“Piramida” duhet të jetë Biblioteka e re Kombëtare e shqiptarëve

Debati për “Piramidën” është një nga më të vjetrit në kryeqytet dhe për të janë dhënë mendime prej shumë arkitektëve, profesionalistëve të fushave të ndryshëm dhe patjetër politikanëve të viteve të fundit. Mendimi më arbitrar  do ishte ai i kohës së qeverisjes Berisha kur u propozua shkatërrimi i saj. Atëkohë shumë artikullshkrues që donin të shprehnin vokacionin anti-komunist dhe pro berishizmin gjenin lloj-lloj argumentesh për ta realizuar prishjen.

Dhe, ngrehina, duke pasur formën e “Piramidës” në projektimet anësore, ua jepte të gjitha argumentet shtesë. Ndërkohë dominimi i argumentit se ai kish qenë Muzeu i Enver Hoxhës u bë stresues. Nga zërat më pak të dëgjuar nga politikanët, por për publikun më i ekuilibruari, mbeti ai i arkitektit të saj Klement Kolaneci. I ndjeri nuk mund të fliste për shkak të fatit të keq, që kish pasur pas vitit ’90, por edhe për një arsye tjetër… ishte vetë dhëndri i diktatorit Hoxha. Kur insistimi i kryeministrit të kohës u bë i ethshëm për të ndërtuar aty parlamentin e ri, që do inaugurohej për 100-vjetorin e Pavarësisë, justifikuar me faktin se konkursi për “Piramidën” do të ishte ndërkombëtar, atëherë filluan reagimet. Për Berishën ai ishte varr pa kocka.

“Nuk mund të lëmë varrin e diktatorit në qendër të kryeqytetit”.

Shoqata e arkitektëve reagoi me shumë forcë asokohe duke i kujtuar zyrtarët politikë se edhe regjimi komunist nuk preku asgjë nga ndërtimet e fashistëve!! Arkitekti Kolaneci i mbeti vetëm të thoshte, pas konkursit të premtuar se: “… Në qoftë se sillemi kështu me çdo monument kulture, unë nuk e kuptoj pse i quajmë monumente kulture? Duhet të dimë të ruajmë vlerat që i takojnë popullit dhe jo individëve të caktuar. Për mua është një konkurs që vlerat e konkursit dhe projektet që pashë ishin shumë naive”.

Nuk është e vështirë ta shndërrosh një ngrehinë. Shembujt e kohëve të ndryshme nga arkitektura ndërkombëtare të ndijnë, ndaj sot bota e civilizuar është kaq e larmishme saqë mund të interpretosh gjithçka si të duash dhe në funksione të dobishme. Për çudi, demokracia shqiptare duket se i ka privuar njerëzit të shprehin vullnetin për të bërë gjëra që vendit i nevojiten, por edhe që tregojnë lirisht nivelin e civilizimit shqiptar.

Më pak fjalë, dhënia e funksioneve të reja te “Piramida” e zbeh shumë simbolikën e fillimit dhe mund t’i japë një përmbajtje të vërtetë objektit të shumëpërfolur.

Është interesant në këtë kohë deri diku mendimi që ka shprehur dhe përpjekja që po bën kryetari i ri Bashkisë Erion Velija. Në një nga prononcimet e tij publike, por më qartë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 6-të të ICTAëards, kryebashkiaku theksoi se Piramida do të shndërrohet në qendrën më të madhe IT në rajon, duke e bërë Tiranën falë tij në qytetin e katërt që do të aplikojë një nga konceptet më të mira në fushën e teknologjisë dixhitale. A ia vlen kjo lloj ndërmarrje në një vend, që ka ende probleme prapambetje të theksuara?!

Mendime të çuditshme, mendime vrastare, mendime të bukura, por asnjë nuk duket funksionale. “Piramida” është simbol për arkitekturën e kohës së Socializmit dhe ka nevojë t’i shërbejë një simbolike. Si për ironi  me këtë ngrehinë boshe dhe pa asnjë objekt,  400 metra më tutje, ngucur në një ngrehinë të stërmadhe shumë-funksionale, dergjet Biblioteka Kombëtare. E privuar nga shumë shërbime dhe jo shumë e prekshme, ajo ka nevojë më shumë se kurdo të marrë frymë. U inincua më 10 Korrik 1920 nën drejtimin e prof. Mati Logorecit, eprorit të parë ardhur nga Ministria e Arsimit. Vetëm 3000 vëllime ishin në ngrehinën e parë që shërbeu si bibliotekë. Sot, Meka e botimeve shqip strehon të ashtuquajturin thesar kulturor të shkruar të kombit tonë ndër shekuj. Në të gjendet libri më i vjetër i shqipes (kopja e riprodhuar nga At Justin Rrota e “Mesharit” të Gjon Buzukut). Karl Gurakuqi do t’i jepte një frymëmarrje dhe si drejtori i parë i përkohshëm do të bëjë inaugurimin simbolik të institucionit më 28 nëntor 1922. Kjo është historia, por përjetësia e këtij institucioni nuk mund të jetë kurrë aty, të paktën me fytyrën që ka Shqipëria pas 110 vjetësh ekzistencë si shtet.

Në periudhën ku kibernetika pothuaj është e prekshme deri për individin më të thjeshtë, në Bibliotekë më mirë se kudo, publiku mund të marrë një informacion të shpejtë, por edhe të kulturohet për shumë e shumë gjëra. Megjithë kujdesin për të, Biblioteka e sotme Kombëtare vuan pamundësinë e kryerjes si duhet të funksioneve të saj për shkak të vendit, por edhe hapësirave të duhura. Apelet e zyrtarëve të saj, kushtet jo të mira me të cilat mirëmbahen sot ekzemplarët e rralla, por edhe vëllimet e shumta të dëmtuara kanë nxjerrë imperativin, që godina e Bibliotekës duhej të ishte dikund tjetër. Duket se mungesa e zërit për të përfaqësuar si duhet këtë problem i rëndon të gjithë institucionet tona të kulturës, që nga Ministria e Kulturës që duhen vlerësuar nga ana tjetër për rezistencën që i bënë Berishës dhe strukturave të tij për të prishur, por në rresht të tjerave.

Do të ishte në nderin e Shqipërisë, që me një modifikim fare të lehtë arkitektonik, Piramida të bëhej Biblioteka Kombëtare. Hapësira e tejmase, sallat që ka në dispozicion dhe mjediset e tjera ndihmëse janë një zgjidhje e madhe dhe shumë nderuese për vendin. Biblioteka shërben edhe si simbol identiteti. Shqipërisë i falim një simbol që e ka por gjendet jashtë funksioni dhe mbart kuptim negativ. E përsërisim se një modifikim i lehtë i saj dhe shumë vullnet mund t’i japë Shqipërisë një shenjë të re identiteti, që anashkalon çdo propozim për objektivin e “Piramidës”. Ai mund të kthehet në një simbol të ri, por edhe shumë të dashur, madje edhe në funksion të teknikave të reja të kohës por edhe sfidave të pareshtura të kibernetikës, duke i  vendosur brënda bibliotekën. Me peshën e saj ajo i jep një forcë të vërtetë qytetërimit të sotëm shqiptar.

Kolaneci mbronte teorinë se Piramida e tij ishte një shqiponjë. Dhe, një shqiponjë që mbart bibliotekën e një vendi është metaforë në metaforë.  “Piramida” duhet të jetë Biblioteka jonë Kombëtare. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *