Engjëlli blu i Modilianit

Nga Luan Rama

Në Rue de la Grande Chamière,
pranë katakombeve të Parisit,
lart në katin e pestë,
Modiliani digjej në ethet e ditës e të natës
në vatrën pa zjarr,
Zhanë shtatzënë shkundëte duart
nga pluhuri i thëngjijve të fundit
“Po vij të të ngroh shpirti im !”
Modi përpëlitej dhe ajo luftonte ti jepte jetë,
“Afrohu të të puth, gruaja ime,
figura ime e përkryer,
për herë të fundit afrohu,
më duket se po shkoj…”
dhe ai e puthi me buzët e ngrira të tij
me buzët që kurrë më parë s’kishin qenë mavi.
«Jo Modi, nuk do të lë të ikësh vetëm,
do jemi bashkë të dy,
ti, unë dhe paleta tënde që ende s’është tharë,
duart e tua do ta kërkojnë përsëri linjën time,
qafën e gjatë gjithnjë e dehur me ty,
do ta kërkojnë sërrish fytyrën time
dhe sytë përkulur mbi ty,
mbi tablotë e tua të ngazëlluara,
jo, nuk do të ikësh vetëm,
do të të ndjek i dashur dhe po të ikësh në varr,
zbathur do të vij në kalldrëmet e përtej botës,
në strehët dhe honet e përtej jetës,
humbur në errësirën e natës së pafund,
ti, unë, paleta tënde e mrekullisë,
për të pikturuar përsëri dashurinë,
atë që më dhurove aq bukur, bujarisht,
në zhgjëndrën e shtratit dhe të krijimit… »
Modi im, i ëmbli im, përshpëriste Zhanë
ndërkohë që në mesditën tjetër miqtë e tij
e përcillnin me karrocë në varrezat e «Père Lachaise»,
nën hijen e aheve të vjetër,
ajo veçse e kishte puthur në ballë,
pa dashur ta ndiqte karvanin e piktorëve dhe poetëve,
“Shko, pas pak do vij…»
Zhanë nuk mund të rrinte vetëm me natën e gjatë
me kumbimin e sahatit të largimit,
Zhanë do shkonte një ditë më pas
duke fluturuar si një ëngjëll blu nga kati i pestë,
“Të kam thënë i dashur” pëshpëriti ëngjëlli në pragun e dritares,
« pas teje do të vij,
bashkë me paletën tënde të ngjyrave,
me të kuqin e buzëve dhe të zezën e syve të mi
të pikturosh përsëri fytyrën e dashurisë sonë… »

——————————————————————————-
Kjo histori ndodhi në 25 janar 1920, një ditë pas vdekjes se Modiglianit


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *