Kastriot Dervishi
Nisur nga debati i fundit në lidhje me ditën e përkujtimit të martirëve të vrarë nga regjimi komunist, shpreh mendimet e mija të mëposhtmet.
Partia Komuniste Shqiptare (pas vitit 1948 Partia e Punës e Shqipërisë) ishte një formacion politik me karakter kriminal e terrorist, e frymëzuar nga parimet e luftës së klasave, dasisë kombëtare e krahinore, mohimit të të drejtave të njeriut, etj. Ajo ndërtoi një rend shoqëror eksperimental, duke sjellë jo vetëm humbje të mëdha njerëzore, por edhe një shkatërrim ekonomik të jashtëzakonshëm. Për këtë arsye, duhet një datë simbol për ta shprehur sa më mirë kujtesën për atë regjim në tërësi dhe për pasojat që ai shkaktoi. Pikësëpari jam kundër përdorimit të fjalës “viktima”, pasi kjo përdoret zakonisht për aksidente. Jam për fjalinë: “Dita e kujtesës së martirëve të vrarë nga regjimi komunist”.
Janë propozuar data si 26 shkurt 1951 (incidenti i dinamitit në legatën sovjetike), 23 maji 1973 (revolta e Spaçit) dhe 23 gushti (ditë europiane për viktimat e nazizmit dhe komunizmit). Nuk jam për asnjërën prej këtyre datave. Duhet të jetë një datë e përgjithshme, jo kujtese e një grupi të caktuar martirësh, por në tërësi të dukurisë.
-26 shkurti 1951 nuk mund të jetë përkujtimore e përgjithshme, për disa arsye. Sigurisht do përkujtohet çdo vit dhe është merita e trashëgimtarëve të martirëve që asnjëherë nuk e kanë harruar këtë ngjarje. Por, nëse do caktohej, do krijohej një perceptim i gabuar sikur terrori nisi në vitin 1951 e se vetëm këtë herë Byroja Politike vendosi për dënimet me vdekje. Terrori komunist i nisur në tetor 1943, mori formë zyrtare kur u vendos në pushtet, pra në 29 nëntor 1944. Ekzistojnë prova dytësore se të gjitha vendimet e dënimeve me vdekje, ekzekutimeve, etj, janë marrë fillimisht nga Byroja Politike. Pra, kjo e fundit, nuk mori për herë të parë në vitin 1951 një vendim për dënime me vdekje. Shkelja e ligjeve të vetë regjimit, nuk nisi në vitin 1951, por qysh në fillesat e tij. Në Tiranë në nëntor 1944, u vranë pa gjyq rreth 100 kundërshtarë të regjimit mbi bazë të vendimit të komitetit qarkor komunist të Tiranës.Vetëm në Prefekturën e Shkodrës në vitin 1945, u evidentuan 14.700 “armiq” të regjimit. Vetëm nga nëntori 1944 e deri në shkurt 1945 u arrestuan 4.500 (1.134 në Shkodër) si “armiq të popullit” apo “sabotatorë të pushtetit”, të cilët u dënuan nëpërmjet procesesh qesharake nga gjykatës “ushtarakë” me profesione të tilla si marangozë, bujq e barinj. Vetëm në vitin 1945 janë dhënë rreth 1 mijë dënime me vdekje nga gjykatat në fjalë. Në këtë listë janë intelektualët më të njohur të Shqipërisë. Të tjerë u dënuan me procese vijuese. Kemi shumë gjyqe tipike kundër inteligjencies në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Berat, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, etj. Kemi qëndresën antikomuniste në Koplik, Postribë, Malësi të Madhe, etj. Kemi gjyqet kundër teknikëve, kundër proamerikanëve (vitet 1946-1948 një terror e pashembullt në Europë), masakrat në Mirditë para dhe pas vrasjes së Bardhok Bibës, vdekje të llahtarshme në hetuesi, etj.
-23 maji 1973, po ashtu nuk mund të jetë ditë përkujtimore sepse është shumë vite larg terrorit kryesor dhe qytetarit të zakonshëm i fiksohet pikërisht viti përkatës.
-23 gushti që përkujton përgjithësisht dëmet e nazizmit dhe komunizmit. Jam kundër kësaj dite, pasi “nazizmi” i Shqipërisë, komunizmi, është shumë larg në ligësi dhe kohë me nazizmin.
Mendimi im është që lëvizjet më të duhura duhet të jenë:
1-Caktimin e datës 29 nëntor 1944, ditën e vendosjes së regjimit komunist si “Dita e kujtesës së martirëve të vrarë nga regjimi komunist”.
2-Caktimin e datës 20 shkurt 1991 si ditën e shembjes së simboleve të regjimit komunist.
3-Futjen në Kodin Penal të dispozitave në veçanta që të përbëjnë figura krimi si: propaganda komuniste, simbolet e llojit ylli i kuq, drapër e çekan, demonstrimin publik të fotografive të figurave kriminale të diktaturës, etj.
Dy datat e para, mund të vendoseshin në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992 “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, i ndryshuar.
Bashkëlidhur, për ilustrim, një ekzekutim dënimi me vdekje në Burgun nr.2 të Tiranës (sot rruga “Mine Peza”), datë 5.10.1945