Jeta kulturore dhe artistike e kryeqytetit po pasurohet përditë e më shumë me iniciativa të reja, për ti ofruar publikut sa më shumë mundësi të eksploroj në botën e larmishme të artit.
Një “strehëz” e re arti iu shtua sot Tiranës, pasi Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të “Pranverës Frankofone në Tiranë”, përuroi sot Sallën Franceze të Leximit.
Në përurim ishin të pranishëm, Ambasadorja e Francës, Christina Vasak, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro si dhe personalitete dhe kontribuues të frankofonisë në Shqipëri.
Kjo hapësirë e re leximi vjen nën konceptin arkitektural të “një ishulli leximi”, që lundron simbolikisht, grafikisht, në “Universin e pafund të leximit”, duke pasur një destinim kulturor frankofon, në shërbim të leximit, të shkëmbimit të informacionit, të dijes por edhe kënaqësisë estetike.
Salla Franceze e leximit, me një fond prej 3700 librash, është pasuruar së fundmi me rreth 200 tituj të rinj të autorëve më të rëndësishëm të filozofisë, letërsisë, antropologjisë, arkitekturës apo artit francez të shekullit XX, donacion ky i Ambasadës Franceze.
Ngritja e kësaj sallë u bë e mundur falë mbështetjes dhe bashkëpunimit që Biblioteka Kombëtare pati me Ambasadën e Francës në Tiranë, Ministrinë e Kulturës, Aleancën Franceze, Fakultetin e Arteve të Bukura, etj.