Nga Mira Kazhani
Në qytetin tim të vogël, në Veri, kemi jetuar në katin e 6-të të një pallati në qendër. Nga njëri ballkon, më kujtohet si sot, shihja një hallë dhe një teze, që ishin komshie. Nga dritarja e dhomës sime, hallën e madhe, që kish një ballkon me shumë karafila. Një tjetër e kishim në pallat, dy kate më poshtë shtëpisë së prindërve. Dy hallat e tjera, afër, por pa fushëpamje. Kështu, jam rritur në një shtëpi me shumë gra, kushërira, kushërinj. Pak a shumë si të gjithë ne, që e kapëm edhe komunizmin edhe sistemin e tij. Nënat na mësonin si të bënim punë shtëpie, të gatuanim, të hekurosnim dhe të ulnim kokën kur të shkonim tek burri dhe më kujtohet se si (edhe pse më acaronte refreni “kur të shkosh tek burri… e kështu e ashtu”) nëpër dasmat e farefisit ama, ëndërroja për ditën time të madhe, kur të vallëzoja me burrin tim të vetëm të jetës.
Për 8 Mars mami na blinte çorape të bardha, deri poshtë gjurit, dhe gatuhej krem karamele, kurse me sheqerin e djegur shkruheshin emrat e vajzave të vogla.
Sot, jeta ime nuk ka asnjë fije të lidhur me projektin e fëmijërisë apo adoleshencës të dirigjuar nga nëna ime. Kurset e anglishtes zëvendësuan hekurin e rrobave dhe përpjekje për karrierë fshiu të gjitha parapërgatitjet dhe këshillat e saj, bashkë me vyshkjen e imagjinatës me djalin në vallëzim.
Ndonjëherë, në këtë rrugë jam vrarë aq sa do kisha dashur të kisha ndjekur një për një fjalët e nënës. Por sot nuk kam fuqi të besoj më se dëshirat e mamave vlejnë për çdo kohë. Kanë ndryshuar kohët apo unë, pak rëndësi ka.
Nëna ime vijon të japë prapëseprapë këshilla, si dikur, me doza kompromisi: Mos kritiko askënd, shkruaj dhe vetëm lavdëro. S’i ke parë disa kolege të tuat që qeshin e thonë fjalë të mira? Pse ti do e zgjidhësh? Mos sulmo, se gratë e sulmuara nuk durojnë, si burrat që zihen. “Burrat lahen me një pikë ujë, gratë s’i lan as deti”- thotë ajo shpesh!
Ajo ka të drejtë, por nuk dua më të fshihem. Do doja që asnjë grua të mos fshihet, ruhet, por nëse sulmohet të sulmojë, nëse dashurohet të puthë, nëse përjashtohet të ringrihet.
Këtë 8 Mars ia dedikoj grave të lumtura, që kanë ndërtuar një familje të shëndoshë, po aq sa edhe grave të divorcuara, të tradhtuara, po aq edhe grave që duan veç të krihen e rregullohen përsa kohë s’i bëjnë keq askujt. Ky është një 8 Mars për gratë që nuk mendojnë njësoj, që bëjnë çfarë të duan me jetën e tyre, fusin kë duan në zemër, shtëpi. Për gratë që shkojnë në kinema në darkë, pasi kanë qarë gjithë ditën nga ndonjë trishtim, për gratë e papuna dhe për gratë e dhunuara. Për ato që ndoshta sot nuk dinë nëse po jetojnë jetën e tyre apo jetën që e ka vizatuar tjetërkush për to. Nuk kemi pse themi “Po” apo “Jo” nga frika. Të jesh grua nuk është defekt, sëmundje.
Ky është pa dyshim 8 Marsi i mamit dhe hallave, por anti-8 Marsi im dhe i gjithë vajzave e grave që mendojnë ndryshe.
Jeta është shumë e shtrenjtë për të qenë një pulë.
P.S. Mos u zbukuroni vetëm sot sepse bëhet e shëmtuar.
Për asnjërën nga këto nuk më ka këshilluar nëna ime, por ajo dhe të gjitha gratë shqiptare Gëzuar 8 Marsin, ndërsa disa të tjera anti-8 Marsin!
Copyright/ 25 rreshtat e Mirës është një rubrikë e përditshme e tiranapost.al