultivuar e fin, vetë fryma e tij, mund ta udhëheqë atë, dorën e tij, pa u ndalur, drejt krijimit të magjisë…