Letra e hirit
Nga Luan Rama
Në natën që shuhej mbi Senë,
Diderot i shkruante Sofisë:
“Kur të mos jem më do më mbetet ndoshta një shpresë
të të prek, të të ndjej, të të dua dhe të bashkohem me ty,
për të krijuar “Një” të përbashkët
një me ty, në vazhdimësinë e shekujve.
Grimcat e të dashurit tënd do lëvizin
dhe do të kërkojnë të tuat
shpërndarë në natyrë…” (1)
Kjo është letra për hirin e dashur,
letra e hirtë në njëmijë grimca
me imazhin e Sofisë që lëshonte kokën pas
për tu mbytur në të puthurat e tij,
që i hapte këmishën dhe i zbulonte gjinjtë
që filozofi të dehej me frutin e saj,
që i dashuri si një diell të përvëlohej mbi kofshët dhe ijet e saj,
ku bota pastaj le të prehej…
Letra hiri që çuditërisht ende djegin,
ajo nuk e dinte se era do të frynte
se shiu do t’i mplekste përsëri nën kupolën qiellore
në një requiem me tone gëzimi të ritakimit,
nuk e dinte se flladet do të luanin pastaj me ta
një sonatë të pambarrimtë
«një hallelujah» të Haendel
një «Stravaganza» të Vivaldit
se zogjtë do ti mbanin hiret e tyre si talismanë
gjer në kontinente të largët
në udhë mos-kthimi,
nuk e dinte se në tokën që lëviz
sipër syve do të dëgjonin hapat e të gjallëve
miliona zëra dashurish të bulëzuara
në stinën e përbotshme
ku hiret bashkohen si shpirtrat dikur
në refrenin e dashurisë së ndaluar,
në përqafimin e shpejtë të natës që vraponte diku
bashkë me ekstazën e tyre
me syrin e bëri mavi nga pritja,
hiret e dashur nuk do ta humbasin kujtesën…
————————
Note: Nga letrat e Denis Diderot (që guxova ti vargëzoj ato rreshta) dërguar të dashurës së tij Sophie Volland më 1759. Pesëqind e pesëdhjetë e tre letra dashurie që mbijetuan, por letrat e saj nuk u gjetën kurrë. Pesë muaj pas vdekjes së saj vdiq në Paris dhe Diderot.